Ballina Politika POLITIKE Reforma territoriale, opozita kërkon të drejtën e vetos

Reforma territoriale, opozita kërkon të drejtën e vetos

grupi pdTIRANË Në këtë fillim sesioni parlamentar, opozita pritet që të shkojë në Kuvend me një qëndrim të qartë sa i përket reformës administrativo-territoriale. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi dje në selinë e PD-së deputetët e partive aleate dhe grupin parlamentar demokrat për të diskutuar (jo vetëm parimisht) mbi çështjet që kanë lidhje me ekonominë, rendin por edhe reformën territoriale, për të cilën nesër pritet të ketë një tjetër mbledhje të konferencës së kryetarëve. Burime nga grupi parlamentar i PD-së thanë dje për gazetën “Mapo” se opozita doli me një qëndrim të unifikuar sa i përket  reformës territoriale. Ajo që opozita synon dhe për të cilën do të mëshohet fort edhe në takimin e nesërm në kryesinë e Kuvendit është pikërisht garancia që ajo kërkon të ketë në këtë reformë të rëndësishme. Demokratët nuk i heqin asnjë presje propozimit të zyrtarizuar tashmë që komisioni i posaçëm parlamentar të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një përfaqësues i mazhorancës dhe një i opozitës dhe faktit tjetër që ajo të ketë të njëjtën numër përfaqësimi, (8 me 8). Deri këtu në dukje duket se loja do të luhet në mënyrë të barabartë. Por ajo që opozita kërkon me këmbëngulje është pikërisht garancia e saj për kalimin e reformës me konsensus, duke kërkuar të drejtën e vetos. Që do të thotë se, në rast se komisioni nuk bie dakord për një çështje të caktuar, atëherë duhet të gjendet patjetër një rrugë kompromisi, pasi ndryshe, sipas përfaqësuesve të opozitës, ato pika që nuk do të votohen në komision, do të miratohen lehtësisht në  parlament vetëm me votat mazhorancës, duke bërë që përfshirja e opozitës në këtë proces të jetë krejtësisht formale dhe pa ndikim. Opozita ka gjithashtu rezervat e veta edhe për rrugën që do të ndiqet në këtë proces dhe rolin që do të ketë ministri i Shtetit, Bledi Çuçi. Deri më tash, grupi parlamentar demokrat dhe jo vetëm, ka në dore një draft të përgatitur nga qeveria që parashikon të gjithë metodologjinë, kriteret, strukturat dhe afatet brenda të cilave do të realizohet kjo reformë. Drafti i hartuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, iu është paraqitur  edhe grupeve të interesit. Ky projektligj përmban vetëm 12 nene dhe që në fillim përcakton se ajo që kërkohet të arrihet është një reformë territorialo-administrative me dy nivele, rrethi dhe qarku. Procesi i ndarjes administrativo-territoriale do të fillojë nga rrethet, si njësi bazë e qeverisjes vendore ku bashkia qendër rrethi do të jetë qendra e re e njësisë bazë të qeverisjes vendore. Por brenda kësaj njësie, pra brenda rrethit do të ketë dhe njësi të tjera vendore, që për ekzistencën apo krijimin e tyre ky draft përcakton disa kritere strikte, siç është popullsia, vazhdimësia territoriale, tradita dhe distance. Për të hartuar propozimet për çdo njësi që do të krijohet do të ngrihen 12 komitete rajonale në 12 qarqe, të cilat do të drejtohen nga prefekti dhe do të kenë përbërje të baraspeshuar politike. Megjithatë, i gjithë ky proces do të ndiqet fillim e mbarim nga ministri i Shtetit, Bledi Çuçi. Kjo sepse bazuar në propozimet e ardhura nga 12 komitetet rajonale ose prefektët dhe pasi shqyrton përputhshmërinë e propozimeve me kriteret dhe afatet e këtij ligji, ministri i Shtetit i paraqet për shqyrtim komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-territoriale propozimet për hartën e re administrativo-territoriale për nivelin e parë të qeverisjes vendore. Ministri i Shtetit gjithashtu, bazuar në konsultimet me të gjitha grupet e interesit dhe grupin e punës dhe pas konsultimit me komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-territoriale, harton propozimin për ndarjen e re administrativo-territoriale të nivelit të dytë të qeverisjes vendore.

N.Perndoj

SHPËRNDAJE

3 KOMENTET

  1. Kaq injorante i paska deputetet opozita. Apo kujton se eshte maxhoranza injorante. Te kerkosh te drejten e vetos, do te thote te behesh vete maxhorance. Do te thote te shpallesh veten fitues te zgjedhjeve te 23 qershorit.
    Po cfare veto kerkon PD, per reformen teritoriale. Pati te gjithe kohen e zotit per tete vjet qe ta bente. Aq me teper duke e ditur se PS kete pune e ka nisur qe me 2003. Edhe atehere PD ishte kunder.
    Po kur s’jeni te zote te beni vet nje gje te hajrit, te pakten mos pengoni te tjeret te punojne e te bejne reforma.
    Ne fakt e mira eshte qe PD te merte pjese ne komisione e diskutime per reformen teritoriale. Keshtu te pakten ndonje mendim i saj do te merej parasysh. Nese nuk mer pjese PS, do ta bej reformen si t’i doje qejfi dhe PD nuk ka nga t’ja mbaje pastaj. Do apo s’do, do te ndodhet perballe faktit te kryer. Ose le te rrije ne opozite, sa te jete gjalle.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here