Faktorë talentesh

19 Dhjetor 2014 04:32

A ia kanë dalë të spikaten?Deri ku ka shkuar rrugëtimi i tyre i ëndrrave? A kanë potencial dhe shanse reale për një karrierë muzikore? A janë ata x-factor emrat e rinj që do pushtojnë tregun muzikor shqiptar? 

Po korrin sukses të jashtëzakonshëm në të gjithë botën. Kanë tërhequr miliona shikues dhe i kanë dhënë muzikës talente të reja që kanë rrëmbyer tregun muzikor. Po në Shqipëri cilët janë talentet e dy formateve më të mëdha muzikore, X-Factor dhe The Voice? Si po ecën rruga e tyre drejt suksesit?

 

Ajo që i shtyn me mijëra e mijëra të rinj të grumbullohen në sheshe qytetesh, të futen në radhë të mëdha e të presin me orë e orë të tëra për të kënduar përpara një jurie profesionistësh, është ideja se ata mund të jenë Adele e radhës. Këngëtarja britanike që ka çmendur klasifikimet botërore, ka rrëmbyer zemrat e miliona fansave dhe disa çmime prestigjioze muzikore duke mahnitur me vokalin e saj. Gjithçka nisi nga një audion në “X-Factor UK” … Ajo ishte një vajzë krejt e panjohur, zëri i së cilës priste vetëm mundësinë e duhur për t’u zbuluar … një mundësi që ofrohet për miliona të rinj në të gjithë botën nga spektakle muzikore me brand ndërkombëtar si “X-Factor” apo “The Voice” .

Një trend që nuk i mungonte Shqipërisë – ku nuk kanë munguar konkurset televizive muzikore, por këto produksione gjigante i dhanë përfshirjen dhe prestigjin ndërkombëtar.

Po talentet shqiptare? Ata mijëra që kemi parë në audicione dhe ata pak që ia kanë dalë deri në finale? A ia kanë dalë të spikaten? Deri ku ka shkuar rrugëtimi i tyre i ëndrrave? A kanë potencial dhe shanse reale për një karrierë muzikore? A janë ata emrat e rinj që do pushtojnë tregun muzikor shqiptar?

 

Sheila Haxhiraj është një nga ata mijëra të rinj që ka mbajtur radhë të gjata me orë e orë të tëra në audicionet e “X-Factor Albania” vetëm për t’u ngjitur një herë në skenë…

U ngjit, fitoi dhe sapo ka realizuar këngën e saj të parë me mbështetjen e producentëve të mirënjohur në tregun muzikor ndërkombëtar si “Berman Brothers”.

Tamam si një ëndërr që bëhej realitet, si të ishte një nga këngëtaret me famë, jetën e së cilave e ka parë në filma apo emisione televizive, ajo hyri për herë të parë në një studio regjistrimi, producentët e shpien materialin muzikor në Nju Jork, ku mori edhe formën e fundme nga profesionistët e huaj . “Ishte një fat i madh të bashkëpunoja me producentë të mëdhenj si ‘Berman Brothers’, një mundësi që nuk i jepet dot kujtdo dhe kjo m’u realizua falë një formati gjigant si ‘X-Factor ”, tregon Sheila, ndërsa rrëfen se është ende e përkëdhelura e Berman Brothers për të realizuar një tjetër bashkëpunim me ta. Duket se e ka marrë vrullshëm me shumë plane dhe projekte muzikore.

Ndërsa edicioni i dytë i “X-Factor Albania” është drejt fundit, një tjetër konkurrente Xhina, mbrëmjen që u eliminua mori lajmin se një producent muzikor në Suedi kishte kërkuar të bashkëpunonte me të.

Alketa Vejsiu, prezantuesja e “X Factor” është shprehur se ky format synon të bëjë fitues më të mirin. “Ne, në X Factor do të vazhdojmë të japim më të mirën, do të vazhdojmë t’u përkushtohemi ne maksimum të gjithë konkurrenteve dhe do të vazhdojmë të zbulojmë talente, si këta që shijoni çdo të diel në skenë”, është shprehur Vejsiu, ku edhe dy javë e ndajnë nga shpallja e fituesit për këtë edicion të dytë.

 

Nga ana tjetër, një spektakël që ka dhuruar magji në larminë dhe veçantinë e vokaleve, përtej garës muzikore është edhe “The Voice Albania”. Një tjetër brand ndërkombëtar, të cilën televizioni “TOP Channel” e ka sjellë edhe në Shqipëri, po aq glamuroz sa sivëllezërit e tij ndërkombëtarë. Diskret dhe i mbështetur fort-ashtu siç e lajmëron edhe emërtimi – tek zëri.

Zëra nga ata që të tundin fort emocionet dhe të lënë gojëhapur ka pasur. Venera me zhdërvjelltësinë e saj, Matej me stilin prej hardrock-u, zëri i të cilit të ngatërrohej lehtë me ata të këngëtarëve të mëdhenj botërorë, Lindi me vokalin e ëmbël…

Edhe producenti i “The Voice”, Rezart Aga thotë se kjo garë ka si synim të përcjellë mesazhin e mirë se për t’u bërë këngëtar, nuk bëhesh vetëm me talent, por duhet shumë punë.

“Shpesh flitet për degradimin e muzikës shqiptare dhe thuhet se kjo është ajo që do publiku. Unë nuk mendoj kështu. Pse atëherë publiku dërgoi mijëra e mijëra mesazhe për të votuar konkurrentët e “The Voice”? Publiku merr nga ajo që i jepet. Jepi dhe një ofertë tjetër dhe ai do të zgjedhë. Dhe ky program ishte për të sjellë këtë ofertë, këngë të mira, zëra të mirë, që bëjnë diferencën”, është shprehur ai.

Konkurrentëve të të dy edicioneve të “The Voice” pas punës intensive çdo javë dhe ethesh konkurrimi të gjatë, duket se ka nisur t’u ndrijë ylli i mirë…

Marsela Çibukaj, një prej vajzave që mbërriti deri në finalen e edicionit të parë të “The Voice Albania”, është përzgjedhur në 60 konkurrentët më të mirë të fazës së parë të “The Voice Italia”, ndërsa Venera Lumani, fituesja e këtij edicioni bashkë me Kelerin, një tjetër finalist, janë prezantuesit e edicionit të sivjetmë të “Top Fest”, ku mes këngëtarësh pjesëmarrës u ka rënë shpesh të prezantojnë edhe kolegët e tyre nga gara e “The Voice” .

 

Aspiratat e konkurrentëve apo edhe të vetë autorëve mund të jenë shumë të mëdha dhe brande-t ndërkombëtare duken shumë premtues, shanset për ta cikur qoftë edhe për një herë mundësinë e tregut ndërkombëtar mbeten ende shumë larg. Megjithatë, produksioni duket se i ka mbështetur edhe në hapa të tjerë apo edhe i katapultuar në kompeticione të tjera muzikore.

Konkurrentët e “The Voice” e kanë pasur thuajse të gjithë një vend të sigurt në Festivalin e këngës “Tpo Fest”. Marsela, Lindi, Ajseli, Dino me grupin “Burn” , Mjellma, Jehona e të tjerë nuk kanë vonuar për të realizuar këngët e tyre, duke pasur një shans kështu jo vetëm që kënga e tyre me anë të mjeteve të komunikimit të kthehet në hit, por edhe të fitojnë çmimin e madh të “Top Fest”.

Valbona Zhuleku, një tjetër finaliste, ka realizuar videoklipin e saj të parë. Duket që kanë pushtuar menjëherë skenën muzikore dhe atë publike, ndërsa Lind Islami këndon live në puntatat e “Top Show”-t.

“The Voice fitoi zemrën time dhe do të mbetet gjithmonë një eksperience e paharrueshme në jetën time. Një staf i jashtëzakonshëm me njerëz vizionarë dhe të kulturuar. Një frymë ndërkombëtare e përcjellë nga çdo individ. Arritëm me forcat e bashkuara të ngremë një program madhështor, i cili pushtoi zemrat e shqiptarëve anembanë. Kjo, falë një miksi perfekt midis artit, kulturës, spektaklit dhe nivelit të jashtëzakonshëm të këngëtarëve”,- shprehet këngëtarja Miriam Cani, anëtare e jurisë së “The Voice Albania” në dy edicionet e tij.

 

Edhe konkurrentët e “X-Factor Albania” duket se ndoqën të njëjtat shtigje. Festivali i “Kënga Magjike” ishte skena që i mirëpriti për herë të parë si profesionistë. Xhesika u duartrokit nga publiku dhe u mirëprit nga juria në duetin e saj me Mateus Frrokun. Veç kësaj, grupe si Classic Boys apo Grupi X kënduan krahas emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare në “Këngët e Shekullit”, një tjetër produksion ky i televizionit “Klan”, realizuar nga vëllezërit Laço dhe Adrian Hila. Kanë qenë vetëm disa prej konkurrentëve dhe duket se teksa prononcohet, Adrian Hila nuk dëshiron t’i veçojë talentet që prodhon “X-Factor Albania”, duke i quajtur të gjithë të talentuar. Duket se suport nuk kanë marrë vetëm nga Pandi Laço, i cili u ka hapur shtigje të reja konkurrentëve të grupit të tij, por edhe Tuna, Soni dhe Albani bëjnë lobim të fortë me çdo mjet për të mbështetur talentet e rinj.

Një tjetër rrugëtim drejt skenave muzikore duket se do të nisë së shpejti për finalistët dhe triumfuesin e “X Factor Albania 2”. Një prej finalisteve të gjysmë finales, Antoneta shprehet në rrjetet sociale se kjo ka qenë padyshim eksperienca më e bukur e jetës së saj, ku arriti të ngjitej në pesëshen më të mirë mes mijëra e mijëra konkurrentëve që mbanin radhë për të kënduar përpara jurisë. Mijëra të tjerë do të vendosen në radhë sërish pasi sapo kanë nisur audicionet e “The Voice Albania 3”, me ëndrrën të bëhen Marselë, Rinë, Lind, Matej apo Venerë e ardhshme e pse jo, ku i dihet nëse do të kenë nga talent drithërues, pse jo edhe një Adele që ka pushtuar skenat muzikore në të gjithë botën…

 

 

Rezart Aga, Producenti i The Voice Albania  

 “Shpesh flitet për degradimin e muzikës shqiptare dhe thuhet se kjo është ajo që do publiku. Unë nuk mendoj kështu. Pse atëherë publiku dërgoi mijëra e mijëra mesazhe për të votuar konkurrentët e “The Voice”? Publiku merr nga ajo që i jepet. Jepi dhe një ofertë tjetër dhe ai do të zgjedhë. Dhe ky program ishte për të sjellë këtë ofertë, këngë të mira, zëra të mirë, që bëjnë diferencën”

 

 

Alketa Vejsiu, prezantuesja e” X Factor Albania”

“Ne, në X Factor do të vazhdojmë të japim më të mirën, do të vazhdojmë t’u përkushtohemi ne maksimum të gjithë konkurrenteve dhe do të vazhdojmë të zbulojmë talente, si këta që shijoni çdo të diel në skenë”, është shprehur Vejsiu, ku edhe dy javë e ndajnë nga shpallja e fituesit për këtë edicion të dytë.

 

Miriam Cani

Arritëm me forcat e bashkuara të ngremë një program madhështor, i cili pushtoi zemrat e shqiptarëve anembanë. Kjo, falë një miksi perfekt midis artit, kulturës, spektaklit dhe nivelit të jashtëzakonshëm të këngëtarëve”

 

Konkurrentët e “The Voice” e kanë pasur thuajse të gjithë një vend të sigurt në Festivalin e këngës “Top Fest”. Marsela, Lindi, Ajseli, Dino me grupin “Burn” , Mjellma, Jehona e të tjerë nuk kanë vonuar për të realizuar këngët e tyre, duke pasur një shans kështu jo vetëm që kënga e tyre me anë të mjeteve të komunikimit të kthehet në hit, por edhe të fitojnë çmimin e madh të “Top Fest”.

 

Edhe konkurrentët e “X-Factor Albania” duket se ndoqën të njëjtat shtigje. Festivali i “Kënga Magjike” ishte skena që i mirëpriti për herë të parë si profesionistë. Xhesika u duartrokit nga publiku dhe u mirëprit nga juria në duetin e saj me Mateus Frrokun. Veç kësaj, grupe si Classic Boys apo Grupi X kënduan krahas emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare në “Këngët e Shekullit”, një tjetër produksion ky i televizionit “Klan”, realizuar nga vëllezërit Laço dhe Adrian Hila.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>