Të vonuar për Radikën

Postuar më: 28 January 2014 10:31

Nëse analizohet pa emocione historia jonë kombëtare, do krijohet përshtypja se në ngjarjet e rëndësishme të lukova_radikandërrimit të etapave, kemi pasur një gjë të përbashkët – të vonuar. Kështu ndodhi me pavarësimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, po ashtu, me daljen tonë nga komunizmi. Së fundi kemi problemin e vonesës edhe me tranzicionin, ku figurat ish- komuniste drejtojnë vendin demokratik. Kjo lloj vonese është shfaqur edhe në problemet e tjera më të vogla se këto, por në rastin tonë do flasim për devijimin e lumit Radika.

Pavarësisht se projekti në fjalë është studiuar prej para disa vitesh dhe ndodhjes së tij prej vitit 2011 në faqen e Bankës Botërore, ku edhe disa herë oficialisht ka financuar projektin disa milionë euro; ne e shpallim si problem kombëtar Radikën në momentet ku thjesht është caktuar fati i saj. Për të sqaruar më mirë problemin në fjalë, është mirë t’i hidhet një kronologji situatës.

Zotësia e Elemit për të devijuar ujin

Siç thamë më parë, qeveria VMRO-BDI ka tentuar prej kohësh për devijimin e Radikës. Ajo për këtë ka nënshkruar edhe ligje ndërkombëtare dhe brenda Kushtetutës së saj, që punët t’i ketë më lehtë në rast të eskalimit.Republika e Maqedonisë nuk ka decentralizuar shumë pasuri natyrore, që nga ato të mos fitojnë shqiptarët. Një ndër to janë dhe burimet ujore. Por edhe nëse do duhej një leje komunale për Radikën, komuna ku më së shumti preket është palo-komuna me 4000 banorë e Mavrovës, që tradicionalisht kanë qenë pjesë e VMRO-së dhe nuk ka kundërshtuar qeverinë. Nëse do duhej një pajtim komunal mbi Radikën, de jure, më së shumti pyetet kjo komunë që i ka të gjitha ujërat e Korabit, se nëpër komunën e Dibrës ata veçse kalojnë. Po ashtu, firma qeveritare ELEM, ka nënshkruar një marrëveshje europiane, që deri në 2020 të ulë varësinë prej gazit për 20%, duke shtuar energjinë ujore për 20%. Sipas saj, është e detyruar që këto hidrocentrale t’i ndërtojë pikërisht në vendet ku ka më shumë ujë, dhe në këtë rast kurban është Radika. Më një fjalë, Maqedonia është pjesë e shteteve “të rrjetit 202020”.

Gjatë gjithë këtyre ligjeve, që direkt ose indirekt ndihmojnë në devijimin e Radikës, deputetët e kësaj krahine, përfaqësuesit e saj në qeveri, por as kryetarët e komunave, nuk kanë reaguar ose thënë ndryshe: janë të vonuar.

Thëniet kontradiktore

Ministrat tanë në qeveri, në një intervistë thonë se do merren 2m3 ujë, në tjetrën se do dëgjohen dibranët dhe më pas se do mbrohet ekosistemi dhe biodiversiteti. Ata e dinë se asnjë dibran nuk është pro këtij projekti, kanë nënshkruar mbi 100 shkencëtarë dhe ambientalistë me renome botërore kundër Fushës së Lukovës, dhe ata përsëri thonë të njëjtat fjali. Këtu duket qartë se qeveria vepron sipas metodës ‘hiq e mos u këput’, që me përfitimin e kohës të arrijnë objektivat e veta. Der Spiegel thotë se në qershor do vendoset nëse BB do financojë përfundimisht Fushën e Lukovës, ndërsa Valon Saraçini thotë se në qershor do ketë një projekt-ide, ku më pas të kërkojë pëlqimin e qeverisë shqiptare.

Në rastin në fjalë, edhe shoqëria civile në Dibër dhe më gjerë, nuk ka krijuar një qëllim të saj, nëse është kundër hidrocentralit apo thjesht kundër devijimit, dhe mos flasim që hidrocentrali i Urës së Boshkomovcit që gjithashtu është problem më vete, nuk përmendet fare. Shkak i kësaj gjendjeje, normal që është pushteti që arrin të bëjë edhe shoqërinë civile të vonuar.

Kush e ka fajin

Këtu është gjendja më e mjerueshme. Asnjëri nuk akuzon vetveten dhe secili hedh gurin te armiku me cingërima. Komuna e Dibrës, që është 80% e qeverisë, mundohet të hedhë fajin në Tiranë dhe te kryeministri i sapozgjedhur, Edi Rama. Shoqëria civile në Maqedoni kërkon llogari ndaj BDI-së po aq sa kërkon ndaj Edi Ramës.

Dihet se popullata duhet të kërkojë llogari tek ai që e voton, qoftë edhe në opozitë, por jo te ndonjë shtet tjetër. Normal që Shqipëria ka obligim moral që të mbrojë shqiptarët jashtë atdheut, por ne pse votojmë në Maqedoni?

Ne duhet të kërkojmë llogari te komuna e Dibrës dhe qeveria VMRO-BDI, që i kemi zgjedhur me votë të lirë, më pas të kërkojmë fajin tek ana tjetër e kufirit.

Përfundimi

Nga e gjithë kjo rezyme, mund të përfundojmë se projekti në fjalë do realizohet vetëm se në mënyrë “diplomatike”. Do dëshiroja me gjithë zemër që të isha gabim, por e gjithë zhurma që është ngritur në pluralizmin e politikës shqiptare, tradicionalisht ka qenë e kontrolluar nga vetë qeveria. BDI-ja vetë bën vula me gjuhën shqipe, dhe thotë se gjuha shqipe është zyrtare në komunën e Shkupit; vetë ndërtoi Car Dushanin dhe më pas del natën që ta rrënojë, dhe së fundi, vetë do ndërtojë me firmat e saj, Fushën e Lukovës, e më pas të thotë siç ndodhi me kishën në qendër: mos ishim ne, do e merrnin gjithë Radikën, ndërsa ne mbrojtëm një pjesë të saj.

Për të ngjallur një hije shprese në këtë mesele, do e përfundoja me thënien e magazine Der Spiegel – të rinjve të këtyre vendeve u ka mbetur vetëm një mundësi: të largohen dhe çlirohen nga fryma e “etërve” të tyre, në rast të kundërt, ata do vazhdojnë këtë rruge të pafundme zhgënjimi, ku personat që kanë qenë gjithmonë në pushtet do luajnë me ndjenjat e tyre rinore.

3 komente për këtë artikull
  1. Diellza at 2:22 am

    Se pari me pelqen menyra analitike e shqyrtimi te kesaj problematike. Por nuk te lejoj te besh rolin e gjykatesit dhe te percaktosh ate qe dibranet kerkojne fajin te qeveria e Shqiperise. Ke te drejte kur thua qe komuna e Dibres ka pergjegjesin me te madhe dhe partia ne pushtet. Por udheheqesve aktual ju servir kjo problematik e gatshme ne tryeze, ndersa sa i perket popullates reaguan qe nga momenti qe u informuan per devijimin e lumit Radika.
    Ujrat qe rjedhin dhe kalojne ne nje shtet, ai shtet ka sovranitetin e plot mbi ato ujra. Ne baze te kesaj qeveria e Maqedonise as nuk i pyet fare qytetaret e Dibres. Por qe eshte e sakt qe hidrocentrali do te ndertohet mbi nje park nacional dhe qe automatikisht devijimi i lumit Radika, cenon edhe mbushjen e lumit Drini i zi, dhe qe con ne mocalizimi e liqenit te Dibres, nga gjithe kjo drejtpersedrejti behet shkelje mbi te drejtat nderkombetare sa i perket ekoligjise, dhe ndikimit ne ujrat e nje teritori tjeter, sic edhte ne kete rast Shqiperia. Patjeter projekte te tilla kerkojne marreveshje bilaterale ose multilaterale varesisht interesat e sa shteteve prek.
    Shqiperia edhe me kushtetuten e saj e ka jo per moral por per detyrim kushtetues te na mbroj. Edhe e vetmja menyre per ta ndaluar kete projekt eshre pikerisht nderkombetarizimi i saj ashtu ne fakt sic edhe qendron si problematik.
    Ndersa mesazhi figurativ ta quajme per rinine dibrane qe po e jep ne kete shkrim, e ke goditur aty ku i dhem me se shumti. Per kete ske nevoj te jesh largpames per te kuptuar edhe strategjite shkatruese.

  2. Pingback: News – Lajmet – Вести « Save River Radika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *