Vlashent Sata, ky artist i madh, ky fëmi Shqipërie

Postuar më: 12 April 2014 10:00

Pianoja le të heshtë për pak… Dhe të fillojë kënga. Pianisti dhe pedagogu i pianos në Paris, Vlashent Sata ka ardhur për të  shoqëruar Elina Dunin në Prishtinë dhe Tiranë, për të kthjelluar katër net e shumë ndjesi të fjetura, me  krijimet si kantautor, e siç e thotë një shprehje dhe si pak artistë e bëjnë vërtet, për t’u lënë njerëzve në dorë një copë të shpirtit të tij

Vlashent Sata dhe Elina Duni

Vlashent Sata dhe Elina Duni

 Në do kish ngelur vërtet ndonjë ëndërr e hershme nëpër sallat e Piramidës, nga ato që nuk kanë si t’i mungojnë një 15-vjeçari që lë për pak pianon, e këndon këngët e tij me kitarë, ai erdhi ta zgjonte vetë. Bashkë me Elina Dunin e muzikantët që i shoqëronin në koncertin e saj në Tiranë. Por po të shohësh një ditë më pas Piramidën, ende me posterin në hyrje, me gjurmët e fundit të mbetura nga koncerti i shlyer nga axhenda e kryeqytetit tashmë, mendon që ëndrrat janë prapë aty. Të vëna në gjumë po nga ai, duke kënduar “Ëmbël”, për “Hanën” e të tjera krijime ca të vjetra e ca të reja, me kitarën në dorë e me një fletore fëmije, në një qosh duhet të jetë patjetër një e tillë, nga duket se kanë dalë fjalët e këngëve të tij… Është larguar nga Shqipëria sa mbaroi Liceun Artistik, për të studiuar në Francë piano me pedagogë si Romano Pallottini dhe me të madhin Denis Pascal dhe më pas dhe pedagogji. Ka ardhur disa herë për të kënduar në ‘Top Fest’ dhe ‘Kënga Magjike’ këngët “Në botën tonë”, “Ëmbël”, “Ëndërruar” dhe “Nëse të merr malli” dhe është larguar menjëherë, pa pritur as jehonën e muzikës së tij të sinqertë, të lëshuar lakuriqe pa një videoklip e pak publicitet supeve. Por tani vjen me mendje të tjera, ka hedhur një hap “Këmbëzbathur” si kënga e re dhe nuk do ndalet këtu. Ka ca projekte muzikore që nuk i ndan dot nga Shqipëria, nga ky vend ku një pjesë e tij, ajo më e mira ndoshta, do flejë gjithmonë…

Koncerti i prezantimit të albumit të fundit të Elina Dunit “Muza e Zezë” te Piramida, veç gjithë emocioneve, kishte dhe një fakt interesant, që ktheheshe në po atë vend ku 15 vjet më parë ke kënduar krijimet e tua të para. Si e ke përjetuar gjithë këtë?

Kënga, dhe pse unë iu kushtova pianos, më ka shoqëruar gjithmonë. Kam pasur shkollën në shtëpi, babai është pedagogu im i kantos, por nuk kam studiuar në një institucion. Megjithatë në moshën 15 vjeç kam pasur një goditje të fortë, një shtysë që doja të shkruaja. Mësova dhe kitarën autodidakt. Dhe këngën e parë timen e kam kënduar pikërisht te një nga sallat e Piramidës. Ka qenë dita kundër AIDS, një event i organizuar nga Hervin Çuli, ku kam kënduar tri këngë. Dhe tani që erdha me Elinën dhe këndova prapë aty ishte si një rreth që kërkon të mbyllet dhe ishte shumë bukur.

Sapo përmende babain dhe rolin e tij në formimin tënd muzikor. Në biografinë tënde gjithashtu thuhet që vjen nga një familje artistësh. Na trego pak më shumë për familjen Sata

Aq e afërt ka qenë familja ime me artin sa unë për pak sa nuk kam lindur në shkallët e TOB-it. Ime më ishte gati për të lindur e duke qenë që në atë kohë nuk kish as celularë, as taksi, ambulanca i kërkonte prindërit e mi në qytet deri sa i gjeti para TOB. Im atë, Loro Sata është këngëtar lirik, ka qenë nxënës i Lukë Kaçajt, një nga basët më të mëdhenj që ka njohur konservatori i Moskës në vitin ‘68. Ai është muzikanti i parë i familjes, tani është kritik i muzikës. Motra e madhe, Mariena është violinë e parë në orkestrën simfonike të Bilbaos në Spanjë, ndërsa motra tjetër Reksi ka mbaruar për violonçel dhe kanto klasike dhe ka qenë pjesë e Operës së Liezhit, në Belgjikë. Vetëm mami nuk e ka artin për profesion, ajo ka bërë piano kur ka qenë e vogël, por pastaj ka studiuar ekonomi, megjithatë shpesh mendoj që ajo është artiste më shumë se ne të gjithë për faktin që ka ditur të menaxhojë një familje me katër njerëz që merren me art.

Babai, muzikë klasike. Motrat e mëdha, po ashtu. Besoj për ty ishte e përcaktuar kjo rrugë…

Po, im atë më ka regjistruar në piano që 5 vjeç. Si këngëtar jam zbuluar në një turne që shkolla “Kongresi i Përmetit”, “Servete Maçi” sot, bëri në Pulia, ku kam kënduar këngë napolitane dhe kanconeta. Në fund të turneut organizatori donte të bënte një turne në të gjithë Italinë vetëm me mua, por unë nuk pranova, më kishte marrë malli për familjen. Isha vetëm 13 vjeç në atë kohë, por edhe babai donte që të vazhdoja të kultivohesha në muzikën klasike, të punoja me pianon. Nuk e pati keq në fakt, por ka qenë pak frustrim sepse këndimi për mua ka qenë shumë i natyrshëm, mund t’u flisja njerëzve shumë shpejt për t’u dhënë çfarë kisha dhe më pëlqen ky kontakt që është më pak intelektual, më pak filtrues sesa ai nëpërmjet pianos.

Në fakt, historia e formimit të pothuaj çdo artisti të muzikës klasike e ka pjesë të saj frustrimin. As për ty nuk duhet të ketë qenë e lehtë

Ka qenë pak e vështirë, sidomos fakti që shkolla e muzikës shqiptare, dhe pse me shumë potencial të mësueseve, nuk e ka pasur të kultivuar pedagogjinë. Ka pasur ca praktika rënduese, ka qenë pak repititive, një pjesë duhet ta përsërisje 20 herë…Unë kam studiuar pedagogji në Francë dhe e di që nuk është kjo forma më e mirë.

Megjithatë, shumë thonë që është meritë e kësaj shkolle, tradicionale ruse, që ka bërë që shumë artistë shqiptarë të zhanreve klasike, të shkëlqejnë në Perëndim.

E vërtetë. Është efikase në pamje të parë, sepse muzikantë të mëdhenj jashtë kanë arritur majat shumë shpejt, në moshë shumë të re, por në të njëjtën kohë mendoj që i ka kushtuar pak kjo pjesë, sepse një etapë e pajetuar në rritjen e individit të kap një çast nga veshi e të kthen pas. Ato janë boshllëqe që kërkojnë një punë personale shumë të fortë më vonë, që mos të humbësh anën njerëzore duke e mbushur me gjëra artificiale, me suksesin, skenën sepse të gjitha këto, dashuria për muzikën, për artin janë bërë me dasht’ veten e me mujt me ia transmetu të tjerëve. Nuk mendoj që suksesi është vetëm skena, apo pozicionimi në shoqëri, mendoj është çfarë ti mundesh me zhvillu te vetja, si diçka pak hyjnore, nëpërmjet muzikës, artit. Arti më i bukur është kur u përcjell të tjerëve dhe u zgjon të njëjtën dëshirë, si një energji e mirë dashurore, vëllazërore që qarkullon gjithandej dhe vjen në fund fare prapë te ty. Kjo është gjëja më e bukur, qarkullimi i shpirtit, i anës humane…

Je duke thënë që, dëshira për t’u bërë artist i njohur, pengon në njëfarë mënyre formimin e individit, të plotë, të lirë?

Unë thjesht dua që gjithkush ta bëjë pyetjen që a ia vlen dëshira për të arritur suksesin, pozicionimin në shoqëri shumë shpejt, kur për këtë e humb anën njerëzore? Çdo njeri duhet të pyetet a ka jetuar si fëmijë, a ka luajtur me fëmijët e tjerë, a ka kapur ndonjëherë top me dorë, a i ka parë ngjyrat e ylberit, e ka parë detin, a ka thyer ndonjëherë ndonjë xham, gjërat njerëzore… Sepse muzika e të gjitha trajtave, por edhe muzika klasike, nuk është diçka që ti e mëson vetëm duke qenë i mbyllur me instrumentin tënd në një dhomë. Gjëja më e bukur e artistëve është kur jeton me njerëzit dhe përfton jetën e gjallë, të vërtetë.

Dhe ia ke dalë të kishe një fëmijëri të zakonshme, një adoleshencë si të tjerët dhe pse ndërkohë duhet të studioje piano? Ndodh edhe kështu?

Jam koshient që studimi i pianos të merr shumë kohë, edhe mua një pjesë e fëmijërisë më ka munguar por kam pasur fatin edhe të jetoj e ta kuptoj që jeta që kam jetuar kur e fusja brenda në muzikë, si kur interpretoja muzikë klasike apo dhe këngët e mia, e bënin këtë muzikë shumë më të pasur. Unë kam jetuar vitin ‘91-‘92, ‘96-ën dhe ‘97-ën, Luftën e Kosovës në ‘99-ën derisa kam ikur në 2002-shin. Më kujtohen zhytjet në liqen, kacavjerrjet në karrocat me kalë në mes të Tiranës, radhët e shisheve të qelqit me tapa alumini, radha e bukës pesë lekëshe, më kujtohet kur mendonim natën çfarë loje do bënim ditën në verë, çamçakëzi në gotë me ujë… të gjitha këto të pasurojnë shumë. Nëse nesër do kem një fëmijë, nuk do doja kurrë ta mbyllja në një dhomë e t’i thosha vetëm të studionte. Sigurisht duhet punë, por do doja që të njohë dhe detin, dhe rërën, dhe baltën dhe liqenin… Kam jetuar në shumë shtresa, nga një familje intelektuale artistësh, në një lagje me shumë probleme sociale, nga pellgjet me ujë ku më pëlqente të bëja zhurmë e të shijoja natyrën, nëpër qytetet e Evropës…Nga Shkolla e Bashkuar, “Ali Demi”, liqeni artificial, në turne në Evropë, pastaj në Bordo për 5 vjet, pastaj në Paris… Kam folur me njerëz të ndryshëm në zhargone të ndryshme, të gjitha këto të pasurojnë dhe të gjitha këto jetë të jetuara brenda njërës, unë i kam përdorur në muzikë dhe kjo më ndihmon të jem më pranë njerëzve me muzikën time sepse muzika qoftë dhe ajo klasike duhet të jetë gjithmonë pranë njerëzve, por sidomos më ka ndihmuar te muzika ime, prandaj ato janë më personale, sepse janë fjalët e mia, unë i këndoj me gojën time, e gjitha del nga shpirti.

10247346_10152277418850380_537106756606644726_n  Çfarë ndryshimi ka të interpretosh në skenë muzikën e dikujt tjetër si pianist, profesioni yt i parë, dhe të dalësh në skenë si kantautor? Si je ndjerë në këto raste, kur ke interpretuar këngët e tua, thellësisht personale, para ca njerëzve që më vonë mund të zbulosh që janë fëmijë të një brezi, njerëz me një të kaluar, me të njëjtin përjetim apo mendim, por që gjithsesi në fillim janë të panjohur?

 Unë jam në fillimet e mia që dal në skenë dhe këndoj e luaj në kitarë në të njëjtën kohë. Duhet gjithashtu të koordinohesh me muzikantët e tjerë, me të cilët për hir të së vërtetës për këtë koncert kemi përsëritur shumë pak sepse unë vija direkt nga Parisi, një ditë më parë kisha dhënë mësim në konservator…Shpresoj që një ditë t’ia arrij kësaj harmonisë së plotë në skenë, nuk është diçka që ndodh menjëherë, automatikisht. Megjithatë e di çfarë është gjëja më e rëndësishme për mua? Më e rëndësishmja është të jem i sinqertë me publikun. Duhet të arrish te thjeshtësia. Duhet ta thuash sa më thjesht atë që do të thuash, sepse është e vështirë ta arrish tjetrin pa e njohur e t’i thuash çfarë do pa e cenuar, por po arrite të jesh i zhveshur para tij emocionalisht, të jesh i sinqertë dhe i thjeshtë është gjëja më mirë. Dhe unë dua të jem i sinqertë, t’u flas njerëzve sa më shumë. Nëse e ndjejnë mirë, po nuk e ndjenë nuk kam çfarë them, megjithatë mendoj që publiku e ndjen kur ai që është në skenë është i sinqertë. Ndonjëherë nuk është ritmi i duhur, ti nuk je në pozicionin që do, diçka tjetër nuk funksionon, por nëse je i sinqertë je ok. Unë u flas njerëzve me dashuri, kjo është e rëndësishme dhe ata pastaj janë të lirë të reagojnë si të duan.

E arrite këtë në koncertet në Prishtinë dhe Tiranë?

Roli im këtë herë ishte paksa i vështirë sepse këndoja në fillim të koncertit, që është një pjesë e shkurtër dhe kjo të frustron pak, megjithatë i jam mirënjohës pa fund Elinës që e bëri ëndrrën të realizueshme, që më solli në çerdhen ku jam rritur, ku kam pasur ëndrrat e mia, që flenë ende këtu, në fakt është një pjesë e imja që gjithmonë do flejë këtu…E dija edhe që njerëzit prisnin shumë sepse emri i një artisteje si Elina, natyrshëm sjell pritshmëri për ata që vijnë këndojnë në koncertin e saj. Por edhe unë vetë kisha pritshmëri ndaj publikut dhe kjo është pak e rrezikshme, sepse ti nuk e njeh publikun. Në Prishtinë ishte hera e parë që shkoja, isha pak i stresuar. Megjithatë, gjithçka shkoi shumë mirë. Prishtina ishte shumë e dashur, njerëzit ishin të thjeshtë, na kanë pritur ngrohtë. Unë madje mendoj që edhe në Shqipëri ka nevojë për festivale të tilla si DAM Fest atje, sepse është kultura që i bashkon njerëzit, u jep mundësinë të zbulojnë gjëra të reja, sa më shumë art të kemi aq më pak agresivë do jemi, aq më shumë mirësi do kemi në qarkullim. Edhe në Tiranë publiku e ndjeu muzikën tonë. Sigurisht tërheqja e parë ishte Elina, njerëzit e duan atë sepse ajo jep shumë, është e thjeshtë, e sinqertë, një artiste e madhe, muzikante shumë e mirë, por edhe mike shumë e mirë për mua që më ftoi vetë për këtë koncert e ma mbushi zemrën kur më tha që ishte krenare për çfarë kisha bërë. Gjithçka shkoi mirë edhe te Piramida, e kjo sigurisht edhe si meritë e muzikantëve Gent Rrushi, Enes Bajramlliqi, Ermal Rodi, Enver Muhamedi dhe Armend Xhaferri, që nuk ishte me ne në koncert, por ka punuar fort për të dhe Anima Pictures dhe ministrisë që e mbështeti koncertin. Njerëzit na pritën shumë mirë. Jam i mahnitur nga kjo. Skena ka një magji, arrin një çast që je në muzikë komplet dhe harron gjithçka tjetër, këtë e arrita këtë herë këtu dhe shpresoj që edhe publiku e ndjeu.

Ti ke ardhur në Shqipëri sa herë ke dashur të prezantosh një këngë dhe pas 12 vjetësh në Francë, sheh po nga Shqipëria për projektet e mëdha. Sepse është më e lehtë?

Ndoshta është dhe kjo, fakti që jam shqiptar, që flas shqip, që jam i kuptuar nga shqiptaret. Ndoshta është dhe më e lehtë, por e di pse është më e lehtë akoma? Sepse kam nevojë të flas shqip, të them gjëra në shqip. Kam gjëra që dua t’i them në shqip në fakt, që i kam brenda meje. Pastaj duke qenë larg ti e adhuron më shumë shqipen. Unë kur lexoj Fishtën më shkojnë lot, apo dhe Migjenin dhe ata kanë qenë njerëz që kanë fol nuk kanë pasur frikën e sotshme që gjërat duhet të jenë konvencionale, sepse shpesh artistë bëjnë këngë, por nuk thuhet çfarë është për t’u thënë dhe këtu gjërat duhen thënë, jo se njerëzit nuk i dinë, jo thjesht për të bërë kritikë, por se këta njerëz kanë nevojë të ndjehen të identifikuar, që po e themi dhe nuk kemi më frikë për ta thënë. Unë i dua të gjitha këtu, kam jetuar gjërat më të bukura të fëmijërisë sime, ne ndoshta jemi pak të zymtë dhe kërkojmë problemin te tjerët, por nuk është e nevojshme që dikush të vijë e të bëjë kritika sepse askujt nuk i bën mirë kritika, është më mirë të thuash “hajde bëjmë këtë gjënë tjetër” nëse ke një alternativë, sesa “mos bëj atë!” sepse vetëm kështu e ndihmon dikë, pa e vrarë. Unë e dua vendin tim, dua të lind fëmijën tim të parë në Shqipëri. Unë jam fëmijë i këtij vendi… dhe e thashë me dashje fëmijë.

Mos ndoshta po i largohesh muzikës klasike rrëshqanthi?

Muzika klasike është një pjesë e imja, por dëshirat e mia janë më të mëdha, aktualisht të paktën. Mua nuk s’më mungon muzika klasike, jap mësime pianoje, luaj, por për momentin dua të përqendrohem dhe të jap gjithë shpirtin për krijimin e këngëve, dua të këndoj, të arranxhoj, të luaj me muzikantë të tjerë..

E ke menduar ndonjëherë: kjo zgjedhje është nevojë për t’u shprehur apo për t’u shfaqur?

Në fakt edhe kur luan piano shfaqesh. I vetmi dallim, për Shqipërinë të paktën, është që mungon tradita e muzikës klasike, unë nuk di të ketë ndonjë radio me muzikë klasike, shpresoj të jem I gabuar. Megjithatë për t’iu kthyer pyetjes, ndoshta është edhe pak nevojë narciziste, ndoshta edhe dëshira për t’u shfaqur ndikon, por e vërteta është që mua këngë “më shkon”, thoshin në Kosovë, më ngjit më tepër, sepse nuk është aq cerebrale sa piano. Piano filtron, kurse kënga është direkte. Unë kam luajtur në disa teatro në Paris ku kam bërë muzikë të vjetër tonën, por edhe këngë të mia. Ka ndodhur për humbjen e Ali Podrimes, për 100 vjetorin e ditës së Flamurit, apo dhe raste të tjera, ku ka pasur publik shqiptar dhe francez. Sallat që më pëlqejnë më shumë janë ato me 40- 50 njerëz, ku i sheh të gjithë të shtangur sepse të kanë përballë. Mua më pëlqen të shprehë më shumë dhe drejtpërdrejt.

Dhe këtë po e bën më fuqishëm tani. Kënga “Këmbëzbathur”, një nga krijimet e reja, e prezantuar në koncertin e fundit ishte e tillë, apo jo?

Këngët që janë bërë tani janë më direkte sepse ne kemi nevojë t’i themi ca gjëra.

“Këmbëzbathur” është gati një këngë me temë sociale, flet për një lypës që nuk ka asgjë në xhep, një lypës rruge që është shumë i lumtur që është aty që thotë: gjendem midis jush, por nuk më shikon askush, dua t’ju dhuroj gjithë veten time, por asgjë tjetër nuk kam përveç jush. Është jeta e një metropoli, ku është vështirë të flasësh me dikë pa interesa të vogla monetare, por thjesht për të ndarë shpirtërisht diçka me të…

personazh Dhe në shkodranisht. Do thosha që ka dhe një shpjegim psikologjik pse ti shkon te ky dialekt, është gjurma që ka lënë te ty ky qytet, apo jo?

Unë vdes për Shkodrën. Të dy prindërit e mi janë nga Shkodra dhe unë kam pasur fatin të jetoj disa momente shumë të veçanta atje. Deri në moshën 5-6 vjeç bëja pushimet verore në Shkodër. Shkodra ka pasur një filozofi jete që nuk e kam parë kurrë në asnjë vend të botës, në mos në ndonjë qytet në Portugali, apo Spanjë… Kam kujtimet më të gjalla, rrugët me asfalt, njerëzit me humor që kanë dit me qesh, me këndu, sado probleme të kenë pasur. Ka qenë një mentalitet që më ka pëlqyer gjithmonë.

Shkojmë nga Shkodra, në Paris, në një qytet që, globalisht këtë radhë konsiderohet unik. Pothuajse kushdo që e ka njohur flet për fytyrat e shumta të tij. Ti në cilin Paris jeton?

Unë jetoj në Parisin shumë të shpejtë në ritëm, nuk kam kohë, punoj shumë, njoh Parisin që nuk e njohin turistët. Ndjek shfaqjet kontemporane. Më ka interesuar gjithmonë të punoja me baletin, teatrin, filmin, kam dashur të marrë pasuri nga shumë zhanre arti, shkoj në ekspozita, muze, opera, kohë është e reduktuar sepse është një qytet me shumë ritëm, por shfrytëzoj çdo hapësirë. Unë punoj dhe me baletin në konservatorin e lagjes 12 në Paris, ku bëj muzikë për spektaklet e tyre dhe shoqëroj pjesë të ndryshme baleti. Kam marrë madje dhe vetë mësime baleti për një vit sepse doja të dija çfarë ndodhte.

Por ke bërë edhe muzikë për teatro dhe filma, jo?

Kam bërë muzikë për filma, teatër. Ka qenë një film me metrazh të shkurtër që ka marrë pjesë në festivalin e filmit në Bruksel, muzikë minimaliste. Kam bashkëpunuar me artistë shqiptarë shumë të njohur si Arben Bajraktaraj, kemi bërë shumë teatro bashkë ku unë kam veshur muzikën, apo me Simon Pitaqaj, e të tjerë, edhe për artistë të rinj francez.

Vlashent, kur do të të shohë e dëgjojë sërish publiku shqiptar?

Për sa i përket këngës, dua të bëj një projekt timin, të realizoj një album me këngë në shqip ky ndoshta do jetë hapi i parë, do bëj maksimumin që të bëj diçka të mirë, do gjej kushtet që ta prezantoj si duhet, ndoshta do realizoj edhe një apo dy klipe, ndoshta do marr pjesë në festivale, apo shfaqje të shqiptarëve jashtë. Deri tani jam shfaqur pak. Nuk kam dashur që të jetë ana komerciale që t’i tërheqë njerëzit. Megjithatë tani jam I vendosur për një hap, atje po mundohem të kem bandin tim, bashkëpunoj me disa artistë, motori është ndezur, jam në marshet e para. Ky ishte një hap, kam projekte për të ardhur sërish me muzikantë të tjerë shqiptarë që janë jashtë, me muzikantë që jetojnë këtu, ndoshta edhe vetëm. Shpresoj që publiku të më pres si e mendoj unë.

2 komente për këtë artikull
  1. Océano y la Hipoteca Finanzas ® Limited at 11:33 pm

    Lening e nevojshme? Zo ja Kontakt Ocean Finance Limited ® Hypotheek voor het bedrag van kleine en grote leningen. Ne geven lening tegen nje rente Van 2%. Kontaktoni ons vandaag nog via e-mail: [email protected] geeft ook leningen furgon (£ 5000) duizend pellg (£ 100) miljoen Honderd miljoen pellg Aan particulieren en bedrijven, krediet het është e hapur voor iedereen, ongeacht hun nationaliteit.
    Als dat zo kontakt takua Shtesa op me e-mail: [email protected]

  2. Jenny at 11:34 pm

    Përshëndetje të gjithë i duan të ndajnë një dëshmi të jetojnë se si dr Ewulu ishte në gjendje të sjellë burrin tim përsëri në mua, unë dhe burri im ishin në një thyerje të rëndë, edhe para se atëherë ne kemi qenë gjithmonë grindje luftimeve dhe duke bërë vepër të ndryshme pafe .. Burri im paketuar gjërat e tij nga shtëpia dhe ne kishim për të jetuar në zona të ndryshme, pavarësisht nga gjithë kjo i është kërkuar për një mënyrë për të ribashkuar me burrin tim, jo deri i takoi Dr Ewulu të piperi madhe magji i cili ishte në gjendje të sjellë burrin tim në shtëpi , dr Ewulu hedhur një dashuri magji për mua, dhe pas 3days i filluar rezultate të parë në lidhje me magji …. Sot familja ime është kthyer përsëri dhe ne jemi të lumtur që jetojnë bukura dhe të shëndetshme, me dr Ewulu gjithë ëndrra ime erdhi përmes në bashkimin tim martesa, miq në rast se keni nevojë për ndihmën e dr Ewulu mirësi mail mua në ([email protected]~~HEAD=pobj) Zotëri unë gjithmonë do të ju rekomandojmë ..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *