“Arkitekti” një roman i guximshëm, i shkruar në diktaturë

21 Dhjetor 2014 22:07

Libri i shkrimtarit dhe publicistit Fahri Balliu botohet në frëngjisht nga “Favre”arkitekti

 

Një roman i frymëzuar nga fati tragjik i arkitektit me origjinë shqiptare, Mehmet Isai. Legjenda na thotë se shahu mizor e verboi në mënyrë që artisti të mos ishte më në gjendje të riprodhonte dot një kryevepër të atyre përmasave dhe asaj hijeshie. “Arkitekti”, një nga novelat më të bukura të letërsisë shqipe pas viteve ‘80, shkruar nga shkrimtari Fahri Balliu, tashmë mund të lexohet dhe në frëngjisht. Shtëpia Botuese franko-zvicerane “Favre” e ka nxjerrë në treg këtë libër nën titullin “Mehmet Isa, arkitekti i Taxh Mahallit”. Në fakt titulli i zgjedhur nga “Favre” të çon menjëherë në zemër të subjektit të kësaj vepre, të guximshme për kohën në të cilën është shkruar 1979-1983. Ky është libri i tretë i shkrimtarit Balliu për lexuesin frankofon, pas botimit po nga ky ent botues të monografisë bestseller ,“Zonja e zezë” dhe romanit “Panteoni i zi”.

Si ishte rrugëtimi i “Arkitekti” para viteve ’90 nga shkrimi deri tek botimi?

Për herë të parë është botuar në vitin 1986, edhe pse Ismail Kadare më këshilloi asokohe që të mos e dërgoja për botim sepse ishte me rrezik. Megjithatë, unë e dërgova bashkë me disa novela të tjera me tematikë nga fshati. Këtë novelë e kisha përfshirë diku në mes. Por sigurisht që nga të gjitha novelat e vetmja që u diskutua ishte “Arkitekti”. Shkrimtarët u ndanë në dy pjesë, ku gjysma thoshte të botohej, ndërsa gjysma tjetër, jo. U bë në fund dhe një recensë shtesë nga Teodor Laço, i cili e miratoi botimin, kështu që me një recensë pro u bë i mundur botimi i kësaj novele. Duke qenë se pas vdekjes së diktatorit kishte një lirim të menteshave të diktaturës, kjo novelë u botua, por kurrë nuk u përmend më. Pra u la në harresë. Ndërkohë “Arkitekti” është dhe novela e parë që një shkrimtar shqiptar hyn në botën islame. Kur unë kam shkruar këtë novelë, kjo tematikë nuk ishte cekur nga asnjë shkrimtar deri në atë moment. Dy janë linjat që e përshkojnë gjithë librin; artisti në diktaturë dhe artisti e vendlindja. Pavarësisht se artisti ishte një arkitekt dhe diktatori ishte një diktator islam, diktaturat kanë të njëjtën fytyrë ndaj artit. Dhe fati i tij është fati më tipik i një artisti në botën e diktaturës. Novela nga viti 1979 deri më 1983 është shkruar e rishkruar mbi dhjetë herë në dorëshkrim. Sinjalin për subjektin e mora nga një revistë amerikane që e gjeta në bibliotekën e Elbasanit. Aty lexova se arkitekti i mauzoleut të Taxh Mahallit ishte një shqiptar dhe kjo më kuriozoi që të lexoja rreth tij dhe çfarë ishte Taxh Mahalli. Lexova shumë për Indinë dhe qytetërimin indian. Kam lexuar minimalisht rreth 1000 faqe të daktilografuara për të zbuluar botën indiane.

Në ç’gjuhë të huaj është përkthyer për herë të parë?

Për herë të parë libri është përkthyer në rumanisht, ndërsa gjuha e dytë është frëngjishtja, që është botuar para pak kohësh nga “Favre”.

Çfarë gjen lexuesi i huaj në këtë libër?

E para janë marrëdhëniet e artistit me diktatorin, e dyta është diktatura islamike që është mjaft aktuale edhe tani. Kemi Iranin, modelin e një diktature islamike, Al Kaedan dhe gjithë katrahurën e saj anti-perëndimore. Ana tjetër shumë interesante është se arkitekti, ndërtuesi i mauzoleut të Taxh Mahallit, një prej mrekullive të krejt qytetërimit botëror, Mehmet Isai, ishte me origjinë të pastër shqiptare dhe ky libër vjen si një vlerësim për kontributin e tij dhe shumë të tjerë si arkitekt Sinani, ndërtuesi i Xhamisë Blu etj.

Si e keni ndërthurur historinë me fiction-in?

Unë jam frymëzuar nga historia e Mehmet Isait dhe fati i tij tragjik. Legjenda na thotë se shahu mizor e verboi në mënyrë që artisti të mos ishte më në gjendje të riprodhonte dot një kryevepër të atyre përmasave dhe asaj hijeshie. Libri është një fiction, por sigurisht i bazuar në një subjekt historik. Subjektet e historisë janë shumë tërheqëse për letërsinë. Padyshim që kjo është një prirje dhe një nga mundësitë më të mëdha letrare. Personalisht bëj pjesë tek ata shkrimtarë që e shfrytëzojnë historinë për mesazhe aktuale.

 

1 koment për këtë artikull
  1. Agroni at 8:56 pm

    Nuk e kuptoj dot se përse një gazetari të organit të Komitetit Qendror të PPSH-së, “Zëri i Popullit”, i duhej shumë guxim që të shkruante për një ngjarje të një vendi të largët dhe të një kohe të largët. Sipas kësaj logjike, në Shqipërinë diktatoriale ka pasur shumë “guximtarë” të tillë, që kanë shkruar për ngjarje të lashtësisë ose që kanë përkthyer kryevepra botërore, ku bëhet aluzion për diktaturën dhe diktatorët. Ju lutemi, mos na i nxirrni të gjithë disidentë dhe heronj mbas betejave. Dhe përse tani, pas 22-vjetëve në “demokraci”, bëhet e njohur kjo vepër dhe ky qëndrim “heroik” i z.Balliu? Edhe diçka tjetër duhet sqaruar për lexuesit dhe për shqiptarët në përgjithësi: Gruan e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxhën,shkrimtari Fahri Balliu e quan “Zonja e zezë” dhe e ka përkthyer në disa gjuhë të botës. Ndërsa gazetari Blendi Fevziu, në librin “Enver Hoxha”, na e paraqet “të bardhë”. Kush gënjen dhe kush thotë të vërtetën nga këta të dy?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>