Civici: Doktoraturat, jo frikë nga masivizimi, por rigorozë me standardet

20 Dhjetor 2014 22:08

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof.dr. Adrian Civici, shpjegon se debati mbi masivizimin dhe tentativat për ta penguar atë është i adrian ardian civicitejkaluar. Tashmë ka ardhur koha të shohim drejt garantimit të standardeve të cilësisë.

 

“Uria e re e shqiptarëve për doktoratura. Doktoraturat që po zëvendësojnë Masterat. Masivizimi, një rrezik për arsimin e lartë. Stop dhënies së licencave për institucionet private! Privati po abuzon…” Këto kanë qenë temat që kanë nxehur debatin mediatik e publik prej mëse një viti që me dhënien e licencës së parë për ciklin e tretë të studimeve një institucioni privat të arsimit të lartë si Universitetit Europian i Tiranës.

Që nga viti 2011, universitetet që kanë plotësuar kriteret e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës për të marrë licencën e doktoraturave janë katër. Megjithatë, nga sektori publik shprehen se ka edhe të tjerë subjekte, të palicencuar nga MASh, të cilët joshin çdo fillim viti akademik me reklama edhe mbi këtë cikël të tretë studimesh dhe janë të shqetësuar se të rinjtë që do i drejtohen këtyre institucioneve do të përfitojnë veçse diploma të rreme. Por, vetë MASh, është rigoroz në shqyrtimin e dosjeve që këta universitete dorëzojnë dhe dhënien e licencave sipas kritereve të deklaruara.

Debati është i ndarë në dy kahe: aktorë nga sektori publik i arsimit të lartë shprehen se masivizimi i doktoraturave do të çojë drejt humbjes së vlerës së vërtetë të diplomës më të lartë të sistemit arsimor.

Një rrezik i paralajmëruar me baza të vërteta apo një betejë e re në luftën disavjeçare tashmë mes sektorit publik e privat, ku ky i fundit shihet ende me sy skeptik apo një lloj kërcënimi që ndien publiku, i cili deri pak kohë më parë ishte i vetmi subjekt i licencuar për dhënien e doktoraturave?! A është i matshëm vërtet abuzimi apo spekulohet në bazë hamendësimesh dhe paragjykimesh që qarkullojnë ende mbi sektorin privat të arsimit të lartë në vend?

Palët debatojnë, ndërsa MASh ka nxjerrë një projektvendim të ri, i cili kufizon kuotat e doktoraturës.

Universitetet publike shprehen se privatët nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përballuar fluksin e atyre që i drejtohen doktoraturave, ndërsa universitetet private shprehen se të gjithë kanë të drejtën të ndjekin doktoraturën, nëse i plotësojnë kriteret e vendosura nga vetë shteti.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof.dr. Adrian Civici shpjegon se debati mbi masivizimin dhe tentativat për ta penguar atë është i tejkaluar. Tashmë ka ardhur koha të shohim drejt garantimit të standardeve të cilësisë”- shprehet ai.

E megjithatë, paragjykimi për universitetet private vazhdon. “Licencimi, aprovimi akademik si dhe akreditimi për studimet e ciklit të tretë janë filtrat seriozë që garantojnë standardet cilësore”- pohon Civici.

A ka vërtet një fluks të pakontrollueshëm të atyre që duan të ndjekin doktoraturat dhe si bëhet filtrimi i tyre? Cilat janë masat ligjore që parandalojnë abuzimin dhe pse ende Shqipëria ka frikë ndaj liberalizmit…

 

Debatet në media, se me masivizimin e doktoraturave ky cikël i tretë i studimeve po dëmtohet, vazhdojnë. Nga një anë aktorët e sektorit publik që e shohin si abuzim këtë fenomen dhe nga ana tjetër sektori privat që e sheh këtë liberalizim si hap pozitiv në sistemin arsimor shqiptar. Pse mendoni se i shërben shoqërisë shqiptare kjo hapje e këtij cikli të studimeve?

Në strukturën e kualifikimit shkencor dhe akademik që e ka të domosdoshme çdo vend, sidomos një vend me dinamikë ekonomiko-sociale zhvillimi dhe hapjeje e integrimi, siç jemi ne, padyshim që studimet dhe kualifikimi në nivel doktorature është nevojë e domosdoshme. Është element esencial i cilësisë së kapitalit human. Sa më shumë individë të kenë kualifikim akademik që finalizohet me doktoraturë, aq më mirë është, sidomos për Shqipërinë, ku ekspertët apo profesionistët me doktoraturë janë shumë të pakët. Jo vetëm për universitetet, jo vetëm për kërkimin shkencor dhe studimet, por përgjithësisht për cilësinë e institucioneve të të gjithë llojeve, për absorbimin dhe përdorimin e teknologjive të reja dhe inovacioneve, për angazhimin si partnerë cilësorë në projekte kërkimore e zhvillimi në nivel europian e ndërkombëtar, ekspertët me edukim doktoral janë garanci e mbështetje për të aspiruar drejt një vendi të zhvilluar. Ndaj në këtë kuptim, nuk mund të thuash se rritja e numrit të doktoraturave është e dëmshme. Aq më tepër që, po t’i referohemi në përqindje popullsisë që kemi me arsim të lartë, por edhe brenda arsimit të lartë me Bachelor, Master dhe Doktoraturë, doktoraturat janë me përqindje shumë të ulët, shumë larg vendeve të tjera.

U bënë disa vite që procesi i doktoraturave ka qenë thuajse i bllokuar. Ka një grupmoshë në një interval 10-vjeçar që nuk ka pasur mundësi ta bëjë doktoraturën lirshëm dhe nga të gjitha këto arsye nuk mund të pretendojmë në asnjë mënyrë se masivizimi është në dëm të doktoraturës. Përkundrazi, në dëm të saj, është mosrespektimi i cilësisë, i standardeve dhe i kërkesave thelbësore shkencore e organizative që ka kërkimi doktoral, i formateve të vjetra të organizimit dhe menaxhimit të studimeve doktorale nga institucionet tona akademike. Procesi i pranimit në doktoraturë dhe standardet e domosdoshme që në këtë hap të parë, drejtim akademik e shkencor i doktoraturës, botimet shkencore dhe konferencat që evidentojnë por dhe filtrojnë cilësinë e doktorantëve dhe punës së tyre, realizimi i formimit akademik që shoqërohet me 60 kreditet e vitit të parë, serioziteti në Comprehnesive examination, standardet dhe metodologjia shkencore e kërkimit, lufta kundër plagjiaturës dhe mediokritetit etj. Të gjitha këto janë kushte të domosdoshme për kriterin e cilësisë dhe standardeve të doktoraturës.

Pra, jo frikë nga masivizimi, por me sytë nga standardet?

Në çdo rast që gjykohet apo shtrohet pyetja nëse numri i doktoraturave është shumë, nuk duhet jetë kaq, duhet frenuar numri i tyre, apo se liberalizimi është i dëmshëm, mendoj se këto janë shqetësime apo diskutime formale që shohin sipërfaqen dhe jo thelbin. Diskutimi kryesor apo barriera kryesore është se sa janë në gjendje universitetet tona, fakultete përkatëse, shkollat doktorale atje ku janë të organizuara si të tilla që të mund të garantojnë cilësinë e këtyre doktoraturave. Dhe kjo fillon që me standardet e pranimit të studentëve, jo thjesht standardet formale (nota mesatare, diploma e masterit shkencor apo niveli i anglishtes), por dhe standardet cilësore të kandidatëve, motivet e tyre për të bërë një doktoraturë, CV dhe karrierën profesionale etj. Së dyti, janë standardet e pedagogëve që i udhëheqin, të cilët duhet të kenë titujt përkatës akademikë e shkencorë, të kenë eksperiencën e nevojshme për të drejtuar një doktoraturë; së treti, niveli i bibliotekave dhe burimeve të informacionit, numri i titujve, autorëve, abonimeve, periodikëve shkencorë etj., që duhet të ketë çdo universitet që ka ciklin e tretë të studimeve. Pjesa cilësore ka të bëjë edhe me mënyrën si organizohet një proces doktorature, i cili nis që nga propozimi doktoral, përcaktimi i hipotezës/hipotezave, pyetjeve kërkimore, baza teorike, metodologjia dhe filozofia e kërkimit etj. Të ndërtosh një objekt/problematikë të qartë studimi dhe jo diçka formale apo të përgjithshme që nuk i vlen as shoqërisë dhe as doktorantit është gjithashtu një moment i rëndësishëm. Në fokusin e standardeve do të shtoja dhe domosdoshmërinë e një filozofie të kërkimit shkencor që duhet të adoptojë çdo institucion akademik, duhet synuar drejt një ndërkombëtarizimi të kërkimeve doktorale dhe bashkëpunimit e kooperimit me universitete e qendrave kërkimore shkencore prestigjioze ndërkombëtare. Përfshirja e këtij kërkimi në një dinamikë më të gjerë e cilësore rrit edhe garancinë e vlerat e tij. Për ta përmbyllur, do të thosha të mos kemi frikë nga masivizimi, por të jemi ekzigjentë në cilësinë dhe standardet që ofrohen dhe zhvillohen doktoraturat.

Pas disa kritikave nga Universiteti i Tiranës, se privati po abuzon me këto studime, që ka një fluks të madh studentësh në këtë cikël dhe një staf të vogël akademik që nuk mund t’i përballojë, si qëndron e vërteta, duke nisur nga rasti i UET-it, i cili është edhe i pari universitet privat që ka marrë të drejtën e studimeve të ciklit të tretë?

Vlerësime të përgjithshme secili është i lirë t’i bëjë. Ajo që ka rëndësi janë shifrat dhe respektimi i kritereve ligjore e standardeve, në radhë të parë për numrin e profesorëve që mund të drejtojnë doktoratura, organizimin e këshillit të profesorëve, pedagogë të kualifikuar e programe studimi që përafrojnë me ato të universiteteve perëndimore, disponibiliteti në tekste bashkëkohore, artikuj shkencorë etj. Nëse numri dhe cilësia e tyre është brenda kërkesave të ligjeve apo udhëzimeve të MASh, atëherë udhëheqja dhe punimi i doktoraturës kanë shumë shanse që të jenë brenda standardeve të kërkuara. Nëse ka tejkalime apo abuzime me këto standarde, është procesi i akreditimit, kontrollet e ndryshme nga institucione përgjegjëse shtetërore, rezultatet e rankimit etj., ato që “të nxjerrin zbuluar” apo të konformojnë për cilësinë dhe standardet. Nuk ka më kuptim në Shqipëri të thuash që publiku është i mirë e privati është i keq apo anasjelltas. Ky është diskutim pa asnjë vlerë. E vetmja vlerë është të ulesh dhe të thuash çfarë standarde cilësore akademike ofron njëri dhe çfarë tjetri. Kur krahason standardet, kriteret, rezultatet me akreditimin apo rankimin, mund të thuash se njëri është i mirë dhe tjetri i keq.

 Një projektvendim i MASh deklaron se do të ketë reduktim të kuotave në studimet doktorale. Pse ky vendim tani dhe çfarë ndikimi do të ketë ai?

Mendoj se është shumë kufizues dhe në disa raste edhe pa sens apo i hartuar me një qëllim të paqartë. Le të marrim rastin e një Prof.Asoc. p.sh., që nuk mund të udhëheqë më shumë se dy doktorantë. Atë vetëm një hap e ndan nga titulli Prof.Dr dhe është vetë në një proces kërkimi e botimesh akademike në kërkim të titullit Profesor. Ai mund të krijojë shumë mirë një grup 4-5 doktorantësh rreth të njëjtit aks kërkimi, dhe kjo nuk prish asnjë punë në cilësinë e udhëheqjes apo disponibilitetin për doktorantin, përkundrazi, i ndihmon ata. Puna me doktorantët bëhet më mirë në grupe sesa individuale, qoftë për metodologjinë, objektivat, hipotezat, literaturën, grupit të problemeve apo autorëve që merren më shumë në analizë dhe konsideratë. Mendoj se është një vendim që është nisur nga filozofia “si të kufizojmë”, në vend që të niste nga filozofia “si ta bënim më cilësore”. Është në vazhdën e frymës që ekziston se me liberalizimin e doktoraturave do të ketë abuzime. Natyrisht çdo lloj liberalizmi ka pjesën e vet të rrezikut të abuzimit, nuk mund të jesh kundër këtij konkluzioni, pasi praktika e ka provuar në mjaft raste, por më shumë sesa ta ndërpresësh këtu veprimin për të eliminuar abuzimin, duhet bërë shumë më tepër për garantimin e cilësisë dhe pastaj, nëse e garanton, këto lloj kufizimesh nuk do të kishin kuptim.

 

A mos ky cikël duhet të ketë një kufizim të kandidatëve? A ka vërtet fluks të madh doktorantësh?

Fluksi është prezent, besoj në të gjithë universitetet që ofrojnë programe doktorature. Por është tjetër gjë fluksi i atyre që kanë dëshirë të vazhdojnë doktoraturën dhe tjetër përfshirja e tyre në proces, seleksionimi dhe e drejta për të bërë doktoratën. Dhe në mënyrë strikte po ta zbatosh ligjin shqiptar apo rregulloren e brendshme që kemi në UET, që të jesh doktorant duhet të plotësosh tri kërkesa; të kesh notë mesatare tetë e lart, të kesh diplomë Master të shkencave apo diplomë e nivelit të vjetër dhe diplomë të anglishtes sipas kritereve. Ky është kusht vetëm për ta filluar, por që të quhesh zyrtarisht doktorant duhet të kesh mbaruar 60 kredite të vitit të parë, të cilat zhvillohen me shumë rigorozitet; duhet të kesh marrë një notë mbi 80% të comprehensive examination , këshilli i profesorëve duhet të ketë miratuar propozimin tënd doktoral, temën tënde të kërkimit. Në këtë moment quhesh zyrtarisht doktorant. Ashtu siç ndodh në shumë vende të botës, numri atyre që kanë interes për doktoraturë dhe atyre që e kalojnë këtë prag është i konsiderueshëm. Abuzimi dhe neglizhimi me rregullat dhe standardet do të bënte që ky numër të përafrohej. Nëse do shihni sa rigorozë janë këta filtra në UET, kuptohet që është tjetër gjë fluksi masiv i dëshirës dhe tjetër regjistrimi në proces zyrtar që të quhesh doktorant.

 

Po me kriteret a ka vend për abuzim?

Kriteret e pranimit janë ligjorë dhe abuzimet me to janë shkelje e ligjit apo e licencës, për pasojë janë të ndëshkueshme, dhe në çdo moment të verifikueshme. Por, universitetet seriozë, ku bën pjesë Universiteti Europian i Tiranës, janë vetëkërkues që të mos lejojnë abuzime të tilla.

 

Të rinjtë që u drejtohen doktoraturave shpesh shprehen se një diplomë e tillë do të ishte avantazh në tregun e punës. A është i vërtetë ky konstatim?

Në këtë këndvështrim, duhet të qartësohen të gjithë ata që kërkojnë të bëjnë një doktoraturë. Ka një pjesë që vijnë për të pasur një “spaletë akademike” më shumë mbi supe, dhe që në takimet e para, kur i pyesim pse interesohen për doktoraturë, çfarë teme propozojnë, kuptohet që janë krejtësisht formalë, pasi një pjesë madhe thonë “çfarë teme të më rekomandoni ju”, dhe kjo është papranueshme në një doktoraturë. Kur vendos të ndjekësh një doktoraturë ke një eksperiencë pune, ke bërë një plan perspektiv të ecurisë së karrierës tënde, je përballë një nevoje të domosdoshme thellimi akademik e shkencor. Doktoratura nuk bëhet që t’i shtosh vetes një diplomë më shumë, por për t’u përfshirë në një proces kërkimor shkencor dhe për t’u specializuar më shumë teorikisht dhe akademikisht në një drejtim.

Një njeri që mbaron një doktoraturë është krejt tjetër nga ç’ka qenë përpara doktoraturës.

Do i ndaja në tre grupe ata që kërkojnë të bëjnë doktoratë. Një pjesë që e interpretojnë keq mbajtjen e një vendi pune dhe mendojnë se po të kenë një diplomë më të lartë, në sferën akademike si doktoratura, e kanë më të sigurt vendin e punës, por ky është mendim i gabuar, pasi ka plot kualifikime profesionale dhe nuk ka nevojë doktorature. Ka nga ata që janë shumë të rinj ende në Master apo sa e kanë përfunduar kërkojnë të bëjnë doktoraturë dhe në këtë rast nuk është shumë e rekomandueshme, për faktin se ende nuk ke marrë një drejtim në karrierë dhe të vendosësh një themel aq të fortë si doktorata do të thotë të mos kesh mundësi të lëvizësh kollaj në ekspertizën dhe drejtimin akademik. Grupi i tretë janë ata që kanë disa vjet që kanë mbaruar masterin, në një moshë kur e analizojnë tamam se çfarë u duhet dhe, për drejtimin që kanë, doktoratura është hapi më i vlefshëm. Në kontaktet e para që kemi pas viteve ’90 me institucionet ndërkombëtare apo punësues për projekte të ndryshme, kur shkonim dhe thoshim jemi me doktoraturë, ndodhte që merrej dhe përgjigjja “Je i mbi kualifikuar… nuk kam vend për ju”. Ka ardhur koha që çdo shqiptar kur do të kalojë nga një shkallë kualifikimi në tjetër të bëjë analizë se çfarë i duhet; master profesional, master shkencor, doktoraturë, post doktoraturë etj. Pra, ta ketë të qartë, ta vërë mundin dhe diplomën e tij në shërbim të karrierës, profesionit, sektorit apo vendit të punës ku është. Ata që kanë thjesht dëshira për të pasur “një doktoratë për pasion”, askush nuk i pengon, por doktoratura është një nga momentet më të rëndësishme shkencore dhe akademike në jetë dhe nuk duhet shpërdoruar apo marrë me shumë lehtësi.

 

 

 

Sommario

 

 

-Nuk ka më kuptim në Shqipëri të thuash që publiku është i mirë e privati është i keq apo anasjelltas. Ky është diskutim shumë sipërfaqësor, pa asnjë vlerë. E vetmja vlerë është të ulesh dhe të thuash çfarë standarde cilësore akademike ofron njëri dhe çfarë tjetri. Kur krahason standardet, kriteret, rezultatet me akreditimin apo rankimin, mund të thuash se njëri është i mirë dhe tjetri i keq.

 

 

-Po t’i referohemi në përqindje popullsisë që kemi me arsim të lartë, por edhe brenda arsimit të lartë me Bachelor, Master dhe Doktoraturë, doktoraturat janë me përqindje shumë të ulët.

 

-Diskutimi kryesor apo barriera kryesore është sa janë në gjendje universitetet tona, fakultetet përkatëse, departamentet përkatëse, shkollat doktorale atje ku janë të organizuara të mund të garantojnë cilësinë e këtyre doktoraturave.

 

-Të mos kemi frikë nga masivizimi, por të jemi ekzigjentë në cilësinë dhe standardet që ofrohen dhe zhvillohen doktoraturat .

 

-Doktoraturat tani do të jenë online, pasi të mbarojnë dhe të aksesueshme nga të gjithë. Asnjë doktorant nuk do të pranonte të kishte një doktoraturë që është plagjiaturë, pasi në çdo moment është objekt i të gjitha llojeve të analizave dhe komenteve.

 

-Ka ardhur koha që çdo shqiptar kur do të kalojë nga një shkallë kualifikimi në tjetër të bëjë analizë se çfarë i duhet: master profesional, shkencor, doktoraturë, post doktoraturë… etj. Pra, ta ketë të qartë, ta vërë në shërbim të karrierës, profesionit, sektorit apo vendit të punës ku është.

 

-Çdo lloj liberalizmi ka pjesën e vet të abuzimit, nuk mund të jesh kundër këtij konkluzioni pasi praktika e ka provuar, por më shumë sesa ta ndërpresësh këtu veprimin për të eliminuar abuzimin, duhet bërë shumë më tepër për garantimin e cilësisë dhe pastaj, nëse e garanton, këto lloj kufizimesh nuk do të kishin kuptim.

 

Doktoratura, ja tre grupet që e kërkojnë

1-Një pjesë që e interpretojnë keq mbajtjen e një vendi pune dhe mendojnë se po të kenë një diplomë më të lartë, në sferën akademike si doktoratura, janë më të sigurt, por ky është mendim i gabuar, pasi ka plot kualifikime profesionale dhe nuk ka nevojë doktorature.

2-Ka nga ata që janë shumë të rinj ende në Master apo sa e kanë përfunduar kërkojnë të bëjnë doktoraturë dhe në këtë rast nuk është shumë e rekomandueshme, për faktin se ende nuk ke marrë një drejtim në karrierë dhe të vendosësh një themel aq të fortë si doktorata do të thotë të mos kesh mundësi të lëvizësh shumë. Duhet të jesh shumë i qartë dhe i strukturuar kur bën doktoraturën.

3-Ata që kanë disa vjet që kanë mbaruar masterin, në një moshë kur e analizojnë tamam se çfarë u duhet dhe u duhet për drejtimin që kanë, doktoratura është e vlefshme.

 

BOX

UET, i pari universitet privat me Shkollë Doktorale

Në shtator të 2011-ës Universiteti Europian i Tiranës promovoi hapjen e Shkollës Doktorale, duke u bërë kështu i pari universitet privat me të drejtën e ciklit të tretë të studimeve. Programet e studimit të ciklit të tretë (doktoraturës) në UET janë programe të reja, të konsultuara dhe të krahasueshme me mjaft programe të ngjashme që zhvillohen në universitete cilësore e prestigjioze ndërkombëtare, ndërsa UET ka në dispozicion të studentëve të tij një staf prej 35 pedagogësh me tituj “Profesor”, “Profesor i asociuar” apo me gradën “PhD”, të përfunduar jashtë vendit në universitete të njohura perëndimore, si edhe 6 profesorë nga Aston University në Angli. Programet orientohen në tre drejtime bazë; Shkencat Ekonomike (drejtimet: Financë, Menaxhim, Ekonomi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Menaxhim i Sistemeve të Informacionit); në Shkencat Sociale (drejtimet: Shkenca Komunikimi, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sociologji dhe Antropologji Sociale, Psikologji-Pedagogji); në Shkencat Juridike (drejtimet: E drejtë Publike, E drejtë Ndërkombëtare, E drejtë Civile, E drejtë Biznesi).

 

Projektvendimi i MASh për kuotat e doktoraturës

Stafi akademik që gëzon titullin ‘Profesor’ ka të drejtë të udhëheqë paralelisht deri në 5 doktorantë. Titulli tjetër, grada ‘Profesor i Asociuar’ dhe ‘Doktor’, deri në 2 doktorantë dhe stafi akademik me titullin ‘Profesor’ po me kohë të pjesshme, ka të drejtë të udhëheqë vetëm një doktorant. Kandidati duhet të plotësojë edhe disa kushte specifike; kandidati duhet të ketë realizuar si autor i parë së paku tre referime shkencore, të ketë marrë pjesë në konferenca, kongrese shkencore, trajnime si dhe të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare. Drafti i ri synon të eliminojë elementet abuzive dhe të nxisë cilësinë.

 

Kriteret e pranimit në Shkollën Doktorale UET

Pranohen studentë që kanë përfunduar me një notë mesatare 8 e lart (në mënyrë të veçantë grup-lëndët bazë të fushës së studimit ku aplikojnë për doktoraturë) ciklin e studimeve dhe ka fituar diplomën universitare “Master i Shkencave” ose një diplomë analoge dhe të njohur me ligj si e barabartë me të. Kriter tjetër seleksionues është zotërimi nga ana e kandidatëve i gjuhës angleze të certifikuar në nivel ndërkombëtar minimalisht në nivelin “C1”. Prioritet përbën edhe zotërimi i një gjuhe të huaj të dytë si frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, ose në raste specifike, sidomos për Shkencat Sociale, mund të jetë dhe gjuha latine, greqishtja e vjetër, turqishtja etj.

Në mënyrë më të plotë, Këshilli i Profesorëve ka definuar rregullat dhe kriteret e plota të pranimit në programin e doktoraturës, të cilat janë të pasqyruara në rregulloren e programit të studimeve. Aplikantët disponojnë një informacion të plotë e të detajuar për kohëzgjatjen e programeve të studimit, kushtet e përgjithshme dhe ato specifike që duhet të plotësojnë, strukturat e Shkollës Doktorale dhe UET në përgjithësi, të cilat i mbështesin, modalitetet e periudhës së doktoraturës në UET, përfshirë këtu dhe provimi i pranimit në doktoraturë. Çdo student pranohet në ciklin e tretë të doktoraturës vetëm nëse atij i miratohet projekti kërkimor që paraqet. Këshilli i Profesorëve zgjedh dhe vlerëson në vazhdimësi udhëheqësit shkencorë për të gjithë doktorantët në UET, duke garantuar cilësinë e nivelit të tyre akademik dhe përputhjen me fushën apo sferën e studimit të doktorantëve.

 

1 koment për këtë artikull
  1. besi at 11:44 am

    Z.Civici,
    Liberalizimi i doktoraturave eshte nje proces qe duhet pershendetur, sepse aty ku ka monopol, sikurse ishte rasti i Universitetit shteteror te Tiranes (UT) ne dhenien e PhD-ve, mungon edhe nxitja per standarde te larta akademike dhe fakti eshte se programi i shteterorit ishte reduktuar ne nje shkolle partie me jo pak perfitime per profesoratin e tij. Prandaj edhe kritika qe vjen prej tyre ndaj privatit dhe liberalizimit te PhD nuk qendron dhe eshte si kritika e nje pronari te nje karteli qe lufton konkurentet e rinj.

    Por, ndersa monopoli i UT ne dhenien e PhD-ve eshte thyer dhe eshte bere mire, nga ana tjeter edhe pretendimi juaj se “mos kini frike ngha masivizimi” i dhenies se titujve PHD eshte po aq shqetesues dhe problematik sa edhe monopoli i UT, sepse ne analize te fundit efekti eshte i njejte ne terma cilesore per dijen dhe shkencen: dmth pak te doktoruar kur kishte monopol nga UT nuk eshte nje e keqe me e madhe sesa shume te doktoruar, por medioker tani qe kemi liberlaizim. Shkenca nuk lejon mediokritet ajo ka kritere objektive dhe te le te zbuluar menjehere.

    Edhe argumentat tuaj kunder vendimit te MASh-it per vendosje kufizimesh ne PhD, jane po aq te paqendrueshem sa dhe pretendimi i publikut (UT) per ju privatet (EUT). Ashtu si dhe ne rastin e UT interesi per monopol prevalonte mbi cilesine e produktit (PhD), edhe ne rastin e UET, e njejta gje po ndodh, dmth interesi per nje masivizim, (i perkthyer ne tarifa deri ne 9000 euro) prevalon perseri mbi cilesine e produktit PHD. Pranda edhe ju bini ne batakun e publikut, perdorni te njejten arme te gabuar “interesin”, qe keni per te pasur masivizim, po aq problematik sa dhe monopoli i meparshem i UT.

    Sa cilesi ofroni ju ne programet doktorale?
    Nisur nga nje prezumim abstrakt, por edhe nga argumentat tuaj jam shume skeptik nese UET ka kapacitet e nevojshme njerezore (profesore, doktore, et) dhe fizike (biblioteke) etj per te ofruar programe doktorale cilesore. Disa arguemta:
    1- Formimi eshte kumulativ, smund te kesh PhD cileesore kur nuk ke as BA dhe as MA cilesor. Si mund te na garantoni nje cikel te trete studimesh (PhD) cilesor kur nuk e ofroni as ne ciklet e pare (Bachelor) dhe te 2-te (Master) dhe ketu i referohem klasifikimit te UET i 4-ti edhe ne Shqiperi?
    2-Cili eshte raporti udheheqes shkencor/doktorant qe ju ju keni ne universitetin tuaj?
    3-A ka kritere moshe per t’u pranaur ne PhD se ka shume universitete perendimore qe nuk te pranojne ne moshe psh mbi 35 vjec?
    3- Sa kapacitete keni ju per t’u siguruaur doktoranteve (qe paguajne deri ne 9000 euro me lart se edhe ne perendim) te gjithe burimet e nevojshme ne literature? Ne sa revista nderkomebtare shkencore eshte UET e abonuar dhe qe mund te perdoren nga studentet pa pagese?
    4-A keni pajisje per te kontrolluar plagjiaturen ne UET?

    Ne argumentat qe ju jepni per cilesine e doktoratures ka disa mangesi shume thelebesore ne konceptin tuaj per kete program.
    1- Ju theksoni se duhet paraqitur nje projekt kerkimor, me pyetje kerkimore etj. pra vetem kritere formale, por nuk citoni aspektin substancial te nje PhD. dmth kontrobutin origjinal qe tema e propozuar duhet te kene ne thellimin e dijes dhe ne literaturen perkatese te fushes se studimit. Frika ime shte se ju ashtu si dhe publiku e anashkaloni kete kriter primordial ne emer te 9000 euroshit.
    2-Ju listoni grupet qe vijne per t’u regjistruar dhe lidhni shume me dy kritere te gabuara: 1- moshe jo te re thoni ju dhe 2-Nevoje per te pasur PhD.

    Ju listoni qe ne grupin e dyte te atyre qe kerkojne te bejne doktorature “ata që janë shumë të rinj ende në Master apo sa e kanë përfunduar kërkojnë të bëjnë doktoratura” dhe nderkohe ata jan eme te pershtatshmit per te vazhduar doktoraturen dhe ju duhet t’i nxisni, ju per cudi beni te kunderten, ju gabimisht shpreheni se “dhe në këtë rast nuk është shumë e rekomandueshme”.
    Ketu del koncepti i gabuar i UET lidhur me kriterin moshe e re per PhD. Ideale do te ishte qe Bachelor, Master dhe PhD te mbaroheshin njeri pas tjetrit dhe pa nderprerje sepse Z.Civici.
    Dhe logjika eshte e thjeshte: PhD vazhdohet per dy qellime (qe ju i ngaterroni) kryesisht nga ata qe kerkojne karriere akademike dhe e kane kete prirje, e cila shihet qe ne moshe te hershme universitet dhe master. K
    Kurse ata qe kane shume vite pune, dhe qe ju gabimisht i nxisni, une do te thoja nuk jane kontingjetn i pershatshem per PhD sepse atat nuk kane nevoje per PhD, sepse shume vite pervoje e zevendesojne dhe PhD.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>