Elena Prendjova, poezi jo vetëm për dashurinë

Postuar më: 30 May 2015 09:25

elenaNjë poet i zoti, nuk duhet të shkruajë vetëm për dashurinë. Kështu mendon poetja nga Maqedonia, e cila ka hapur sezonin e ri të Rezidencës së Shkrimtarëve këtu në Tiranë, një iniciativë e Festivalit Poeteka, mbështetur nga rrjeti i përkthyesve Traduki dhe Ministria e Kulturës. Poezia e saj, ajo e protestës, e njohur si slam poetry, flet për gjërat që shihen e askush nuk guxon t’i thotë me zë. Ajo nuk ka frikë të marrë mikrofonin e të performojë revoltën e saj artistike.

 Nga Suadela Balliu

Në gjysmërrethin e amfiteatrit qiellzbuluar të Universitetit të Arteve muzika e Flautit Magjik pushoi për t’ua lënë vendin fjalëve të një gjuhe, jo edhe aq familjare megjithëse e një shteti fqinj. Sikleti i të moskuptuarit bashkë me të qeshurat e zhurmshme të disa djelmoshave, u shua për t’ia lënë vendin hutimit… Fjalë që dukeshin sikur godisnin, pastaj nënqeshnin, revoltoheshin e bërtisnin, diku lëshonin një zë të mekët, e shtonin ritmin dhe intensitetin duke ndezur brenda emocione që shoqëroheshin me disa vargje të kënduara, vetëm me një mikrofon dhe me një simfoni heshtjeje në sfond. Në fund duartrokitjet e pakursyera në një gjuhë universale lanë të kuptoheshin se interpretuesja, poetja e re nga Maqedonia, ia kishte arritur qëllimit. Kishte depërtuar në zonën e psikës ku idioma bëhet dytësore, krejt e parëndësishme.

Është kjo fuqia e poezisë-protestë, ajo që kritikon ashpër dhe sulmon verbalisht, e njohur botërisht si Slam Poetry, të cilët Elena Prendjova e shkruan dhe e performon prej pesë vitesh tashmë. E gjithë fuqia është te performanca, fuqia me të cilën zëri vesh fjalët për të thënë të tyren në një protestë që i tejkalon kufijtë e artistikes duke prekur socialen, si aktorë që në mos nuk do të munden të fitojnë ndaj padrejtësive, të paktën do të përhapin në audienca mesazhin e tyre.

Për t’ia dalë ose do të duhet të kesh ndjekur kurse aktrimi, ose të kesh lindur me talentin.

“Besoj se kjo botë, kjo botë e madhe që jetojmë nuk është më e mirë. Njerëzit, sidomos artistët duhet të provojnë ta bëjnë më të mirë. Ndoshta nuk ia dalim, por duhet të provojmë ta bëjmë më të mirë. Poezia ime është kështu”, – rrëfen Elena Prendjova, poetja nga Maqedonia, e cila ka hapur sezonin e ri të Rezidencës së Shkrimtarëve këtu në Tiranë, një iniciativë e Festivalit Poeteka, mbështetur nga rrjeti i përkthyesve Traduki dhe Ministria e Kulturës.

“Poezia që recitova në Festivalin ‘Flauti Magjik’, ishte e para poezi e shkruar për të bërë slam. Por tani, slam është më e pranishme në jetën time. Jam organizatore e ngjarjeve slam në Maqedoni, thuajse në të gjitha qytetet. Dhe e bëj çdo muaj, ndoshta edhe dy herë në muaj”.

Nëse nuk e dëgjon të performojë apo nëse nuk lexon një poezi të saj, të përkthyer në gjuhën shqipe, nuk e beson që pas asaj gruaje të re tridhjetë vjeçare me tipare të qeshura, është një artiste me ndjeshmëri të madhe, që shkruan dhe interpreton mbi gjithçka që sheh në këtë botë, nga dashuria deri te padrejtësitë sociale apo çështjet gjinore.

Them gjërat që shihen, por që askush nuk flet për to. Duhet të hapim sytë për të gjitha të shëmtuarat dhe të këqijat dhe kjo është mënyra për t’i ndrequr. Hera-herës poezia ime është e drejtpërdrejtë deri në dhimbje. Shkakton dhimbje, por nëse nuk e godasim me shuplakë fytyrën nuk do e ndjejmë. Shkakton dhimbje për të shëruar. Është një lloj paradoksi. Dua të jap një mesazh. Nuk e di nëse mundem të ndryshoj diçka, por dua të jap një mesazh”- rrëfen Elena, duke shtuar se tematikat e saj të parapëlqyera janë vetëdija femërore dhe ajo sociale, duke u përpjekur kështu që kushdo që dëgjon poezitë e saj të bëhen më të vetëdijshëm për çka i rrethon. Edhe Tiranën e ka parë si një audiencë të re për të përcjellë mesazhet e saj, duke e përmbyllur qëndrimin e saj njëmujor me mbrëmjen poetike në “Hemingway Bar”, një natë e Elenës dhe miqve shqiptarë, një festë për protestë dhe një test për poezi. Mbrëmja ishte e konceptuar si një takim ku çdo i ftuar u paraqit me një poezi me vete, duke iu bashkuar leximit të poetes. Mikrofoni slam, si mikrofoni i të vërtetave kalonte dorë më dorë të ata që deshën t’iu bashkoheshin këtij zhanri poezie, jo shumë të lëvruar në vendin tonë. Mëngjesi i së shtunës, është mëngjesi i fundit që poetja po kalon në rezidencën e shkrimtarëve, në zonën me shtëpi karakteristike tiranase të Pazarit të Ri, për t’u larguar drejt vendit të saj, me thuajse 40 poezi të reja të shkruara në dhe për kryeqytetin shqiptar. Është kjo një etapë e re për autoren e gjashtë librave me poezi, e cila shprehet se më të riun, do ia dedikojë Tiranës. “Do e titulloj TIR(ANA” dhe dëshiroj që krahas maqedonishtes që botohet edhe në shqip”, – rrëfen e ulur në Friend’s book house, për t’u njohur më nga afër me shtëpinë që mbledh kolegët e saj shqiptarë, entuziaste pasi e kanë njoftuar se në vendin e saj e kanë vlerësuar me çmimin si autorja më e mirë femër e Shoqatës së Shkrimtarëve Maqedonas.

Kur ke nisur të shkruash poezi ?

Kam nisur të shkruaj kur studioja alfabetin, kur isha fëmijë. Të gjithë fëmijët kanë talente, të gjithë vizatojnë apo shkruajnë. Unë nuk e dija se në një ditë, në të ardhmen, do isha poete. Nuk ishte kjo ëndrra ime. Ëndrra ime ishte të bëhesha profesoreshë dhe jam profesoreshë e gjuhës angleze. Kur dikush jeton si artist, është fat. Nuk zgjidhet, diçka tjetër jashtë teje të zgjedh.

Ishe predestinuar të bëhesh poete…

Mendoj se po.

Si je njohur me poezinë Slam?

Nuk e kam nisur poezinë me Slam. Ishte diçka që ka ndodhur më vonë. E kam nisur me një poezi më intime dhe romantike, si të gjithë të rinjtë. Pas njëfarë kohe, aty nga viti 2010 një djalë nga Gjermania që erdhi në Maqedoni për një workshop të “Slam poetry”. Kjo ishte koha kur u takova me këtë zhanër poezie. Por, gjithçka që shkruat mund të jetë slam. Mënyra sesi e performon e bën një poezi slam.

Sa i përhapur është ky zhanër poezie te ju, në Maqedoni?

Poezia slam është më e re te ne dhe nuk mund të flasim shumë për poetë slam. Në Perëndim ka poetë që bëjnë vetëm poezi slam. Tek ne nuk ka poetë të tillë. Mund të jenë shtatë, apo në Maqedoni që janë slam shumë të mirë, por edhe shkruajnë të tjera zhanre. Por ka edhe të tjerë që nuk janë poetë edhe bëjnë slam.

I je dedikuar vetëm slam-it qëkur e ke njohur?

Jo, shkruaj edhe zhanre të tjerë.

A është e vështirë të interpretosh e të shkruash slam?

Jam e sigurt që ka poetë që nuk shkruajnë slam, por mund ta interpretojnë poezinë e tyre kështu, siç edhe ka poetë të zotët që nuk mund të interpretojnë dot poezitë e tyre. Për mua, lidhja me audiencën është shumë e rëndësishme. Unë bashkë me një ekip, organizojmë çdo muaj evente slam, në çdo qytet të Maqedonisë dhe ky fakt, i të qenit të pranishëm me slam kaq shpesh shkakton presion. Sepse, njerëzit presin diçka të re dhe më të mirë se ajo çka kanë dëgjuar më parë nga ti.

A të ndihmon të qenit nën presion për të krijuar?

Më frustronte disi në fillim, sepse askush nuk mundet të bëjë poezitë të reja e të mira çdo muaj. Por, bëj më të mirën për të mbajtur nivelin lart. Për mua ideja është gjithçka. Ideja është si kancer malinj. E kam brenda vetes e nëse nuk del jashtë më shkakton dhimbje. Kur del ndihem e çliruar, e qetë.

Të shkruarit a është gjithnjë besnik me idenë që ke në mendje? A ka diçka që humbet në proces?

Ideja dhe procesi janë bashkë. Së pari është ideja, ajo nuk varet nga unë. Nuk e zgjedh unë, por ajo më zgjedh. Ndoshta i ka shkuar dikujt tjetër por nuk kanë qenë gati ta realizojnë. Kur ideja vjen është si kancer, por procesi është si shtatzënia. Ashtu si gratë kanë fëmijën brenda për nëntë muaj, unë kam idenë për një kohë e më pas lind poezia apo poema. Pastaj vjen periudha e lehonisë, për të qëndruar brenda 40 ditë. Ashtu si bebja qëndron në shtëpi, të njëjtën bëj edhe unë me poezinë. Ajo është vetëm për mua gjatë ditëve të para. Pastaj zgjedh mamanë, miqtë e ngushtë, për t’ua treguar dhe pasi bebja rritet dhe është gati të shohë botën, vendoset në një libër.

Ajo çka nuk më pëlqen është të diskutoj poezinë time. Nëse kam diçka për të thënë e shkruaj. E këtu mbaron.

Jam kurioze të di, për interpretimin e poezive ke ndjekur ndonjë kurs aktrimi?

E kam të lindur, është çështje karakteri. Kam një karakter që shpreh emocionet dhe më ndihmon të bëj këto gjëra. Nuk ka rëndësi gjuha e poezisë, por emocioni që përcillet.

Flet me emocione më shumë sesa me fjalë?!

Kur isha në hapat e parë, një autor i njohur maqedonas më pat thënë: “Shkruaj gjithmonë gjërat që njeh! Mos shkruaj për gjërat që janë larg! Dhe duhet të jesh e sinqertë!” Kjo është këshilla e parë edhe e fundit që u jap të rinjve që shkruajnë, gjithnjë duhet të jenë të sinqertë. Kur një person bën art, duhet të jetë i sinqertë. Gënjeshtra ndjehet.

Si je ndjerë në këtë qëndrim në Tiranë? A është hera e parë që e viziton Shqipërinë?

Është hera e parë në Tiranë, por jo e para në Shqipëri. Para 5 vitesh kam qenë në Gjirokastër për një festival poezie dhe kam kaluar kohë të bukur; qyteti, shoqëria, poetët…por ishte vetëm një fundjavë. Ky qëndrim këtu është më i gjatë. Më pëlqen Tirana. Kam shkruar një poezi ku them se Tirana nuk është si Roma, Parisi, Budapesti, Londra, por as vetë Roma, Parisi, Budapesti e Londra nuk janë si Roma, Parisi, Budapesti, Londra kur i viziton për herë të dytë. Kam takuar njerëz të sjellshëm, miqësorë që shkruajmë poezi të mirë.

Sa ngjan Tirana me vendin tënd?

Ka ngjashmëri, ashtu siç ka edhe diferenca. Si kudo. Askund nuk është njëlloj e askund nuk është aq ndryshe. Kam një poezi që thotë “shtëpia është kudo ku njerëzit i duan njerëzit”. Këtë e kam shkruar në Serbi.

Po shkruan diçka për Tiranën?

Kam vizituar një festival filmi “Zoom in” dhe kam shkruar një haik, isha në Muzeun Historik Kombëtar dhe kam shkruar një haik për pikturat atje. kam qenë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe kam shkruar haik për rreth 40 piktura. Këto poezi do të jenë libri im i ardhshëm, të cilin e kam në plan ta titulloj “TIR( ANA)”. Më pëlqejnë kllapat dhe i përdor sa herë më jepet mundësia në poezitë e mia. Po, mund të them se Tirana më ka frymëzuar shumë.

Si të duket rezidenca e shkrimtarëve ?

Është e mrekullueshme. E mira është se nuk kam pasur pritshmëri, nuk prisja shumë e as nuk kisha paragjykime, mendova se do të shkoja në një vend si çdo vend tjetër. Nuk e dija çdo të ndodhte. Gjithçka këtu është mirë, e ndoshta edhe më mirë sesa e prisja. Më pëlqen gjithçka, është njerëzore, e sinqertë. Është gjithçka që çdo njeri do të priste.

Ke qenë në rezidenca të tjera shkrimtarësh?

Kjo është hera e parë. Tirana më ka sjellë fat. Kam shkruar 40 poezi në më pak se një muaj.

Poezitë e tua janë të përthyera në disa gjuhë, tashmë edhe në shqip. Si ndihesh ndërsa lexuesit shqiptarë u njohën me poezinë tënde si edhe me zhanrin slam? Këtu duhet thënë nuk është shumë i njohur.

Kam frikë se nuk ndihem kështu. Për ju është diçka e re. Nuk më duket se vij këtu dhe u prezantoj diçka të re njerëzve. Ndjej që kam ardhur në audiencë të re, mund të ishte çdo lloj shtetësie. Ndihem mirë kur poezitë e mia përkthehen në gjuhë të tjera. Kjo do të thotë se fëmijët e mi –që do të thotë librat e mi –janë pjekur. Do të isha shumë e lumtur nëse poezia slam do të bëhej zakon këtu. Do të ishte një pikënisje për të bërë diçka më shumë.

Ke njohur poetë të rinj shqiptarë që kanë elementë slam në poezitë e tyre?

Jo nuk kam njohur, por e dini, ndonjëherë ka njerëz që bëjnë poezi por nuk e dinë se performojnë slam. Por shumë poetë janë mësuar dhe presin që t’ia lexojnë poezitë. Duhet të kenë më shumë kurajë, të dalin dhe të performojnë një mënyrë të ndryshme. E ndoshta më shumë do të bashkohen pas tyre. Është çështje performance. Dikush mund të jetë duke dëgjuar e mund të thotë “Edhe unë mundem ta bëj këtë!”. Lexuesit nuk i intereson autorit, por poezia. Audienca nuk interesohet për ne si poetë, por vetëm për përmbajtjen.

Ti nuk bën pjesë tek ata poetë që druhen të recitojnë poezitë e tyre?!

Kur dua të prezantoj diçka të re, them se kam lexuar diçka dhe bëj prezantimin në Facebook, njerëzve u pëlqen dhe kërkojnë të dinë kush e ka shkruar. U them ase nuk e di, i provokoj duke thënë se nuk është shumë i zoti, por komente më thonë të kundërtën. Ka edhe nga ata që më japin këshilla apo sugjerime, të cilat nuk i dëgjoj kurrë. Nëse ndryshoj qoftë edhe një varg, nuk është më poezia ime, por e tyrja. Kur flitet për poezinë, asnjëherë nuk i dëgjoj sugjerimet, në gjithçka tjetër po.

Cilat janë tematikat që prek poezia jote?

Unë shkruaj për dashurinë ashtu si edhe për temat sociale. Dashuria është tema e dhënë nga Zoti, të gjithë shkruajnë për të. Mendoj se një poet i zoti nuk duhet të shkruajë vetëm për dashurinë. Më pëlqejnë detajet, mund të shkruaj për gjithçka që mund të më lërë emocione të forta; persona, objekte, institucione, gjithçka…nuk kam shkruar kurrë më parë haik, por nisa të shkruaj tani në Tiranë. Mendoj se kam paragjykime. Të gjithë në vendin tim shkruanin haku, ishte shumë popullor. nuk dua të bëj gjëra që janë popullore, dua të bëj gjëra që janë të ndryshme. Më ndodh çdo kohë. Shkoj kundër rrymës.

Cili është elementi dallues i poezisë tënde?

Kam shkruar 6 libra për shtatë vite. Pasi mbaroj së shkruari në një periudhë, nis një tjetër etapë, emocionet dhe mendimet nuk janë të njëjtat. Është një proces. Prandaj dua t’i vendos poezitë e një etape në një libër, e kështu me radhë…Nuk kam rregulla, është mënyra ime. Nuk është mirë për një autor të ketë njëlloj të gjithë librat. Për shembull, librat e mi të parë ishin më fëmijërorë. Më adoleshentë. Në librin e fundit, si kurrë më parë i kushtoj vëmendje rimës dhe ritmit,.

Është si të ndërtosh diçka, ndoshta sepse në këtë periudhë po shkruaj tezën e Masterit mbi Sonetin si formë –aty ka shume rimë dhe ritëm dhe ndoshta kjo është pasoja dhe ndikimi –dhe në librin e ri që do të botoj do doja të kisha ndikime të poezisë kombëtare maqedonase, folkut. Është një periudhë e re. Është një poete e njohur maqedonase, Blazhe Koneski, e cila ka thënë në një ese, se vargu i parë të jepet nga Zoti, pjesa tjetër është në dorën e poetit. Kur më vjen vargu i parë, pastaj e strukturoj poezinë apo poemën sipas tij. Ruaj të njëjtën lartësi. Tani bëj ndërtime si këto; shkruaj vargun e parë, pastaj të dytin e të tretin. Rima është ABC, pastaj bëhet CBA, pastaj sërish ABC. Luaj me rimën, por është e qëllimtë. Dua ta bëj ashtu, jo se më vjen vetvetiu. Tani jam më e vetëdijshme jo, aq shumë intuitive.

Përtej poezisë, si është jeta jote në Maqedoni?

Është e mirë, si e çdo njeriu tjetër. Kur flas me gazetarët në Maqedoni përpara intervistave u them nuk flas për dy gjëra: jetën private dhe politikën. Nuk flas kurrë për to. Jeta është e mirë. Në Maqedoni jetohet si në çdo vend tjetër të Ballkanit, njerëzit nuk janë as shumë të pasur as shumë të varfër. Janë një e mesme e artë, themi nga anët tona. Unë shkruaj poezi, dhe kjo është parësore në jetë. I jam kushtuar poezisë. Nuk shkruaj prozë, jo se i ndaj, por mendoj në poezi dhe shprehem më mirë në poezi. Kur shkruaj prozë, shkruaj ese për teatër dhe filma. Nuk janë kritike, por ese.

The pak më parë se je profesore e gjuhës angleze. Domethënë e ke realizuar ëndrrën e fëmijërisë?

Nuk punoj por diploma ime është mësuese e gjuhës dhe letërsisë angleze. Jam e dedikuar poezisë, jetoj me poezinë. Unë eci gjithnjë me emocionet dhe nuk jetoj jetë praktike. Për këtë më ndihmon poezia. Për mua jeta është poezi. Është diçka me të cilën jetoj, mendoj se një njeri është i zoti kur e jeton artin. Nëse mendoj se është mjet për pasuri apo famë, nuk është më art.

Ke në plane të mëvonshme t’i kushtohesh prozës, apo do të mbetesh përjetësisht poete?

Është dëshira ime të merrem edhe me prozë. Është një sfidë, pro deri tani nuk mendoj në prozë. Mendja ime shkruan poezi. Poezitë e fundit slam janë më narrative, si poemat epike; me dialogë, përshkrime, ka personazhe, rrjedhë ndërgjegjeje… janë narrativë por kanë formën e poezisë e jo të prozës.

Duke qenë se slam është e njohur si poezi e protestës, mendon se poezitë e tua mund të shndërroheshin në këngë?

Nëse bëhet muzikë për këto poezi që kam shkruar do të ishte mirë, por nuk mendoj se do të shkruaja poezi si tekste këngësh. Kur performoj unë nuk dua muzikë. Jam vetëm unë dhe mikrofoni. E bëj gjithçka vetë; muzikën, ritmin, zërin e lartë e të ulët.

 

 

Një autore moderne

Krijimtaria e Prendjovës është vlerësuar me 3 çmime kombëtare për librat me poezi Elena Prendjova është autore e gjashtë librave me poezi si dhe hartuese e një antologjie të poetëve të rinj të slam (Karamanov 2014, Makedonska knizevna avangarda 2012, Beli mugri 2011) si dhe me 3 çmime të tjera ndërkombëtare (Poetja më e mirë e edicionit të parë të Festivalit ndërkombëtar në Brchko – Bosnjë&Hercegovinë 2012 Çmimi i parë për librin më të mirë poetik të vitit në 2011 dhe Çmimin special Irin Pirin për librin më të mirë poetik të vitit 2007 në Melnik, Bullgari. Në vitin 2014, një poezi e saj u vlerësua me Çmimin kombëtar Praznik na lipite National Award, ofruar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Maqedonisë. Poezia e saj është përfshirë në antologji të ndryshme si dhe është botuar në anglisht, boshnjakisht, bullgarisht, kroatisht, rusisht, serbisht dhe shqip. Ajo shkruan dhe boton rregullisht poezi dhe kritikë arti mbi poezinë, teatrin dhe filmin në revista të ndryshme. Që nga viti 2012, Elena Prendjova është anëtare aktive e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe nga viti 2013 edhe anëtare e bordit redaktorial të revistës letrare Sovremenost.

 

Ëmbëlsira kineze në restorant italian, diku në Ballkan

Për desert na sollën ëmbëlsira me mesazhe.

Ti e hëngre mesazhin

dhe ma le mua ëmbëlsirën.

The se je në dietë,

kurse në të vërtetë do që ta fshehësh përgjigjen

prej meje.

Pastaj më pyet a është e shijshme.

T’i ofroj buzët që të provosh

vetë.

Atëherë mësova se je me diabet.

Duke e ngrënë letrën

e gëlltit

heshtjen.

Qetësia është më e zëshmja.

Përktheu nga origjinali Jordana Shemko-Georgievska

 

UNË DHE TI

Më përkëdheljeje

si

diellin dimëror.

Më doje

si

peshqit dheun.

Ishe i pranishëm

si

bora në verë.

Kurse unë të desha

siç e duam ngrohtësinë në dimër

dhe urrejmë vapën në verë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *