Piktori shëtitës, portret në këmbim të një dhurate

Postuar më: 08 April 2013 10:52

Historia e Sergej Balovinit që udhëton në mbarë botën me këmbalecin e piktorit në krah dhe pa asnjë Sergej Balovin sergey (1)3 para në xhep

Për Sergej Balovin paratë janë të panevojshme. Historia e tij është përpjekja e një artisti për të lidhur veten dhe artin e tij me njerëz të ndryshëm në mbarë botën, është historia e mundësive dhe ëndrrave të realizuara ku paraja nuk ekziston. Nuk mban portofol dhe as para kesh, gjithçka i nevojitet për udhëtimin e radhës ai e siguron përmes artit të tij, pikturës. Në këmbim të një portreti ai nuk kërkon para, por mallra të ndryshme që i nevojiten për të vazhduar udhëtimin. Këto ditë ai ndodhej në Tiranë. E gjejmë në “Choco bar”, ulur në një nga qoshet e barit, ku ka ngritur këmbalecin dhe mbi letrat e bardha nis të punojë portretin e modelit që i ofrohet. Punon vetëm me bojën e zezë, ndërsa penelat rreth e rrotull janë të madhësive të ndryshme. Ai e ka zakon të bëjë dy kopje, ku njërin e mban për koleksionin e tij. Portreti i parë në “Choco bar” është për Ingrid Xhajan, mikpritësja e piktorit bohem në Tiranë. “Ishin dy miq të mi arkitektë, Mikel Struga dhe Anisa Mane që më folën për Sergejin. Ai është një artist shumë i veçantë, prandaj vendosëm t’i bënim një ftesë edhe në Tiranë. Sergej ndodhej në Greqi kur e ftuam që të vinte në Shqipëri. Ai pranoi të vinte në këmbim të një vendi për të fjetur dhe tri vakteve. Këto janë kërkesat që artisti ka në çdo vend që e ftojnë”, – thotë Ingridi. Pas saj janë dhe shumë vajza të tjera që presin radhën për një portret të nënshkruar në fund Balovin. Dhurata që Ingridi ka për Sergejin pasi zgjedh mes dy kopjeve se cilin portret të saj do të mbajë, është një shishe verë nga kantinat shqiptare. Gjatë procesit të punës Sergej përpiqet të njohë sa më mirë personin që i rri përballë. E pyet për gjithçka që ai mendon se e ndihmon të krijojë një profil të tjetrit. “Kam arritur t’i njoh e t’i kuptoj njerëzit edhe përmes sendeve që zgjedhin të më japin në këmbim të një portreti”, – thotë Sergej. Tirana në fakt nuk ishte në axhendën e tij. Madje dikush i tha të mos shkonte se ishte një vend i rrezikshëm. “Ndodhesha në Malin e Zi kur një grua nga Britania më tha: Je i çmendur që do të shkosh në Shqipëri…Unë kam qenë atje për biznes, është një vend mysliman dhe shumë i rrezikshëm për të huajt. Plani ishte që të shkoja në Romë, por rrugës mendova se udhëtimi në Romë mund të jetë i mërzitshëm, kështu që do të ishte shumë më argëtuese sikur të shkoja në Shqipëri”. E në kërkim të argëtimit Sergej mori rrugën për në Tiranë. Ka mijëra portrete, shumë prej të cilave varen në muret e studios së vet. Shtëpia e tij është mobiluar me 1293 dhurata, të gjitha të ofruara në këmbim të një portreti. Po kështu në gardërobën e tij ka gjithçka që i nevojitet. Ka udhëtuar në qytete të ndryshme të botës pa qenë e nevojshme të shpenzojë para. Me një biçikletë, edhe kjo dhuratë, ai erdhi në kryeqytetin tonë.

Si filloi

Sergej rrëfen se ideja e këtij projekti i lindi tre vjet më parë, kur fqinja e tij ruse kishte vendosur të largohej nga qyteti. “Ajo kishte në shtëpi një këmbalec piktori, të cilin nuk mund ta merrte me vete sepse ishte i madh. Unë kisha nevojë për një të tillë, kështu që i sugjerova asaj të ma shiste. Por ajo më tha: ‘E kam dhuratë nga një mik i ngushtë dhe nuk më pëlqen ideja për ta shitur’. Ok, i thashë, mund të ma bësh dhuratë dhe në këmbim, unë do të të bëj një portret. Pikërisht në këtë moment mendova se unë mund të jetoja duke bërë portrete njerëzish dhe ata mund të më japin në këmbim gjëra të dobishme për mua”. Këtë ide e hodhi online, kur në vitin 2010 u zhvendos në Shangai dhe mori me qira një apartament bosh. Për të kursyer paratë vendosi sërish të nxirrte një njoftim, ku ofrohej të bënte portrete në shkëmbim të çdolloj mobilieje apo sendesh të dobishme për arredimin e banesës së tij. Për dy muaj ai kishte siguruar gjithçka që i nevojitej për shtëpinë e tij, si mobilie, pajisje elektroshtëpiake deri dhe qirinj aromatikë. “Kjo është sa e vështirë aq edhe origjinale, pasi shkëmbimi mall me mall ka ndodhur shumë përpara se të shpikej paraja”, – thotë Balovin. Kështu, ky eksperiment paksa komik u shndërrua në një projekt të madh për Sergej Balovinin. Një vit më vonë Balovin mori vendimin që të hiqte dorë shtëpia në Shangai dhe të niste një udhëtim nëpër botë, duke realizuar portrete të njerëzve të ndryshëm e në këmbim të merrte çdo gjë që ai kishte nevojë. Kur ndonjëri i ofron para, ai i refuzon. “Çdo njeri mund të jetojë pa qenë i varur nga paratë. Unë ia kam arritur”, – tregon Sergej. Kështu ai ka udhëtuar në shumë qytete ku më së shumti shkon si i ftuar. “Kam qenë në Ukrainë, Moldavi, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri. Gjëja më e rëndësishme është lidhja mes asaj çfarë dua dhe çfarë në të vërtetë pëlqej. Mua më pëlqen të takoj e të njoh njerëz të rinj. Më pëlqen të pikturoj portretet e tyre. Më pëlqen ideja që nuk na nevojiten paratë dhe këtë mund ta them dhe për veten time ‘nuk më plas për paratë’. Ky projekt është si një dhuratë për mua. Më ka ndryshuar jetën. Tani nuk e kam më atë frikën që kanë shumica e njerëzve, se si do t’ia dal pa para, sepse kam kuptuar se unë mund të mbijetoj vetëm përmes artit tim”. Sergej merr shumë ftesa në email-in e tij nga njerëz të ndryshëm në qytete të ndryshme të botës. Projekti që filloi si një mënyrë për të mbijetuar është kthyer në një mision për Sergejin për të njohur botën, si një vend ku s’ka rëndësi se ku shkon sepse atje është gjithmonë dikush që është duke ju pritur me një buzëqeshje miqësore dhe me derën e hapur për ju. “Kjo është ajo që dua unë. Dua të shoh e ta njoh botën në këtë mënyrë”. Ky është një udhëtim që ai do të donte të mos mbaronte kurrë.

Objekti më i çuditshëm në shtëpinë e tij

Në muret e shtëpisë ka varur mijëra portrete njerëzish. Të gjithë janë miqtë e tij. Pas secilit qëndron një histori. Në çdo qytet ku ka shkuar e kanë mirëpritur, edhe pse shumë nuk e kanë kuptuar zgjedhjen që ai ka bërë në jetë. Ka marrë dhurata nga më të ndryshmet “edhe të çuditshme madje”, – shton Sergej. Kur e pyet se cila ka qenë dhurata më e çuditshme që ka marrë thotë, një daulle. “Ma dhuruan në Kinë. E kam në shtëpi daullen. Është shumë e bukur”.

 

Jo vetëm mbijeton, por dhuron edhe për bamirësi

Shumë prej dhuratave që ai merr shkojnë për bamirësi. “Ashtu siç unë kam nevojë për këto mallra për të mbijetuar, ka edhe shumë fëmijë dhe të sëmurë që kanë nevoja të ndryshme”. Prandaj, shumë prej objekteve që ai merr në këmbim të një portreti shkojnë për bamirësi.

 

1132 portrete mban në muret e shtëpisë

1293 me kaq dhurata ka mobiluar shtëpinë dhe ka plotësuar nevojat e garderobës

 

2 komente për këtë artikull
  1. Aurora Xhaferi at 12:50 pm

    Nuk eshte aspak e vertet qe mikepritja e tij ishte organizuar nga Ingrid Xhaja. Personi qe vendosi kontaktet me artistin rus Sergey Balovin dhe i beri ftesen per ardhjen dhe qendrimin e tij ne Tirane ishte Mikel Struga. Kjo pasi ai lexoi rastesisht nje artikull te nxjerr ne Yahoo dhe aplikoi ne faqen e Sergey http://www.balovin.ru. Vizita e tij te Coko bar ishte thjesht nje nga shume destinacionet ( me sakte i fundit ) pas intervistes qe Sergey kish dhene me pare te Club Fm dhe eventit te organizuar po prap nga Mikel Struga te Meduza Iresh Pub ne Tirane,si dhe guides 4 ditore neper qytetin e Tiranes.

    Me vjen keq qe per pak reklame kultura dhe morali e disa njerezve prek dyshemene…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *