Dastid Miluka: Femra ekuilibër mes mistikes dhe botës që njohim

Postuar më: 17 February 2013 15:34

Dastid Miluka është një piktor i njohur më së shumti jashtë Shqipërisë, e më pak në vendin e tij. Kjo, sepse prej kohësh ai jeton larg dhedownload (3) ekspozitat dhe eventet ku ka marrë pjesë janë më të shpeshta në Europë. Një zgjedhje dhe një zgjidhje për artin e tij, i cili ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ai vjen në këtë rrëfim interesant duke treguar më shumë për veten dhe punën e tij, pikturat që kanë bërë xhiron e botës, brendinë e një artisti dhe lidhjet me Tiranën. Jeta në tablotë e tij është e larmishme, misterioze, e gjallë dhe e prekshme, një univers i vetë ekzistencës. Arti si shprehja më e lartë e shpirtit, femra, erosi, bota bardh e zi, gjithë shpirti pas një tabloje. Kështu vjen në këtë intervistë Dastid Miluka, duke na lënë ta njohim më shumë atë dhe artin e tij.Ku ka lindur Dastid Miluka? Fillimisht më lejoni t’ju falenderoj për intervistën dhe t’ju komplimentoj për punën tuaj. Për t’u rikthyer te pyetja juaj, unë jam lindur në Tiranë më 15 shtator të vitit 1974.

Ku i keni kryer studimet dhe për çfarë, për ata që nuk ju njohin?

Shkollën e mesme e kam kryer në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1993 dhe më pas jam diplomuar në vitin 2000, në Akademinë e Arteve të Bukura, sot Universiteti i Lartë i Arteve, në specialitetin e Skenografisë dhe Kostumografisë.

Në çfarë moshe keni filluar të merreni me pikturë?

Me pikturë kam filluar të merrem që në moshë të vogël. Rreth 6 vjeç, por momenti që përcakton angazhimin tim real në këtë drejtim artistik ishte pikërisht në moshën 13-vjeçare kur vendosa të përgatitem për të marrë pjesë në konkursin e pranimit në Liceun artistik. Ky ka qenë fillimi i periudhës së njohjes me pikturën dhe piktorët, kryesisht shqiptarë. I referohem këtu fundit të viteve ‘80, pa dashur të hyj në detaje, pasi tashmë dihen rrethanat dhe kushtet e asaj kohe, kur sistemi në fuqi nuk lejonte të hynte në Shqipëri literatura perëndimore dhe ajo për artin botëror e bashkëkohor. Materialet ishin të pakta, për të mos thënë inekzistente. Gjetja e këtyre materialeve, ku flitej sadopak për historinë apo ecurinë e këtij arti, ishte pothuaj e pamundur. Kam pasur fatin e mirë që në këtë periudhë kam filluar të marr mësimet e para të pikturës në atelienë e piktorit të shquar shqiptar z. Gazmend Leka. Pikërisht në këtë atelie kam filluar të marr bazat e para të pikturës dhe vizatimit dhe ka qenë pikërisht ky kontakti im i parë me literaturën artistike botërore, por gjithashtu dhe me njohjen e shkëndijave të para të artit pamor modern shqiptar që po lindte, apo më mirë të them që po rilindte.

Ku janë publikuar punët tuaja të para?

Në periudhën që po flisja më sipër, pra rreth fundit të viteve ‘80. Kam ndjekur gjithashtu kurset e pikturës në një nga shtëpitë e pionierit (siç quheshin në atë kohë), nën drejtimin e profesor Bashkim Dervishit. Për herë të parë kam shfaqur punimet e mia në një ekspozitë kolektive të zhvilluar në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Jam paraqitur këtu me disa punime, kryesisht të gjinisë së peizazhit. Gjithashtu kam marrë pjesë në një nga ekspozitat e pakta internacionale, për shkak të mundësive tëasaj kohe, në Tokio të Japonisë, ku dhe jam nderuar me çmim.

Sa kohë keni që nuk jetoni në Shqipëri, na tregoni diçka më tepër mbi jetën tuaj?

Kam filluar të dal jashtë Shqipërisë që pas hapjes së kufijve, në vitin 1990. Sapo kisha mbaruar vitin e dytë të liceut kur jam larguar drejt Greqisë për të jetuar atje vetëm 1 vit. U ktheva sërish në Tiranë dhe pasi përfundova 2 vitet e fundit të shkollës jam larguar sërish drejt Greqisë, për të qëndruar atje dhe 2 vite të tjera, kohë të cilën e shfrytëzova për të vazhduar studimet artistike në specialitetin e artit skenik në profilin e skenografisë. Mbaj mend që ato kanë qenë vite udhëtimesh të shpeshta në itinerarin Tiranë – Selanik dhe anasjelltas. Arsyeja kryesore që më bënte të kthehesha gjithmonë në Tiranë ishte malli. Ndjeja gjithmonë një emocion të veçante sa herë që rruga më sillte në hyrje të qytetit tim të lindjes. Jam kthyer në Tiranë përsëri në vitin 1996 dhe po në atë vit konkurrova dhe fitova të drejtën për të vazhduar studimet 4-vjeçare në “Akademinë e Arteve të Bukura”. Vitet e akademisë për mua kanë qenë vite eksperimentimi dhe njohjeje në drejtimin profesional. Duke qenë se specialiteti për të cilin kam studiuar ka qenë skenografia dhe kostumografia, kjo bëri që të hulum-toja dhe të njihesha me artin skenik, teatrin dhe dramaturgjinë shqiptare dhe botërore. Për mua ky ishte një horizont i ri i pafund, i cili vazhdon të më inspirojë dhe sot e kësaj dite. Gjithashtu, eksperimentimin nga ana teknike në pikturë dhe vizatim e quaj po aq të rëndësishëm për kërkimin dhe gjetjen e mjeteve shprehëse. Ky binom, pra eksperimentimi në teknikë dhe njohja me dramaturgjinë dhe teatrin, mendoj që ka vendosur baza të rëndësishme në formimin tim profesional në ato vite. Pas diplomimit në “Akademinë e Arteve” jam larguar nga Shqipëria dhe që prej vitit 2003 jetoj në Bruksel, Belgjikë ku dhe vazhdoj karrierën time artistike.

Në çfarë rryme do t’i klasifikonit pikturat tuaja?

Këtë ndoshta më mirë mund ta përcaktojnë kritikët e artit. Për mua nuk është i rëndësishëm klasifikimi në rryma të caktuara. Rëndësi më tepër i kushtoj gjetjes së një gjuhe komunikuese që noton ndërmjet reales dhe ëndrrës. Në krijimet e mia do të gjesh figura të të përditshmes apo personazhe teatrale që bashkëjetojnë në harmoni dhe gjithashtu elemente simbolike apo detaje që të nxisin për të kuptuar apo krijuar një histori. Në fakt unë nuk mundohem që t’i gjej patjetër një etiketë rrymës apo stilit të krijimtarisë time, pasi nuk më intereson shumë ky fakt. Preferoj në këtë mënyrë t’i lë sa më tepër hapësirë krijimtarisë. Teknikisht kam lëvruar para disa vitesh rrymën e ekspresionizmit abstrakt dhe nga kjo kam përftuar pasurimin e teknikës apo gjestit piktural. Më pëlqen gjithashtu ekspresionizmi, për shkak të lëvizjes dhe penelatave të shkathëta që përdoren aty, për të dhënë ndjenja momentale përpara se këto të largohen. Më intrigon surealizmi, për vetë arsyen ëndërrimtare që kjo rrymë mbart. Gjithashtu, pop arti është një rrymë tjetër që e pëlqej. Nëse do flisja për stilin tim, ai përbëhet pikërisht nga një miksim i këtyre rrymave, kush më shume a kush më pak, por në fund për mua stilet apo rrymat janë thjesht vetëm mjeti dhe jo qëllimi. Qëllimi është Arti.

Femra zë një vend të rëndësishëm në pikturat që kemi parë, si vjen ajo në këto punime?

Sigurisht që figura femërore zë një vend të rëndësishëm në krijimet e mia, sidomos në këto të fundit. Femra vjen si simbol i bukurisë dhe i të mistershmes, në një tentativë për t’iu afruar dhe kuptuar botën e saj të brendshme. Ajo vjen si formë e dëshirës, ndjenjës dhe e maternitetit. Mendoj që në figurën femërore takohet thjeshtësia me kompleksen, duke krijuar një ekuilibër perfekt ndërmjet të kuptueshmes dhe asaj pjese që mbetet e panjohur apo mistike. Një univers i tërë në lëvizje. E gjithë kjo brendësi e mistershme mbulohet nga forma trupore me linja që duket sikur vallëzojnë për ta krijuar atë në perfeksion, figurën femërore, e cila vjen me delikatese dhe brishtësi dhe ngrihet deri në kultin hyjnor të krijimit të jetës.

Erosi si qëndron në pikturën tuaj?

Për mua erosi fillon me krijimin e ndjenjës së dashurisë, e cila lind nga një vështrimapo kontakt pamor. Kjo përbën pjesën seduktive dhe vazhdon për t’u zhvilluar me aktin e prekjes dhe ndjesisë emocionale, që krijohet nga kontakti fizik i dy qenieve njerëzore. I gjithë ky cikël i përngjason aq shumë procesit të krijimit të një vepre artistike, i cili fillon me inspirimin, konkretisht me një akt pamor dhe zhvillohet në derdhjen emocionale e ndjenjësore dhe përfundon me krijimin. Mendoj që erosi është pjesë esenciale e jetës në tërësinë e saj, por gjithashtu mbetet dhe elementi kryesor i krijimit të veprave dhe shprehive të çdo profili artistik.

Ju jetoni jashtë Shqipërisë, ku dhe keni marrë pjesë në ekspozita të ndryshme, po në Tiranë a keni menduar të bëni diçka të tillë?

Kam organizuar ekspozita personale dhe kam marrë pjesë në ekspozita të tjera kolektive kryesisht në Belgjikë, Holandë, Gjermani, Francë dhe jam në përgatitje për të ekspozuar dhe në shtete të tjera, kryesisht në Europë. Ka qenë jo e paktë dhe pjesëmarrja ime në panairet më të rëndësishme në Belgjikë, kryesisht në Bruksel, Anvers dhe Bryzh, por dhe jashtë saj. Për t’u përmendur ka qenë dhe pjesëmarrja para disa muajsh në qytetin e Kanës në Francë. Sigurisht që një ekspozitë në Tiranë është një nga dëshirat e mia më të mëdha dhe shpresoj të realizohet shpejt.

Si është jeta e një artisti jashtë vendit të lindjes?

Mund të them që ka anën e saj jo të lehtë, pasi, siç dihet, fillimet janë gjithmonë tëvështira, duke qenë se vjen dhe vendosesh në një tjetër realitet me të cilin do bashkëjetosh dhe për më tepër malli për vendlindjen mbetet gjithmonë prezent. Takimi i parë dhe prezantimi me një ambient të ri gjithmonë merr një kohë të caktuar kërkimi dhe njohje në gjetjen e vlerave të reja dhe ruajtjen e atyre me të cilat ti vjen dhe ofron. Ka anën e saj pozitive, sidomos për hapësirën profesionale, pasi gjendesh në kontakt të drejtpërdrejtë me një kulturë tjetër vendëse, ku në çdo moment je në kërkim dhe zbulim të një realiteti të ri të panjohur më parë. Përveç kësaj, qyteti ku unë jetoj ka një diversitet të madh kulturash, pasi komunitetet që jetojnë këtu janë të shumëllojshme, të ardhura nga pothuaj çdo anë e globit dhe secili konservon dhe vjen me traditat dhe zakonet e tij, pra me identitetin e tij kulturor. Për mendimin tim, kjo e shton dhe e zmadhon më tej hapësirën inspiruese dhe si rrjedhim pasuron shprehitë krijuese. Muza juaj, çfarë ju frymëzon më shumë? Muza ime inspiruese mbetet dhe është “E Bukura”, në çdo formë me të cilën ajo vjen. Objektive apo subjektive, në formë apo përmbajtje, e dukshme apo e padukshme. Ka bukuri kudo përreth nesh. Mjafton vetëm të hedhësh sytë dhe nuk është vështirë për ta gjetur apo për ta kuptuar. Është kudo në natyrë dhe në krijimet e saj. Është te njeriu me gjithë kompleksitetet e tij, në formë apo në esencë, me gjithë tragjiken apo komiken e tij. Është në çdo gjë tjetër që na rrethon. Është në tokë ashtu si dhe në qiell. Kjo bukuri përbën burimin e inspirimit tim në vazhdimësi.

Pse keni zgjedhur pikërisht t’i shfaqni punët tuaja diku larg Shqipërisë, nga çfarë është ndikuar kjo zgjedhje?

Punimet e mia të para janë ekspozuar në Shqipëri, ndërsa pas vitit 2003, që jam vendosur dhe jetoj në Bruksel, ekspozitat janë organizuar kryesisht këtu apo në shtete të tjera kryesisht perëndimore. Është kjo një zgjedhje e natyrshme. Mendoj gjithashtu që për një artist është po aq e rëndësishme të ekspozojë krijimet e tij kudo, pa u limituar nga hapësira apo vendi. Ky mbetet një fakt i rëndësishëm për njohjen e punës së tij nga një publik më i gjerë. E rëndësishme është, po ashtu, dhe përballja me artin kontemporan botëror. Janë të shumtë artistët shqiptarë që prej vitesh punojnë dhe shfaqin artin e tyre me sukses në evenimente artistike në Europë dhe në botë.

Cila është teknika dhe materialet me të cilat ju punoni?

Eksperimentimet e mia me teknikën pikturale kanë filluar që herët dhe kjo pikërisht për gjetjen e një gjuhe komunikative artistike, e cila duhet të shprehte më fuqishëm transmetimin emocional të krijimit. Kam përdorur kryesisht mediume apo materiale të ndryshme dhe njëkohësisht kam eksperimentuar miksimin e këtyre me njëra-tjetrën, me qëllim përftimin e teksturave të ndryshme të materies, relievit apo dhe ngjyrës. Teknika ime përqendrohet kryesisht te ngjyrat akrilik në pikturë dhe bojërave të kinës në vizatim, por shpesh këto janë të përziera dhe me mediume apo elemente të tjera, të cilat vihen në funksion të krijimit apo konceptit artistik të veprës.

Çfarë vendi zënë ngjyrat në pikturën tuaj?

Duke qenë se piktura ime mund të klasifikohet në atë që quhet pikturë figurative, ngjyra, ashtu si kundër dhe forma, mbeten elementet thelbësore të idesë që shprehet në këto krijime. Më pëlqen të krijoj një ekuilibër apo raport piktorial të shprehur në ngjyra të pastra, të forta apo më të qeta dhe i kushtoj tepër rëndësi hapësirës që këto ngjyra do të zënë në telajo. Zakonisht në pikturë përdor 2 apo 3 ngjyra kryesore. Çdo ngjyrë ka rolin apo funksionin e vet në raportin që krijojnë ndërmjet njëra-tjetrës dhe të përgjithshmes. Kjo është përsa i përket anës teknike, ndërsa në atë ndjesore, ngjyra në pikturë është shprehja e parë dhe transmetuesja më direkte e gjendjes emocionale të një vepre.

Me çfarë fjalësh do t’i përshkruanit pikturat tuaj, për të gjithë lexuesit që ju njohin për herë të parë?

Besoj se do të zbulojnë një formë tjetër krijimi artistik, jo konformist dhe të lirë, që kalon në vende dhe takon personazhe shpesh herë realë apo fantastikë, të cilët bashkëjetojnë ndërmjet tyre në mënyrë të natyrshme. Do gjejnë pikturën të shprehur në një botë kontrastesh dhe ngjyrash, figurash dhe imazhesh, drite dhe lëvizjeje në përmbajtje, formë dhe ngjyrë. Gjithashtu do të zbulojnë një tjetër botë në bardh e zi, me një tjetër prurje dhe një mënyrë shprehëse më kontrastuale. Shkurtimisht, do t’u sugjeroja lexuesve të shikojnë punën time, të cilën mund ta gjejnë online duke përdorur adresën www.dastid.com. Mendoni se në Shqipëri piktura vlerësohet ashtu siç duhet, çfarë e pengon, sipas jush, një piktor në Shqipëri për t’u bërë i famshëm përtej kufijve? Mendoj se në Shqipëri ka mungesë të strukturave adekuate, të cilat do të bënin të mundur një lançim apo një njohje më të shpejtë të artistëve shqiptarë përtej kufijve dhe në këtë aspekt çdo iniciativë mbetet personale. Këtu i referohem gjithashtu dhe mungesës së kritikës apo menaxhimit artistik, të cilat do të bënin të mundur një vlerësim më të saktë të krijimeve artistike. Gjithsesi, unë mendoj që për artistët janë shumë të rëndësishme kontaktet, qofshin këto me galeri apo blerës dhe koleksionistë privatë. Po ashtu, pjesëmarrja e tyre nëpër ekspozita apo panaire që organizohen në qytetet kryesore në Europë dhe në botë është një mënyrë tjetër për të promovuar punën artistike. Mendoj se piktorët shqiptarë tashmë e kanë mundësinë të lëvizin, të krijojnë kontakte dhe të ekspozojnë punët e tyre edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ekspozita juaj e fundit dhe projektet tuaja për të ardhmen?

Së fundmi, aktivitet kanë qenë relativisht të ngjeshura. Vetëm këto muaj të fundit kam marrë pjesë në disa ekspozita dhe panaire internacionale. Nga këto mund të përmend, siç e kam prekur dhe pak më sipër, pjesëmarrjen në edicionin I të “Eclectic Art Fair”, i cili u zhvillua në “Muzeun Belfry”, në qendër të qytetit të Bryzhit, në Belgjikë. Gjithashtu, për t’u përmendur ishte dhe pjesëmarrja në Kanë, në kuadër të edicionit të dytë të Ekspozitës Internacionale “Artistes du Monde”. Tjetër ekspozitë ishte dhe ajo e zhvilluar në Bruksel, me titull “Art in Properties”, apo pjesëmarrja në “ART 1030, Parcours d’Artistes “ dhe kjo e zhvilluar në Bruksel. Përsa i përket projekteve në vazhdim, mund të them që në muajin mars do ekspozoj punimet e mia në “Galeri XXL”. Kjo galeri është e njohur ndër të tjera dhe për ekspozimin e punëve të artistëve të njohur dhe me famë botërore, si Alechinsky, Soto, apo dhe grafika të kineastit të njohur amerikan David Lynch. Në fund dua të shtoj që dëshira ime më e madhe dhe projekti më i rëndësishëm për mua mbetet organizimi i një ekspozite personale në Tiranë. Për këtë nuk mund të jap akoma një datë fikse, por shpresoj që kjo të bëhet e mundur dhe të realizohet në një të ardhme sa më të afërt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *