2013, eksportet arrijnë në 2.4 miliardë USD

Postuar më: 29 Janar 2014 11:02

INSTATQë ku nisi kriza ekonomike në vitin 2008, përkundrejt të gjithë treguesve të tjerë, eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje domethënëse, duke u shndërruar në zërin kryesor të prurjeve valutore në vendin tonë. Në fund të vitit 2012, eksportet në vlerë monetare arritën në 246.3 miliardë lekë ose në plot 2.4 miliardë dollarë, nga vetëm 37 milionë dollarë që ishin në vitin 2001. Shifra u dha dje nga INSTAT-i në publikim të tregtisë me jashtë për muajin dhjetor. Vetëm gjatë këtij muaji, eksporti i mallrave arriti vlerën 21 mld lekë, duke u rritur me 19,5 % në krahasim me dhjetorin 2012. Rritje më të madhe ka patur në eksportet e grupeve: “Produkte kimike dhe plastike” me 37,8 %, “Prodhime druri dhe letre” me 34,3 % dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 23,2 %. Në këto 5 vite të krizës ekonomike botërore, ekonomia e Shqipërisë ka shënuar progres të dukshëm në tregtinë me jashtë duke rritur eksportet dhe duke ulur importet. Sipas të dhënave të djeshme të INSTAT-it, gjatë periudhës 2008-2012 vërehet një rritje e eksportit dhe ulje e importit të mallrave, duke përjashtuar vitin 2009, ku vërehet rënie si në eksport ashtu edhe në import. Në vitin 2012 vihet re një rritje prej 8.2 për qind në eksport dhe ulje prej 2.9 për qind në import. Në vitin 2012, përqindja e mbulimit është 40.3 për qind, nga 36.2 për qind që kishte qenë në vitin 2011. Kjo përqindje në vitin 2013 arrin nivelin 48.1 për qind. Produktet që dominojnë më tepër eksportin shqiptar gjatë kësaj periudhe janë rieksportet nga përpunimi aktiv i produkteve tekstile dhe këpucët, nafta dhe mineralet. Në vendin tonë ka shumë ndërmarrje me fason, gjë që shpjegon edhe sasinë e madhe të produkteve tekstile dhe të këpucëve që eksportohen. Harta gjeografike e partnerëve tregtarë ka ndryshuar në 2013. Partner i ynë kryesor tregtar Greqia zhvendoset disa pozicione më poshtë. Sipas INSTAT-it, Italia vazhdon të mbajë vendin e parë në shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me 37% të totalit, Greqia është zhvendosur nga vendi i dytë, duke ia lënë këtë pozicion Turqisë, që renditet partneri i dytë kryesor tregtar me 7,2% të totalit të tregtisë. Në vend të tretë renditet Kina me 6,5% të totalit të shkëmbimeve tregtare dhe Greqia pozicionohet në vendin e katërt me 6,2%. Kriza e tejzgjatur ekonomike në shtetin helen vlerësohet të jetë edhe arsyeja kryesore pse biznesi shqiptar ka zgjedhur vende të tjera për tregti. Turqia shihet si një alternativë e mirë në kushtet kur është një nga prodhuesit kryesorë dhe mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira. Kina është një tjetër mundësi që po shfrytëzohet në sektorin e tregtisë, duke pasur parasysh nivelin e lartë të prodhimit nga ky shtet, por edhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, konkretizuar pak ditë më parë edhe nga nënshkrimi i marrëveshjes së re të bashkëpunimit ekonomik.

Eksporti në vit

Vitet                Vlera

2000                37

2001                44

2002                47.4

2003                54.4

2004                62.1

2005                65.8

2006                77.4

2007                97.1

2008                112.5

2009                104.5

2010                161.5

2011                196.8

2012                213

2013                246.3

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *