HENRI ÇILI
Presidenti u zgjodh. Është ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, një politikan i urtë, njeri korrekt, pa asnjë rekord negativ në konfliktualitetin politik brenda PD-së apo jashtë saj, i papërfolur për korrupsion apo për afera me krimin dhe korrupsionin. Deri këtu gjithçka mirë. Urime dhe suksese për Presidentin e ri, njeriun e mirë, Bujar Nishani. Tashmë që ai u zgjodh, nuk mbetet veçse të mbështetet nga gjithkush, t’ia dalë mbanë detyrës më të vështirë në Republikën e Shqipërisë.
Por procesi që e çoi atë President të Republikës, detyra e lartë që ka marrë përsipër, si dhe ata që e emëruan në këtë post, meritojnë një analizë dhe gjykim mbi këtë që ndodhi në sfondin e një procesi politik tejet të ngarkuar, delikat dhe
kontekstualisht nga më të vështirët në këto 22 vjet të demokracisë së re shqiptare. Kjo sa i takon zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Paraprakisht mund të thuhet se, pavarësisht se çfarë ndodhi, për faj apo për meritë të kujt, përfundimi është ky: një President i Republikës si Bujar Nishani është një zgjedhje kundër interesit publik, është po ashtu një zgjedhje kundër vetë interesit të shumicës në pushtet, PD-së në radhë të parë.
Procesi: E vërteta e do ta themi ashtu sikurse është: Sali Berisha, falë presionit pozitiv të partnerit të koalicionit, Ilir Meta, dhe presionit të opinionit publik dhe miqve ndërkombëtarë, me mikun e paanshëm të demokracisë shqiptare, ambasadorin Arvizu në krye, e tejkaloi vetveten dhe në 3 raundet e para iu fut një procesi, serioz dhe i përkushtuar, për të gjetur me opozitën e Edi Ramës dhe me Ilir Metën, partnerin e vogël të koalicionit, një kandidat konsensual, të pranuar nga opozita, nga opinioni publik e faktori ndërkombëtar. Lista e emrave që ai paraqiti publikisht, në tavolinë me partnerët dhe kundërshtarët, apo pas kuintave të politikës, nuk ishte gjasme: ishte e vërtetë, ishte e hapur, ishte e qartë dhe shkonte në drejtimin e kërkuar nga opinioni publik. Për këtë mjaftojnë 3 ilustrime: Xhezair Zaganjori, Artan Hoxha dhe Arben Imami. (Nuk është faji i Sali Berishës që dy kandidatët e parë, brilantë, nga sfera të ndryshme të publikes, jashtë politikës, nuk patën guximin e mjaftë të pranonin edhe dafinat edhe domatet e prishura, që natyrshëm ka ngjitja në majë, në këtë rast: kur bëhesh President i Republikës.) Sa i takon Arben Imamit, ministrit aktual të Mbrojtjes, një emër sinjifikativ i politikës shqiptare, ilustrimet janë disa: një nga liderët e Lëvizjes së Dhjetorit, luftëtar gati epiko-idealist, në betejat demokratizuese kundër Sali Berishës e përkrah të majtës shqiptare dhe shoqërisë civile të kohës, me Edi Ramën në krye gjatë gjysmës së parë të viteve ‘90, pastaj bashkautor i Kushtetutës me të ndjerin Sabri Godo, e ministër i reformave të rëndësishme në qeveritë socialiste. Kurse në fillim të viteve 2000 e këtej ka luajtur një rol po ashtu tepër dinjitoz në reformimin e ristrukturimin ideologjik të PD-së dhe të djathtës shqiptare. Ofrimi prej Berishës i këtyre tre emrave, dinjitozë, me prova e dëshmi të rëndësishme në jetën e tyre profesionale dhe civile në shërbim të interesit publik dhe ideve të tyre, që të tre të hedhur poshtë me ligësi dhe destruktivitet nga kryetar i opozitës, Edi Rama, dëshmon për disponibilitetin e qartë, të shfaqur dhe publikisht të Sali Berishës gjatë 3 raundeve të parë për të pasur një president konsensual.
Në raundin e katërt Berisha befasisht luan kartën e kufizimit, të mbylljes në vetvete të shumicës dhe e kthimit te formulat politike kufizuese, me të cilat, paradoksalisht, e nisi që prej shtatorit të vitit të kaluar debatin e presidentit. Në ato 3 orë delikate të mazhorancës së të hënës, ai iu kthye zgjidhjes “Nishani”, një zgjidhje tepër e limituar në profil, në emër të përveçëm, në bazën e ngushtë përfaqësuese, në pamjaftueshmërinë intelektuale dhe politike për të qenë një kënaqje e aspiratës së opinionit publik dhe atij ndërkombëtar rreth emrit dhe profilit të Presidentit të Republikës që common sense-i publik ka ndërmend për një post aq të lartë. Në 100-vjetorin e saj, sidomos kur mendon se republika jonë e nisi me Ismail Qemalin dhe e mbyll me zotin Nishani president. E vetmja arritje e kësaj zgjidhjeje të minutës së fundit, apo ndoshta të minutës së parë, nëse Berisha e kishte ndërmend, është shmangia e profileve të larta partiake agresive nga PD-ja. Profile që do të ishin jo vetëm një garanci për agresivitet e të papritura në presidencë, por dhe një përzierje e sigurt në lojën brenda partiake të pozitës dhe opozitës, gjë e natyrshme kur në presidencë vjen një figurë me profil, ambicie e përfaqësim të lartë në krye të shtetit. Rasti Topi është një mësim i mirë për këtë. Çdo gjë tjetër lidhur me zgjidhjen Nishani është e mangët.
Aktorët: Berisha, aktori kryesor i kësaj zgjidhjeje, në fakt nuk arriti asgjë nga sfidat që kishte përpara nga opozita, Brukseli, Washingtoni dhe opinioni publik, pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive që sollën në skenë “zgjidhjen Nishani”. Berisha nuk ka zgjidhur asgjë nga sfidat dhe objektivat që ai ka përpara: të arrinte një kompromis me opozitën, për të fituar statusin e kandidatit në vjeshtën e këtij viti; të fitonte qetësimin e opinionit publik lidhur me pandehmën alarmante që është më shumë se kurrë në këmbë: A do të penalizohet Shqipëria, dhe a është ajo e rrezikuar, kur, paradoksalisht, ndodhi ajo që duhej evituar dhe kërkohej të evitohej nga të gjithë: Shqipëria ka për president “ministrin e 15-të të kabinetit”. A do të jetë ai në një monitorim të rreptë dhe paragjykim konstant nga Brukseli dhe Washingtoni tani e tutje lidhur me alarmin tashmë të shndërruar nga potencialitet, thuajse në realitet, të krijimit të një vertikaleje pushteti nga Presidenti i Republikës, SHISH, Prokurori, Gjykatat e Lartë dhe ajo Kushtetuese e deri te Bashkia e Tiranës e kontrolluar nga Sali Berisha? Ky është guri sizifian që Berisha duhet të mbartë në shpinë në sfidat e ardhshme politike, sidomos në funksion të zgjedhjeve të 2013-ës, të cilave ky bilanc politik do t’u rëndojë padrejtësisht mbi shpinë një shumicë ndërkohë kaq të ngushtë e të konsumuar nga 8 vite pushtet. Në vend që të kishte një zgjidhje për presidentin që i jepte marzh shumicës për të manovruar politikisht me një mandat të tretë, Sali Berisha dhe koalicioni i tij do të vuajnë si kosto një mbi-pushtet që nuk i duhet dhe aq, por sidomos një mbi-pushtet që është joshës në pamje afat-shkurtër për është anti-elektoral për garat elektorale të së ardhmes. Si përfundim, “Zgjidhja Nishani” ishte një zgjidhje anti-elektorale për PD-në, pra kundër interesit të saj strategjik.
Profili. Ndërsa theksuam të gjitha rekordet pozitive të Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani, në krye të shkrimit, duhet të themi gjithashtu dhe tjetrën: Bujar Nishani nuk ka dëshmuar deri tani asnjë element që mund ta bënte atë një President probabël për të qenë i suksesshëm në detyrën e re. Edhe pse ai përfiton nga mos-paragjykimi që duhet të kemi kur dikush nis një detyrë, gjatë karrierës së tij politike ai nuk ka asnjë rekord për të qenë një president mbi palët, një president që mund të përballojë presionin e shumicës, ose më saktë të shefit të tij të deri-djeshëm Sali Berishës. Nuk ekziston asnjë dëshmi, publike ose jo, që ka autoritetin e përshtatshëm për të qenë i pavarur apo autonom, për të marrë vendime të pavarura në favor të interesit publik, pavarësisë së institucioneve, balancimit të tyre e kështu me radhë. Sfidat e një presidenti janë që njëkohësisht të mos konfliktohet me shumicën, por të mos jetë noter i saj; të mos vihet në shërbim të opozitës, por të përfillë pjesën tjetër të popullit opozitar që opozita përfaqëson, të jetë luajal ndaj partnerëve ndërkombëtarë euro-atlantikë lidhur me mirëfunksionimin dhe pavarësinë e shërbimeve sekrete, prokurorisë, drejtësisë, këshillit të lartë të drejtësisë, gjykatave të larta të vendit.
Profili i tij i deritashëm edhe pse korrekt, është i pamjaftë për të qenë ai presidenti i formatit për të realizuar këto sfida, të cilat fillojnë shpejt, shumë shpejt, që janë dekretet e para që e presin në tavolinë: SHISH, Prokurori i ri i Përgjithshëm, vendet bosh në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, beteja për drejtësinë e pavarur dhe profesionale në KLD etj.
E mira do të qe, që të gjitha këto paragjykime në nisje të rrugëtimit të tij presidencial, ai t’i hidhte poshtë më vepra, por druaj se do ta humbë këtë betejë, o në një drejtim o në një tjetër. Ose ka shanse të bëhet, sikurse e paragjykon opozita, “një noter i Kryeministrit”, ose mund të ndodhë dhe parodia tjetër, të shkojë në të kundërt, që sot mendohet më pak, por që nuk përjashtohet: të hyjë në konflikt me shumicën e të instrumentalizohet gjetkë e për arsye të tjera kundër saj, si paraardhësi. Që të dyja të dëmshme për interesin publik. Ndaj me “zgjidhjen Nishani” ka dalë i humbur dhe interesi publik. Në këto kushte, Zoti e ndihmoftë Presidentin Nishani! Për të mirën e Shqipërisë. I vetmi urim për të cilin ai ka realisht nevojë.
Nik Kodra
16/06/2012 at 10:33 pm
Pershendetje dhe mirenjohje Z. Cili! Me ne fund Universiteti Europian i Tiranes na paska bere nje zbulim surprize: Arben Imamin si ideollog ne “reformimin e ristrukturimin ideologjik të PD-së dhe të djathtës shqiptare”!!!
Tung,
Nik
shqiptar
17/06/2012 at 9:32 am
KUR DUHET Z.CILI BEN SHKRIME TEJET TE SAKTA SI NE KETE RAST URIME zoti CILI.
moralisti
17/06/2012 at 11:46 am
Eshte hera e pare qe jam 100% dakord dhe sinqerisht besoj se Cili eshte objektiv ne analizen e tij.
pjeter
18/06/2012 at 7:13 pm
SHIKOJ QE NJE”shqiptari”I PASKE PELQYER….
AJO QE THEM UNE SE ESHTE E SAKTE DHE NJEREZORE ESHTE URIMI QE BEN NE FUND NE DREJTIM TE PRESIDENTIT.
PJESA TJETER ESHT PARAGJYKIM DHE ME VJEN KEQ QE KE RENE NE POZITAT E BRACES KUR THOSHTE NE KUVEND SE DO KEMI PERMBYTJE,RRESHQITJE TE DHERAVE DHE KISHTE NJE PLAN TRE MUJOR DERI NE MAJ, QE DUHET TE MERRTE QEVERIA BASHKE ME OPOZITEN,PER TE PERBALLUAR SEBASHKU PASOJAT QE DO TE LINTE BORA E GJATE E JANARIT…FAKTIKISHT AS PERMBYTJE NUK PATI AS RRESHQITJE E AS AS AS ASNJE GJE NUK NDODHI PER FAT..PARAGJYKIM OPOZITA E DIMRIT PARAGJYKIM CILI I FUND PRANVERES…..POPULLI OPOZITAR THOTE RAMA PO ASHTU DHE CILI(çILI)KA OPOZITE POR JO POPULL OPOZITAR.KA MAZHORANCE QEVERISESE POR JO POPULL QEVERISES……çili bej çilin e lere RAMEN TE BEJE RAMEN SE KA NGA 2005 SI ISH KRYETAR BASHKIE E NGA 2008 SI KRYETAR PARTIE QE E BEN SHUME KEQ..TI SE MENDON KESHTU??JO?OK PO? SHUME MIRE.