Robert Elsie: E vërteta e marrëdhënieve të mia me Kadarenë

Postuar më: 06 February 2012 10:20

Në vizitën e parë në Tiranë ai ishte studenti 20-vjeçar i Universitetit të Bonit në Gjermani. Ishte viti 1978.  Nuk dinte shumë për Shqipërinë, as edhe një fjalë shqip nuk dinte. Kështu që në fillim nisi të mësonte gjuhën dhe kjo i zgjati disa vite. Për të, shqipja ishte gjuhë e vështirë për t’u mësuar. Më vonë punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë si përkthyes. E morën për gjuhën angleze, por duke qenë se nga vizitat e tij në Shqipëri si student kishte mësuar disa fjalë në shqip, e merrnin si përkthyes në shkëmbimet e delegacioneve mes dy vendeve Gjermanisë dhe Shqipërisë. “Në këtë kohë e kam mësuar shumë shpejt gjuhën shqipe, vetëm nga frika se mos bëja gabime në përkthim”, – thotë albanologu i njohur, Robert Elsie. Pastaj kur mësoi gjuhën zbuloi një botë që ishte krejtësisht e panjohur për botën përreth. Zbuloi Shqipërinë dhe shqiptarët. I ftuar këto ditë në Tiranë për të promovuar dy libra: “Fjalorin historik të Shqipërisë” dhe “Fjalorin historik të Kosovës”, albanologu Robert Elsie në intervistën e tij për suplementin “Mapo/Libri” flet për një tjetër enciklopedi, të cilën ai do të botojë në fund të këtij viti; flet për marrëdhëniet e përfolura si konfliktuale mes tij dhe shkrimtarit Ismail Kadare, nevojën e rishkrimit të Historisë së Shqipërisë, çfarë ka zbuluar së fundmi në arkivat e Londrës e Vjenës për Shqipërinë, si dhe për përshtypjet e tij personale mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sa kohë ju është dashur për përgatitjen e “Fjalorit historik të Shqipërisë” dhe “Fjalorit historik të Kosovës”, duke filluar që me botimin e parë në vitin 2004, deri tek botimi i fundit që u promovua dy ditë më parë në Shqipëri, i cili vjen edhe më i zgjeruar…?

Vëllimi i parë ishte më i vështirë, sepse nisa nga fillimi për të mbledhur të dhënat. Për sa i përket botimit të dytë, ishte botuesi ai që kërkonte një aktualitet më shumë, sepse këta janë libra standardë që përdoren në bibliotekat ndërkombëtare, publike dhe universitare, për informacion dhe duke qenë të tilla i duan të aktualizuar deri në momentin e botimit. Kryesisht në botimet e dyta duhej informacion për zhvillimet politike në Shqipëri të 10-vjeçarit të fundit. Quhet Fjalor Historik i Shqipërisë apo i Kosovës, por në fakt është më shumë një enciklopedi e vogël sepse përfshin gjeografinë, ekonominë, problemet e vendit, historinë, figura historike, por dhe figurat e sotme të kulturës, politikës, jetës publike, arteve etj

Ku ndryshojnë botimet e para nga të dytat? Ka më shumë analizë dhe interpretime?

Jo, në tërësi ka shumë pak analizë. Kryesisht janë të dhëna dhe fakte mbi Shqipërinë dhe Kosovën. Tek-tuk ka një analizë apo një interpretim për t’i bërë gjërat më të qartë për lexuesit. Fjalori i Kosovës, p.sh. vëllimi i parë u bë kur Kosova nuk ishte njohur si shtet më vete. Kuptohet që u botua pas luftës, por Kosova ende nuk ishte njohur si shtet. Unë doja të prezantoja në këtë fjalor realitetin e Kosovës, sepse shumë libra e lidhnin Kosovën në një mënyrë apo në një tjetër me Serbinë dhe harrojnë se realiteti i Kosovës është se ai është një vend shqipfolës, gjë që iu mohua dhe një jehonë e kësaj është përhapur në shumë botime mbi Kosovën. Unë me këtë enciklopedi doja të prezantoja Kosovën e vërtetë, por pa mohuar se ka edhe një pakice serbe, boshnjake etj. Unë e prezantova si një vend shqipfolës, si një vend që banohet nga shqiptarë.

Ka shumë të pavërteta që qarkullojnë në librat e huaj për Shqipërinë dhe Kosovën…

Po, sigurisht, shumë. Botimet e Beogradit, p.sh. janë plot me gënjeshtra e mohime të realitetit. Botimet të botës perëndimore janë shtrembëruar më shumë, sesa kanë një mungesë informacioni. Disa janë shkruar nga njerëz që nuk e njohin realitetin. Unë kam shtuar në vëllimin për Kosovën figura historike të Kosovës, politikanët e sotëm, figurat e luftës kulturës, artistë etj. Gjithë ata persona që njihen në Kosovë, por jo jashtë.

Në fushën e albanologjisë fillimisht i jeni përkushtuar letërsisë shqipe, pastaj u përqendruat te kultura popullore, artet pamore deri dhe te historia e fotografisë shqiptare. Çfarë ju ka mbetur pa studiuar nga Shqipëria?

Kam dhe shumë gjëra për të bërë. Është e vërtetë që në të kaluarën jam marrë shumë me letërsinë shqiptare, me kulturën popullore, me fotografinë gjithashtu, tani merrem më shumë me historinë shqiptare. Ky fjalor është një fillim, por kam ndërmend të botoj, mbase në fund të këtij viti, një fjalor të madh biografik të historisë shqiptare. Është një fjalor me afërsisht 700-750 personazhe historike, ku do të shkruhet biografia e tyre. Është një libër që do të përfshijë edhe më shumë personazhe që nuk njihen as në Shqipëri. Në të do përfshihen jo vetëm shqiptarë, por edhe albanologë të huaj apo personalitete që janë marrë me Shqipërinë dhe kanë një lidhje me këtë vend. Por siç thashë, do të jenë edhe shumë figura të historisë shqiptare që nuk njihen në Shqipëri, sepse ishin opozitë me regjimin.

Si për shembull?

Si p.sh. ata që kanë qenë me Ballin Kombëtar. Krerët e Ballit Kombëtar nuk njihen mirë në Shqipëri, po ashtu edhe ata që kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët në kohën e Luftës së Dytë Botërore, opozitarët. Unë nuk kam asnjë paragjykim politik, si studiues unë i përfshij të gjithë në këtë fjalor biografik; komunistët, fashistët, ballistët, edhe të mirin, edhe të keqin. Në traditën shqiptare është zakon që figurat “negative” të fshihen. Nëse një figurë është negative nuk flitet për të, ai zhduket. Kjo është gabim. Unë dua të jap një informacion për të gjithë, pa dhënë mendim apo pa analizuar nga ana ime, sepse nuk është me rëndësi mendimi im, është me rëndësi që të jepet informacioni i saktë mbi gjithçka.

Aktualisht, rishkrimi i historisë është një nga debatet më të nxehta sot në Shqipëri. Mos ndoshta ky fjalor po i paraprin ambicies suaj për të shkruar historinë e Shqipërisë?

Unë nuk pretendoj ta shkruaj tani, mbase më vonë. E kam menduar në fakt për ta shkruar një Histori të Shqipërisë, por është një punë shumë e madhe, nuk e di nëse do arrij ta bëj. Por po filloj me këtë fjalor biografik që është një fillim, pastaj nuk e di mbase më çon në atë drejtim. Por Shqipërisë i nevojitet patjetër rishikimi i historisë. Mua më mërzit një gjë në historiografinë shqiptare: ka shumë shtrembërime.

Shtrembërime të cilës natyrë mendoni se ka më së shumti?

Kur një figurë shquhet si figurë pozitive, për sa i përket ideologjisë së kohës, atëherë ai cilësohet si i madh, kurse ai që nuk përputhet me ideologjinë e kohës, hiqet dhe nuk flitet për të. Dhe në këtë kontekst ka shumë shtrembërime. Kur gjërat i sheh nga larg, mund të hedhësh një sy më objektiv; kur je në mes të gjërave, je i ndikuar nga shumë faktorë dhe ndikohesh në njëfarë mënyre.

Prandaj jeni përqendruar së fundmi më shumë tek historia?

Sepse ka shumë për të zbuluar. Më interesojnë dokumente historike, zbulime në arkiva, të gjej fotografi për ngjarje dhe data historike.

Po keni filluar ndërkohë kërkimet nëpër arkiva? Ku jeni përqendruar?

Para dy javëve kam qenë në Londër dhe zbulova disa gjëra shumë interesante. Kam gjetur dy fotografi të Edit Durhamit që nuk njihet fare, dhe fotot e saj janë shumë të rralla. Por duhen parë të gjitha, duhet t’i përpunoj që të mund të them konkretisht çfarë kam gjetur.

Cilët nga arkivat e huaj kanë më shumë material për Shqipërinë nga ata që ju keni parë?

Në Londër ka një arkiv shumë të madh. Diplomatët anglezë kanë mbledhur gjithçka dhe i kanë ruajtur. Ka informacione të bollshme edhe në Vjenë, ku është një arkiv shumë i pasur. Këto të dyja do të thosha që janë arkivat më të mirë. Por edhe në Stamboll arkivat osmane janë shumë të pasura, megjithëse personalisht nuk i kam shfrytëzuar shumë.

Arkivat rusë i keni parë?

Jo s’i kam parë, por do të kisha shumë kuriozitet.

Në fjalorin tuaj kur e keni vënë datën e çlirimit të Shqipërisë, më 28 nëntor, apo më 29 nëntor?

Unë nuk flas fare për ditën e çlirimit në këtë fjalor. Unë në këtë datë do të flisja më shumë për ditën e fillimit të diktaturës, sepse ajo që ndodhi nuk ishte çlirim. Mendoj se çlirimi është një fjalë shumë e gabuar. Mërzitem kur njerëzit flasin për çlirimin e Shqipërisë, sepse pikërisht në atë kohë filloi diktatura më e rëndë, filloi tmerri më keq. Madje më keq se në kohën e fashistëve apo në pushtimin gjerman, që nuk e mohoj se ishte shumë keq. Por fillimi i diktaturës komuniste ishte tmerr. Vitet ’46, ’47 dhe ‘48 ishin më të rëndat në historinë shqiptare. Unë nuk mendoj se ky mund të quhet çlirimi. Ku ishte liria?. Sigurisht që unë kam përfshirë datën e shpalljes së Pavarësisë, që është një datë e rëndësishme historike. Data tjetër kur është larguar gjermani i fundit nga Shqipëria nuk ka rëndësi fare. Madje nuk besoj se ka një arsye që të festohet dita e ardhjes në pushtet e komunistëve. Sepse populli shqiptar ishte më keq në ’47-ën se në ’43-in. Në ’43-in ishte keq vërtet, por në ’47-ën ishte tmerr.

Në Shqipëri ka një lloj perceptimi për ju si “anti-Kadare”, që në fakt më shumë është evidentuar nga të tretët sesa nga ndonjë konflikt publik mes jush dhe Kadaresë. A mund të na thoni si qëndron e vërteta?

Unë jam habitur dhe habitem shumë për këtë. Kam përshtypjen se mbase vjen nga Kadareja vetë, nuk e di. Unë nuk kam asgjë me Kadarenë dhe e vlerësoj shumë si shkrimtar. Po të lexoni Historinë e Letërsisë që unë kam shkruar, e them këtë vlerësim që kam për Kadarenë dhe i qëndroj asaj që kam thënë. Madje, unë i kam kushtuar shumë hapësirë në Historinë e Letërsisë, edhe më shumë vlerësime besoj.

Por ju e keni etiketuar si “shkrimtar i oborrit”…

Unë sërish vetëm kam shkruar atë që thuhej këtu në Tiranë për shkrimtarin Kadare, asaj i jam referuar edhe në libër. Në atë kohë ashtu konsiderohej nga shumë njerëz në Shqipëri. Unë nuk jap gjykime për Kadarenë nëse ishte apo nuk ishte disident. Unë vetëm transmetoj ato që kam mësuar këtu. Unë them se në përgjithësi Kadareja si shkrimtar është për t’u vlerësuar.

Pra, s’ka asnjë “konflikt” mes jush dhe Kadaresë?

Nga ana ime jo, por duhet të pyesni edhe zotin Kadare nëse ka. Unë di vetëm që kam hartuar një “Antologji e tregimit shqiptar”, ku kisha përfshirë edhe tri tregime të shkrimtarit Ismail Kadare, dhe ai nuk më dha lejen e botimit. Prandaj tregimet e tij nuk janë përfshirë në atë Antologji. Përse Kadareja nuk pranoi të më jepte lejen e botimit, unë këtë nuk e di. Mbase kanë qenë thjesht çështje teknike apo diçka tjetër. Por për këtë duhet të pyesni Kadarenë. Unë nuk merrem me politikë apo me rolin e tij si figurë publike, ajo është puna e tij, unë e shoh atë vetëm si shkrimtar dhe për këtë e vlerësoj.

Çfarë përshtypje keni krijuar për shqiptarët në gjithë këto vite?

Përshtypje shumë të ndryshme. Shqiptarët janë njerëz mjaft të vështirë, janë shumë të dashur, të çmendin herë pas here. Në përgjithësi kam shumë përshtypje të ndryshme njëra nga tjetra. Por unë besoj se është vështirë të jetosh në Shqipëri mes shqiptarëve.

Për një të huaj e keni fjalën besoj…?

Jo kaq për një shqiptar sesa për një të huaj. Duhet të kesh nerva të forta. Jeni një popull impulsiv, me shumë kontradikta, me shumë ekstreme. Them se shqiptarët janë ekstreme, pra dy skajet: në të mirë dhe në të keq. Unë jam munduar ta prezantoj Shqipërinë siç është në realitet, me të mirat dhe të këqijat e saj, pa e zbukuruar si vend i përkryer apo popull shumë i mirë. Unë dua të prezantoj realitetin e shqiptarëve dhe Shqipërisë siç janë, dhe mbase herë pas here kam thënë diçka që nuk u pëlqen njerëzve këtu në Shqipëri, por prapë dua të qëndroj sa më pranë së vërtetës siç e shikoj unë.

 

2 komente për këtë artikull
  1. liri at 3:04 pm

    Pse zotni Elsij e sheh me dyshim prejardhjen e shqiptareve? Pse ai, si dhe shume historiane te tjere joobjektive, nuk e pranojne se shqiptaret vijne nga iliret? Ai ka mesuar gjuhen shqipe qe eshte prova me e pakundershtueshme per kete te vertete.
    Minus i madh ky per historianin Elsij.

  2. agron at 5:24 pm

    I nderuar Robert se pari te uroj shendet per te kryer detyren e madhe qe i ke vene vehtes.
    Me pelqen shume aty ku thoni se doni te paraqesni figurat dhe ngjarjat ashtu sic jane pa anesi.Per kete ka shume nevoje vendi dhe njerezit te cilet gjithmone
    e kane vuajtur kete.Kadereja per mua ka qene shkrimtar i blokut(obori)dhe i ka luftuar rivalet e tij.Ai sot hesht ne vend qe te shkruaj te verteten e atij sistemi sklavoenverian.
    Dua te shkruaj me shume,por po mjafrohem me kaq.
    Edhe nji here,te shkofte puna mbare dhe te shijosh
    aritjet se bashku me te dashurit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *