Aksion policor kundër shtetasve shqiptarë të Lëvizjes Vetëvendosje

Postuar më: 22 March 2016 17:04

arber zaimi1Policia e Kosovës ka arrestuar pak çaste më parë një nga njerëzit kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Arbër Zaimi. Drejtuesit e kësaj Lëvizje i thanë lapsi.al se arrestimi i Zaimit ishte i papritur dhe pa asnjë motiv zyrtar. Zaimi është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të VV dhe këshilltar i Kryesisë së Lëvizjes.

“Policia e Kosovës, sapo arrestoi aktivistin e Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, vetëm për shkak se ka shtetësi të Republikës së Shqipërisë”,- ka thënë Vetëvendosje përmes një postimi në fb.

“Siç po duket, Qeveria e Kosovës është e vendosur që të largojë nga Kosova secilin qytetar të Republikës së Shqipërisë dhe, po aq e vendosur, që të lehtësojë intervenimet e ndryshme, legale dhe ilegale të Serbisë.

Isa Mustafa në njërën anë e ka hapur Kosovën ekonomikisht dhe politikisht ndaj armikut tonë shekullor, Serbisë, kurse në anën tjetër përherë e më shumë po shfaqë tendenca armiqësore ndaj Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në komunikatën e VV.

Sipas saj kjo përshtatet plotësisht me politikat e Kryeministrit për të kthyer ndikimin e Serbisë brenda Kosovës.

“Kjo qeveri që arreston opozitën, kërcënon gazetarët, deporton nga Kosova qytetarët e Republikës së Shqipërisë, është e papranueshme për qytetarët e Republikës sonë.

Më 26 mars, masivisht do të dëshmojmë vullnetin tonë për ndërrimin e këtyre politikave që po e shkatërrojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet në postim.

VV më tutje ka shtuar: “Ne i bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të përfshihet në këto skandale dhe të ndikojë që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë veprime të tilla jodemokratike dhe absurde”.

Arrestimi i Arbër Zaimit pason atë të Boiken Abazit, një tjetër drejtues i VV po nga Shqipëria, i cili u ndalua dhe më pas u deportua nga Kosova duke u shpallur non grata për një periudhë të paktën dy vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *