Dy rreshta për 8 marsin dhe “feministet”

Postuar më: 09 March 2016 10:02

Albana NexhipiNga Albana Nexhipi

Të festosh apo të protestosh? Kjo është dilema e madhe që gërryen çdo 8 mars, viteve të fundit, mendjen e zemrat e atyre që duan një pozitë më të mirë për femrat në shoqërinë shqiptare, e cila, me thënë të vërtetën ka ndërtuar një qasje jo të shëndetshme ndaj gjysmës tjetër që ndërton njerëzimin dhe mbrujt ekzistencën. Janë thënë e ç’nuk janë thënë për të gjitha ato që mblidhen e hanë nga një picë, që kërcejnë me shoqja-shoqen si dikur mbrëmjeve të vallëzimit në komunizëm, për ato që “harbohen si ezhdërha” lokaleve të natës, duke shijuar po me sho-shoqen zhveshjen e ndonjë striptisti muskuloz, të cilave s’u vjen zor, por zgjedhin këtë lloj “shfrenimi” me alkool e dajre, në vend të protestave të organizuara me pankarta, (shoqëruar mundësisht me ndonjë përplasje me policinë, siç është bërë rëndom zakon i protestave civile shqiptare).

Është thënë e ç’nuk është thënë, por ndërkaq është harruar e shkuara. Është harruar se mendësia që ngjiz njeriun, është edhe ajo që ndërton shoqërinë e në rastin tonë ky është edhe thelbi i debatit. Një pjesë e mirë e nënave tona, (baballarëve, vëllezërve, por edhe e vetë neve), janë/jemi mbrujtur me mendësinë se 8 marsi është një ditë feste, ku duhen uruar nëna, bashkëshortja, motra dhe shoqja për arritjet e tyre, një mendësi kjo që i ka rrënjët në të shkuarën komuniste, kur për të shenjuar arritjet e veta sistemi ndërtoi bindjen se kjo ishte dita e festimit të arritjeve të gruas në socializëm (e cila, më thënë të vërtetën, gëzonte asokohe pozita më të shëndosha se sa sot, duke u konsideruar vërtet e barabartë me burrin në fjalë e në vepra).

Pra, është pikërisht kjo fashë moshore (45-65 e më tej), e cila, e brumosur me të tillë mendësi, zgjedh sot dita, qoftë për të pasur një ditë ndryshe, qoftë për të gëzuar mbërritjen e moshës, gëzimin e rritjes së bijve, nipërve e mbesave (një proces i bukur e i vështirë në jetën e çdo gruaje besoj, që duhet konsideruar vërtet arritje), por edhe për t’u çeplendisur, të mblidhet e ndajë një çapë bukë e një vallëzim, duke e shënuar me kaq “festën” mbi arritjet e veta. Ndërkaq, të tjerat, më të rejat, në emër të dimensionit feminist, e të qenit të lira dhe për të thyer një tabu shoqërore, zgjedhin të “harbohen” nën avujt e alkoolit, muzikës së lartë dhe meshkujve lakuriq, duke përcjellë kështu idenë e një “modeli barazie” me botën mashkullore, së cilës shoqëria nuk ia konsideron tabu qejfe të tilla.

Do pyeste dikush: “po mirë, e ku qëndron problemi këtu?”, një pyetje kjo që po e shtroj edhe unë ndërkohë, përballë moralizmave dhe detyrimit të të parit të 8 marsit absolutisht si ditë proteste, një qasje që ka nisur t’u kërkohet me përdhunë të gjitha grave, pavarësisht moshave e formimit që kanë, sidomos nga ato gra që e mbahen si të emancipuara e feministe, duke ironizuar dhe tallur festimet apo mosprotestimet e tyre, gjithmonë në emër të pozicionimit e trajtimit sa më të mirë të gruas në shoqëri. Dhe pyetja tjetër që më lind është a janë vërtet pro gruas të tilla gra? (Dhe nuk po përfshij qëllimisht burrat, se ky është së pari një debat mes nesh). A duhet të bëjnë avokatin e djallit, në të vetmen ditë që gratë e moshave dhe shtresave të ndryshme e projektojnë si ditë gëzimi, duke u shkaktuar kështu, pikërisht në ditën kur ato paqtohen nja dy orë teksa hanë një picë, atë ndjesi përdhosjeje, paaftësie e fyerje, që vetë ato “mbrojtëset e grave”, pretendojnë se këto “të shkretat” vuajnë 364 ditë prej burrave e gjithë shoqërisë? A janë vërtet pro gruas, asaj masives shqiptare, që është edukuar prej të ëmës me modelin e të mos bërit zë ndaj burrit, e moskërkimit të të drejtave të veta, e të ulurit kokën se burri ka gjithmonë të drejtë, e të punuarit “derrçe” për të rritur fëmijët e mbajtur në këmbë familjen, që e sheh këtë ditë si të vetmen kur i mirënjihet mundi? A janë vërtet pro gruas, asaj që do të rrojë ndryshe, që do t’i përshfaqet shoqërisë qoftë edhe duke prekur një mashkull nudo në publik? A janë vërtet pro gruas, kur ajo zgjedh ta gëzojë 8 marsin në lirinë e vet të plotë (ashtu siç ajo mund ta dijë)? Them se jo. Se të duash gruan dhe ta mbështesësh atë, do të thotë në radhë të parë t’i bëhesh krah e të mos e gjykosh në zgjedhjet që bën. Në do të jetë mëmë, qoftë e lumtur, në do të jetë rebele, qoftë e lumtur, në do të jetë lezbike, qoftë e lumtur, në do të hajë pica për 8 mars i bëfshin mirë, në do të vallëzojë me shoqet, Zoti ia shtoftë qejfin.

Dhe kjo është edhe mënyra si duhet ta shohim gruan nëse e duam, e jo ta kryqëzojmë edhe për 8 mars, duke i vërvitur në surrat modele sjelljesh gjasme më të vlera nga modeli i tyre, duke i bërë të ndihen të paafta për të ndërtuar diçka edhe në ditën që ato e projektojnë si të tyren.

Fakt është që ashtu si gjithë qeniet e kësaj bote, edhe gratë edukohen. E po ashtu si gratë e gjithë botës, edhe ato shqiptare kanë nevojë të edukohen, por jo përmes neverisë, cinizmit, pozitave inferiore, por duke i mësuar ta duan veten dhe gjërat që bëjnë, një hap që do t’i nxisë t’i shohin gjërat ndryshe, e sidomos të rrisin bijë e bija me dijeninë që asnjë nga të dyja gjinitë s’është më i mirë se tjetri, se të dy gëzojnë të njëjtat të drejta në këtë dynja. Dhe vetëm kur një qasje e tillë t’u mësohet individëve qysh në kopsht, vetëm atëherë do mund ta ndërtojmë gradualisht, por qëndrueshëm, 8 marsin si ditë reflektimi për përmirësime të mëtejshme, por deri atëherë, ju lutem, lërini gratë ta rrojnë si të duan këtë ditë, se mjaft kushtëzohen ditëve të tjera të vitit.

1 koment për këtë artikull
  1. Pingback: Dy rreshta për 8 marsin dhe “feministet” | albananexhipi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *