Kryeministri me gjak turk ndër vena

Ardian Ndreca

Jemi mësue me dokrrat senile të kryeministrit Berisha, i cili mbasi e ka çue vendin në buzë të humnerës, mbasi ka shkatrrue administratën dhe vetë themelet e shtetit shqiptar me partinë e tij tashma të privatizueme, ka luksin me na dhanë jo vetëm leksione për boronicat dhe kamomilin, por edhe për origjinën e popullit shqiptar dhe për përqindjet e gjakut turk në atë shqiptar dhe anasjelltas.

Prej vizitës së fundit në Turqi u pa se Berisha e ndien veten nji turk europian, prandaj edhe dështimi total i integrimit tonë në Europë duhet pa si pjesë e nji projekt-angazhimi me nji tjetër të përjashtueme të famshme prej Europës: me Turqinë.

Ka vite tashma që tre-katër intelektualë të frustruem i fryjnë bulshive tue na tregue se otomanët nuk kanë qenë pushtues por administrues të Shqipnisë, se s’na i kishin fajet ata për të zezat tona, se në fund të fundit duhet të kthehemi, si biri plangprishës, në prehnin e tyne.

Ky mitizim i marrdhanjeve mes shqiptarëve dhe turqve i ka padyshim rranjët te vetëdija që shumë banorë të Republikës së Shqipërisë kanë për përqindjen e gjakut turk në venat e tyne. Asht e kuptueshme se shekujt e pushtimit otoman në Shqipni s’kanë lanë vetëm turqizma, bejte dhe do rrënoja pa vlerë, por edhe disa rrënoja morale të lyeme me varak europian. Nji prej përfaqsuesve ma në zâ asht shkrimtari turko-shqiptar Kasam Trebeshina, i cili në nji libër të titulluem Mekami (Prishtinë 1992, 1994), që për ne shqiptarët asht po aq i ndytë se Mein Kampf-i apo Veprat e E. Hoxhës, i thur lavde Turkut që erdhi para pesë shekujsh për me na qytetnue e me na ba njerëz. Mekami asht nji libër i ndërtuem në rasën thirrore, ku i blatohen lavde e panegjirikë “turkut të panjohur” që banon thellë në terrin e nënvetëdijes së Trebeshinës. Në atë libër arbnorët dalin injoranta e të paqytetnuem, të pazotët me u zhvillue pa ndihmën e turkut. Në ato rreshta të pështirë, ku retorika e Sigurimsit përzihet me mllefin e turkoshakut, lufta kundër turkut quhet faj (f.84), shqiptari thirret “qen i pabesë shqiptar!” (f.74), kurse Kastrioti quhet “rebeli i pabesë” (f.94) apo: “Ai vagabondi që bredh si laraska gardh më gardh! Ai qeni i Kastriotëve!” (f.84). Për çudi aradha e pafundme e kritikëve tanë logorroikë, që zhgrehen dhe ngazëllehen edhe për nji të teshtitun poetike, ka heshtë për ketë libër, nuk asht prekë aspak prej artit që autori ka derdhë në ato faqe ku vokativi përdëllyes “Turku im” të ban efektin e nji shirupi emetik apo bari dyndës!

Mos të harrojmë pra se këto janë veprat që u paraprijnë shpirtnisht vizitave të politikanëve tanë në Turqi.

Tue lanë mënjianë çdo lloj përbuzjet etnike, racizmit apo urrejtjet për nji komb si ai turk, ideja se në venat tona mund të sillet gjak asisojit nuk asht aspak entuziazmuese.

Otomanëve duhet t’u dijmë për nderë izolimin qindravjeçar prej Europës. Në fakt, perpara së ata të vinin me na qytetnue prej fushave të Anadollit, tue pru me vete daulle dhe çadra, bollgur dhe salep, ne kishim nji kulturë që na bashkonte me Europën. Prej trysnisë mbytëse otomane për shekuj rresht gjuha jonë mbeti e palavrueme, monumentet e saja humbën, e ajo vetë u bdar e u bastardue. Qytetet  antike u shpërbane, mermeri i statujave dhe tempujve u dogj për me ba gelqere për feudalët, deri gurët e rrugës Egnatia u zhgulën për me ndërtue saraje bejlerësh, mbi të gjitha shqiptarët u përçanë, koha u ndal në muzg, dhe asnji gja të mirë nuk mund t’i kujtojmë asaj nate të gjatë pesëshekullore.

Kur Portën e Naltë filloi me e hangër dreqi në Plevnë, ajo s’ngurroi me i pague fqinjëve tanë damtimet e luftës në Kongresin e Berlinit me Ulqinin, Plavën e Gucinë. Madje, si për ironi të fatit delegati i Portës së Naltë në atë Kongres, përposë Sadullah Pashës, ishte greku Aleksandër Karatheodoris.

Kurrnji pushtim nuk qe ma fatkeq për ne sesa ai otoman. Mundena me thanë se në nandor të vitit 1912 ne po dilnim prej Mesjetet, të lodhun e të drobitun e tue pasë mes nesh njerëz me mendësi skllevnish, të mësuem prej shekujsh me i puth mangën dhe kambën pushtuesit. Kurrkush ma mirë se Faik Konica nuk e ka vu në dukje ketë cungim shpirtnor.

Megjithëketë fatkeqsinat tona me Turqinë, zemrën e ish-Perandorisë, nuk kishin të sosun. Sapo morën vesht se Arnautlliku kishte dalë në vedi, nji mori funksionarësh të naltë e të ulët nxituen prej shkretinave të Anadollit me u kthye në Shqipni e me kapë ndonji copë tokë a zyre me mexhidet e turkut në brandavekë. Këta qenë për dekada rresht pjesa ma negative e politikës dhe e administratës së shtetit të sapolindun.

Fatkeqsia tjetër lidhet me Traktatin e Lozanës (1923), i cili nxiti shpërnguljen e popullsisë çame dhe të shqiptarëve musliman të Maqedonisë drejt Turqisë. Edhe në Kosovë punët nuk ecën ma mirë. Mbas Luftës së Parë Botnore, Mbretnia jugosllave detyroi me u shpërngulë drejt Turqisë nji numër të madh banorësh shqiptarë. Nji marrveshtje e dytë e nënshkrueme në vitin 1938 mes Beogradit dhe Stambollit lejoi shpërnguljen drejt Anadollit të ma shumë se 300 mijë shqiptarëve. Ndërkaq në gjysmën e viteve ’30 shumë familje shqiptare tue mos pranue reformat e Zogut për heqjen e ferexheve u shpërngulën drejt Turqisë dhe Sirisë, tue vu kështu besimin përpara kombit.

Në vitet ’50 politika e Rankoviqit në Kosovë dhe Maqedoni do të shpërngulte drejt Turqisë, falë traktatit të nënshkruem me qeverinë turke në vitin 1953, ma shumë se 250 mijë shqiptarë të kamufluem si turq. Flitet se si pasojë e mërgimeve, shpërnguljeve masive, emigrimeve ekonomike në Turqi ka rreth 5 milionë turq që dikur kanë qenë shqiptarë, por falë përqafimit fatal me Turqinë kanë humbë çdo karakter kombtar dhe janë shpërbâ. Në gjithë këto shpërngulje ka luejt nji rol thellësisht antikombtar nji pjesë e klerit musliman të Kosovës, i cili në vitet ’50-’60 nxiste shqiptarët me u shpallë turq dhe me u shpërngulë në Anadoll.

Jam i sigurt se Berisha i din mjaft mirë të gjitha këto fakte, pse asnji faj apo gabim i tiji politik nuk varen prej padijes. Po pse shpraz atëherë këto palavina diplomatike sa herë që ka në krah flamurin me yll e hanë? Si dhelpën e vjetër që asht, ai i ka ra në erë se Turku mundet me i dhanë mbështetje ndonji formacioni të ri politik të djathtë dhe kështu ka nxitue në Stamboll me ba këto përbetime qesharake tue luejt me retorikën e tij levantine deri edhe me gramatura gjakut.

Berisha ndër të tjera ftoi Erdoganin në Tiranë për festimet e 100-vjetorit të pamvarisë. Do të ishte e vetmja gja me vend gjatë kësaj vizite shtetnore, në qoftë se ftesa përmban kërkesën që Kryeministri turk t’i kërkojë falje shqiptarëve për gjenocidin pesëshekullor që pararendësit e tij kanë ba në Shqipni.

Gjithsesi, linja neo-otomane asht transversale e s’mund t’i mveshen të gjitha Berishës. Në nji llogore me të gjinden edhe shumë prej kinse kundërshtarëve të tij, e kam fjalën për disa intelektualë, produkte finale të zuzarisë topitëse të enverizmit shqiptar të viteve ’80.

Berishës i intereson vetëm pushteti, atyne tjerëve u intereson edhe kthimi me fytyrë nga Bosfori.

Të dyja palët do të duhet ta marrin përgjegjen e meritueme në zgjedhjet e ardhshme politike, në mënyrë që kjo retorikë e neveritshme 20-vjeçare të marrin fund nji herë e mirë.

Kujdes. Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi janë të rezervuara nga Mapo dhe mapo.al. Ripublikimi i tij i pjesshëm apo i plotë është i ndaluar pa leje me shkrim nga Mapo. Ju lutemi në çdo rast citimi apo reference nga ky tekst, shënoni linkun përkatës në mapo.al

Postoje në:

99 komente për Kryeministri me gjak turk ndër vena

  1. Agimi

    17/04/2012 at 9:04 pm

    Pergezime per shkrimin shume permbajtesor, i nderuar Ardian!
    nuk do them gje me shume pe rshkrimin, por do me lejohet t’iu perkujtoj te gjithe atyre qe mendojne se nen Perandorine Otomane tokat shqiptare ishin te bashkuar, me thjesht se kishim Shqiperine ne teresi: eshte e vertete, nen pushtimin peseqindvjecar otoman, Shqiperia ekzistonte veten ne shpirtin dhe luften e paepur te shqiptareve atdhetare.Shqipoaria nuk ekzistone assesi as per Otomanet e as per ata shqiptare pjese (e administrates, e hierarkise pushtetare-pushtuese…) te Perandorise Otomane. T eterheqim nje paralele dhe t ethemi Shqiperia nen pushtimin sllav ishte, eshte e plote, e tere (kupto: Greqi, Maqedoni, Serbi…). Fatkeqesia jone mbetet edhe sot Perandoria Osmane… Si u be qe ne te miret te mo skemi shtet? si u be qe te gjithe popujt e tjere, te tille qe ishin po ashtu,ne pushtimin Otoman, krijuan shtetet e tyre dhe vetem ne Jo?! sa mire do ishte sikur te venim gishtin ne tamth… duhet doemos!

  2. Alban Guri

    19/04/2012 at 12:11 pm

    Po Ardian… turqit duhet te kerkojne falje moralisht, por edhe duke zgjidh qesen per demet materjale qe i kan shkaktuar qytetnimit ilir (te pallogaritshme)…
    vetem nuk e kuptova pse kishte kaq ngut dhe zjarr Ols Jazexhiu me te perifrazu si artikull-shkrues q eme 10 prill, nderkohe qe publikim mban daten e sotme…!
    Eshte edhe pune flamujsh kjo ceshtja e anti-otomanizmit ?!
    Duhet te kete flamurtare edhe ne kete beteje ?! APo duhet me mberrit rezultatin… qe do te thote: Afrimin e Shqiperise me origjinen dhe dinjiotetin e saj, origjinen Ilire.
    Nuk kutpoj se pse qenka kaq i rendesishem organizacjonizmi masonik…ne MA-PO, aq me teper i servirur edhe nga Ols Jazexhiu… plus pastaj nga shkrimatruce qe mbajne mbi krye hyllin cifut te Davidit… duke e qujt Shqipnin toke hebreje dhe toke islame…!
    Me cudit shume vrapi dhe mbarapaskena e gares se deklaratave dhe flamurtarizmi i kauzave…!
    Me vjen era intrige Vegjelie…e cial nuk ijep rendsi kauzave por se kush do te jete flamurtari i tyre… njesoj si Berisha…!

    • ARTISTI

      30/04/2012 at 6:03 pm

      PSE PERMENDET VETEM DEMI OTOMAN DHE NUK ZIHET ME GOJE AI ORTODOKSO SLLAV. APO ISHTE ME KRYQ AI, ISHTE PAK ME NDRYSHE. AHAAAAAAAAAAAAAAA

  3. Sokol

    20/04/2012 at 12:04 am

    Artikull i mire dhe i munguar mbi Otomanin.

    Sa per Berishen: ai ka shume kohe qe e ka humbur besimin e vertete ne popull, por jo per arsye te politikes se jashtme por asaj te brendeshme… mbahen mire mend ato kohe shprese gjithe genjeshtra.

  4. njani - shkoder

    06/05/2012 at 10:35 am

    Ne disa drejtime munde te keshe dhe ke te drejte , por ajo qe me ben pershtyje eshte : 1 .gjithmone flet me mllef kunder Berishes dhe ne unison ( cuditerisht )me antiberishistet ( e per kete me linde e drejta tju pyes megjithmend e urreni berishen ? ) 2.Pavaresisht se cndjejme ti dhe une per token ton dhe paraardhesit tane e deshiraat tona realitetit ske nga t’i ikim ( ndoshta dhe ne se ke argumenta kundershto z. Ndreke Gjini ne komentin e tij shkencor qe thote ai ne te kundert duhet me epranue )3. Ne se kete do ta kishte thene: Edi Rama apo ndonje tjeter kam bindjen se e shumta do kishe heshtur ! Nuk mungoj te vleresoj shume per ato shkrimet tua qe nuk jane te pakta por edhe me shume vlere dhe te mirelexueshme nga ana ime ! Nuk eshte mire edhe per identitetin tend te urresh ! ( mbetem me besimi se me kupton )

  5. beko

    27/05/2012 at 11:55 am

    Citimet e K.Trebeshines jan jashte kontekstit dhe tendencioze.
    Hiqe nga mendja se krishterimi eshte shpetimi i kombit shqiptar,si ti nenkupton ne çdo shkrim!
    Qe te jesh i besueshem,ashtu si shkruan me kaq pasion kunder Turqis,fillo e shkruaj ngapak kunder krishterimit,kryqetarve,kryqezatave,djegjeve te heretikeve,identifikimit te klerit katolik me Vatikanin para kombesis……Na sqaro pak per luften per jete a vdekje te Papeve bandite te Vatikanit me mbreterite mesjetare evropiane me qellim final pasurine,pushtetin… Atehere po,zene vend konkluzionet e tua antiturke e antiislame!

    • Lissus i vjetër

      01/07/2012 at 10:19 am

      Po beko. Ky artikullshkruesi edhe sot pas 600 vjetësh nuk ka arritur të kuptojë ato mangësi të kishës së krishterë, që të parët e tu i kuptuan që atëherë. Thua kjo ishte arsyeja që ata u konvertuan në islam?
      Lëri përrallat, beko !
      Nëse ju ka mbetur ndonjë gjë shqiptare në koshiencën tuaj, të paktën mos u bëni tifozë të pushtuesit, mos i bëni apologjinë.

  6. deutch

    27/06/2012 at 1:57 pm

    shkrim fantastik.

  7. Kastraveci AL[IN

    23/10/2012 at 10:40 pm

    Nje shkrim dashakeq dhe anti Kombetar.Nese defiçenca e kuptueshme e autorit me Kryeministrin Shqiptar do te ndalonte ne preferencen e tij per te majten tash dhe te ylberizuar do te ishte nga nje problem personal i autorit deri nje perpjekje per te justifikuar veten se tek Edi(a) ndihet mire,por kur kete kolaps personal kerkon ta kompensoje me sulme perçarese Kombetare ky perversitet i autorit ngelet vetem per t`u misheruar.Duke lexuar me vemendje paçavurja ne form artikulli zbulon se halli e brenga e vertete e autorit eshte jo feja e Kryeministrit Berisha por perkatesia pozitive politike,shoqerore e morale e tij qe nuk mund te kete te krahasuar me Kryeministrin e ngelur perjetesisht ne tentativ shokqen Edi(a) Rama.TUNG AL MAPO.

  8. kurbini

    26/11/2012 at 10:14 pm

    fantastik

  9. Pingback: Baba Viktori dhe Nënë Tereza (II) - E-Zani i Nalte

  10. splinter_london

    20/03/2013 at 11:45 am

    Shteti Turk ka qene dhe eshte nje shtet i forte dhe krenar,icili ka luajtur nje rol vendimtar ne ruajtjen e identitetit t e kombit Shqiptar.Mos harronoi ju Turkopfobet se rilindasit tone jane shkolluar ne Turqi dhe kane qene deputete te parlamentit turk.
    Turqia eshte nje aleat i sinqerte i Shqiperise dhe Kosoves , eshte nje aleat qe e ndihmon Shqiperine pa kushte. Vete pozicioni gjeopolitik i Turqise e ben ate nje aleat te pazevendesueshem.
    Tani ; FUCK OFF te gjithe turkofabeve.