Rritja në pagë, kushtet e kualifikimit të mësuesve 2012

22 Dhjetor 2014 04:52

Nisin procedurat e aplikimit për kualifikimin e mësuesve 2012, nga rezultatet e të cilit përcaktohen edhe shtesat mbi pagë që variojnë sipas kategorive. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka firmosur tashmë edhe dy dokumentet e rëndësishme për këtë proces që janë: “Rregullorja e provimeve të kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar”, si dhe udhëzimi “Për organizimin e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar, për vitin mësimor 2011-2012”. Sipas rregullores, këtë vit në provimin e kualifikimit do të mund të marrin pjesë punonjësit e sistemit të arsimit publik dhe atij privat që janë: me diplomë mësuesie; pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë që japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune; pa diplomë mësuesie, që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e Arteve dhe japin lëndët e Edukimit muzikor ose të Edukimit figurativ. Në rregullore përcaktohet që procedurave të kualifikimit u nënshtrohen vetëm mësuesit, të cilët deri më 31 dhjetor të atij viti plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim: nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, por të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë; nga 20 vjet e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit, por të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së dytë. Nga vlerësimi në provim, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në udhëzimin e MASH thuhet se: “Mbështetur në rezultatet përfundimtare të kandidatëve, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Koordinimit Rajonal në MASH do të përgatisë dhe dërgojë në DAR/ZA shkresën për shtesën e pagës”. Në bazë të kategorizimit sipas shkallëve të kualifikimit, shtesa në pagë për mësuesin që fiton shkallën e tretë është plus 5%, për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%.

Për sa i përket arsimtarëve që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim që kërkohet për çdo shkallë kualifikimi, ata kanë të drejtë të kualifikohen për shkallën më të ulët të kualifikimit që nuk e kanë fituar ende. Sipas udhëzimit për organizimin e kualifikimit të mësuesve 2012, provimet me shkrim do të zhvillohen në Tiranë në datën 21 prill. Edhe këtë vit, kualifikimi në arsimin parauniversitar do të bëhet nëpërmjet portofolit personal të zhvillimit profesional të mësuesve dhe provimeve përkatëse. Vlerësimi nis pikërisht që nga portofoli profesional, kush prej arsimtarëve nuk do të marrë pikët minimale në këtë fazë nuk do të futet në testim. Po kështu, arsimtarët që do të kenë në portofolin e tyre profesional dëshmi të gjuhëve të huaja, dëshmi të studimeve pasuniversitare, si dhe njohuri mbi kompjuterin, do të futen me pikë shtesë në testim. Mësuesit e ciklit të lartë të arsimit bazë dhe ata të gjimnazit që japin më shumë se një lëndë, do t’i nënshtrohen provimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit shkollor 2011-2012. Për raste të veçanta është kompetencë e DAR/ZA-ve të vendosë se cilën lëndë mësuesi duhet të japë provim.

 

 

PORTOFOLI PROFESIONAL I MËSUESIT

Portofoli profesional i mësuesit përmban:

Curriculum Vitae (me fotografi)

Fotokopje të certifikatave të trajnimeve të kryera me kredite (nëse disponon të tilla)

Fotokopje të dëshmive të titujve shkencorë

Fotokopje të dëshmive të mbrojtës së gjuhëve të huaja

Fotokopje të dëshmive për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Produkte të tjera, të cilat përshkruhen në udhëzimin vjetor të ministrit

Komisioni i vlerësimit të portofolit në DAR/ZA vlerëson me pikë përbërësit e portofolit sipas udhëzuesit të IZHA-s

Kandidati që nuk i merr pikët minimale për portofolin nuk futet në testin e kualifikimit

Mësuesi që nuk dorëzon të paktën një produkt nuk futet në testin e kualifikimit

Portofoli profesional i mësuesit përmban edhe:

Një plan mësimor vjetor (për një lëndë dhe për një klasë të caktuar)

Një test kapitulli

Objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull në tri nivele (në një lëndë

dhe klasë të caktuar)

Një planifikim ditor sipas një strukture të plotë, në të cilën përfshihen edhe

metodat e realizimit të objektivave të orës së mësimit

Një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij

Mësuesi fiton pikë bonus sipas këtyre kritereve:

Me titull (SHPU, MND, Master mbi 60 ECTS, Doktoraturë), për personat që janë diplomuar para vitit 2010 (5 pikë)

Gjuha e huaj e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për persona që nuk janë diplomuar para vitit 2010 ose në teste të njohura ndërkombëtarisht (5 pikë)

Certifikatën për përdorimin e TIK-ut (5 pikë)

 

SKEMA E VLERËSIMIT

Në provim kandidatët do të vlerësohen për:

a.Dokumentet zyrtare të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve

b.Programet përkatëse lëndore

c.Aspekte të pedagogjisë dhe metodologjisë në mësimdhënie-nxënie në përgjithësi, si dhe të lëndës

d.Aspekte të komunikimit dhe etikës në shkollë

e.Aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe

f.Përmbajtjen shkencore të lëndës shkollore sipas programit lëndor përkatës

g.Njohuri dhe aftësi të tjera të cilat përcaktohen në udhëzimin vjetor të ministrit

Një testet përbëhet nga dy pjesë:

Pjesa e parë u përket nënpikave: a, b, c, d, e dhe g, kurse pjesa e dytë nënpikës f.

Testet do të vlerësohen nga  komisione të posaçme në IZHA në Tiranë. Një test do të vlerësohet nga dy vetë; një specialist i IZHA ose një bashkëpunëtor i saj dhe një mësues i lëndës që jep mësim në lëndët që testohet.

Vlerësimi i kandidatëve

Komisioni vlerëson përgjigjen e kandidatit fitues të kualifikimit me katër shkallë: A, B, C, D që i korrespondon vlerësimit me fjalë “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë” dhe “mjaftueshëm”.

Kandidati nuk e fiton kualifikimin nëse vlerësimi përfundimtar i tij është E “dobët”, si dhe në rastin kur nuk ka fituar pikët minimale në të paktën njërën nga dy pjesët e testit.

Vlerësimi përfundimtar bazohet në shumën e:

Pikëve të portofolit

Pikëve të pjesës së parë

Pikëve të pjesës së dytë

Pikëve të bonuseve

 

KANDIDATËT PËR KUALIFIKIM

1. Kandidatë për kualifikim janë punonjësit e sistemit të arsimit publik dhe atij privat:

a) me diplomë mësuesie;

b) pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë që japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune;

c) pa diplomë mësuesie që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e

Arteve dhe japin lëndët e Edukimit muzikor ose të Edukimit figurativ.

2. Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen vetëm mësuesit të cilët deri më 31 dhjetor të atij viti plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:

a) nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit;

b) nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, por të paktën 5 vjet

pas marrjes së shkallës së tretë;

c) nga 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit, por të paktën 5 vjet

pas marrjes së shkallës së dytë.

3. Duke filluar nga viti 2013-2014 kanë të drejtë të aplikojnë për një shkallë kualifikimi mësuesit, të cilët kanë grumbulluar një numër minimal kreditesh. Numri i krediteve për secilën shkallë kualifikimi përcaktohet në udhëzimin vjetor të ministrit për kualifikimin.

4. Të gjithë punonjësit mësimorë, të përmendur në pikën e mësipërme 1, që kanë

mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe shkallës së kualifikimit, kanë të drejtë të kualifikohen për shkallën më të ulët të kualifikimit që nuk e kanë fituar ende.

5. Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim për shkaqe rastësore ose nuk

kualifikohet ka të drejtë të marrë pjesë në provimin e vitit pasardhës.

6. Mësuesi në kopshtet e fëmijëve përgatitet për kualifikim për të gjitha programet e

arsimit parashkollor.

7. Mësuesi i arsimit fillor përgatitet për kualifikim për të gjitha lëndët e arsimit fillor.

8. Mësuesi i ciklit të lartë të arsimit bazë, të gjimnazit, të arsimit profesional social-kulturor dhe special të kulturës së përgjithshme, përgatiten për kualifikim për të gjitha lëndët të cilat i japin në shkollë. Në udhëzimin e ministrit përcaktohet lënda në të cilën mësuesi do të zhvillojë provimin.

9. Mësuesit e arsimit profesional që japin lëndët e kulturës profesionale përgatiten sipas një programi unik.

10. Mësuesit e shkollave social-kulturore që japin lëndët profesionale përgatiten sipas një programi unik.

11. Mësuesit e shkollave speciale që japin lëndët profesionale përgatiten sipas një

programi unik.

12. Mësuesi përgatitet për të gjitha klasat e ciklit të lartë të arsimit bazë ose të arsimit të mesëm.

Aplikimi me formular pranë drejtorive arsimore

Kandidatët për provimet e kualifikimit duhet të plotësojnë formularët e aplikimit për të marrë pjesë në provim dhe të dorëzojnë portofolat e tyre sipas profileve përkatëse në Drejtoritë Arsimore Rajonale/Zyrat Arsimore (DAR/ZA). Listat e kandidatëve për provimet e kualifikimit së bashku me vlerësimet e portofolit do të hartohen nga DAR/ZA brenda datës 10 mars. Më pas këto lista do të shpallen publikisht dhe do të qëndrojnë të afishuara në mjediset e DAR/ZA gjatë periudhës 10-16 mars. DAR harton listat përfundimtare dhe i dërgon ato në MASH brenda datës 22 mars 2012. Pas kësaj date nuk bëhen ndryshime në listën e kandidatëve.

 

1 koment për këtë artikull
  1. marjola at 3:48 pm

    Pershendetje, ju lutem mund te me thoni ku mund te ankohem per piket e dosjes ,sepse mendoj se mi kane hequr qellimisht si pasoje e nje konflikti me zonjen qe me mori dosjen .Dua te di ku kam gabuar ,nderkohe qe shoqja ime qe i kishte bere njesoj si une i mori 15 pike ,une kam dhe bonuse ,por kam bere dhe nje trajnim Pedagogji dhe tik ,qe nuk e njohen ,ate e ka licensuar MAsh kishte 30kredite ,megjithate une kerkoj mendimin e eksperteve sepse nuk jepen piket sipas meritave ,por sipas mikut duhet te kisha 25pike dhe me jane dhene 23 nuk e kuptoj kete keqdashje ,ju lutem ku te ankohem,ju falenderoj .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>