Piramidat, monumentet e kapitalizmit të vonë shqiptar

Postuar më: 29 February 2012 12:19

14 artistë nga Holanda, Sllovakia, Rusia, Hungaria, Austria dhe Amerika zbarkuan rreth pesë javë më parë në Tiranë, ku u janë bashkuar edhe disa artistëve nga Shqipëria. Misioni i tyre ishte vështrim objektiv i realitetit shqiptar, duke marrë spunto nga Piramida, simboli i fundit i komunizmit, e sjellë si “relikte” edhe në kapitalizmin e vonë shqiptar. “Piramidat- Monumenti i Kapitalizmit të vonë” është dhe ekspozeja e një pune kërkimore 5-javore në rrugët e kryeqytetit, ku këta artistë kanë hulumtuar përmes kësaj simbolike shumë aspekte të realitetit shqiptar. Jeta e përditshme, trashëgimia komuniste shqiptare, feja, politika, propaganda, kanë qenë kategoritë ku ata kanë kërkuar të shkruarën e sjellë në të sotmen shqiptare. Në projektin “Piramida” artistët janë ngacmuar pikërisht nga simbolet e shkuara të komunizmit, si ish-diktatori, kinematografia e epokës apo mungesa e lirisë. Për kuratorët Gosse de Kort dhe Vincent van W.J. Gerven vendi ideal ku gjurmët e të dy sistemeve rrinë bashkë në hapësirat publike, është Shqipëria. “Në projektkërkimin Piramida ne kolektivisht kemi hetuar këtë rënie të kapitalizmit në lidhje me hapësirën publike shqiptare. Ne e bëmë këtë nga perspektiva e “krizës” së saj. Kriza dhe kolapsi janë karakteristikat themelore të ekonomisë kapitaliste, por askund rritja dhe rënia e kësaj ekonomie nuk ka qenë më qartë sa në Shqipëri. Si e përballon një vend rënien, brenda dhjetë viteve, të dy sistemeve më “të mëdha”, prodhuar nga mosha jonë moderne: komunizmin dhe kapitalizmin? Dhe si mund të shihet dhe tregohet kjo në hapësirën publike?” – shtrojnë pyetjen kuratorët Gosse de Kort dhe Vincent van W.J. Gerven, teksa prezantojnë piramidat shqiptare. Piramidën 14 artistët e kanë parë jo vetëm si arkitekturë, por dhe si një lidhje me të shkuarën, si pretekst për debat politik, si emocion, si pjesë e së përditshmes. Projekti i nisur nga Fakulteti i Artit dhe Shkencës në Akademinë Mbretërore të Hagës, është përmbyllur me ekspozitën e frymëzuar nga lidhja mes artit, politikës dhe hapësirës publike në Tiranë, duke mbajtur një qëndrim të jashtëm ndaj këtij fenomeni. Kanuni është sjellë në këtë projekt përmes shtëpisë së fundit të mbetur mbi Lanë, propaganda është sjellë me imazhet e një reviste të viteve ’80, ku kapitalizmi ishte gjarpri, obsesioni shqiptar për simbolin Piramidë përcillet me firmat piramidale dhe ngjarjet që pasuan, për të ardhur në ditët e sotme me objekte të vogla, që më së shumti shqiptarët tashmë i shohin si imazhe dekorative. Artistët: Ana Daci, Aron Birtalan, Diomen Bariçi, Eric Peter, Fatlum Doçi, Frederik Janssen, Moritz Geremus, Nika Volkova, PIM van derHeiden, Ronald Schelfhout, Silvia Jánošková dhe John Fanning kanë sjellë përmes punëve të tyre Shqipërinë e djeshme dhe të sotme.

Lenini dhe Stalini të kuq

Një mëngjes dy statujat e Leninit dhe Stalinit që ndodhen pas Galerisë Kombëtare u gdhinë të lyer me të kuqe. “Pse Lenini dhe Stalini u zgjuan të kuq? Sepse e vjetra nuk shembet, sepse e shkuara nuk humbet, sepse kjo e kuqe është e re”- shkruanin “traktet” e hedhura rreth statujave. Në fakt reagimi i drejtuesve të Galerisë ishte i menjëhershëm. Punonjësit e saj u vunë në punë që t’i pastronin nga boja e kuqe dy statujat. Asnjë në fakt s’e kuptoi se kjo ishte pjesë e aksionit të një prej pjesëmarrësve të kësaj ekspozite. Ekspozita është çelur në mjediset e Tirana Ekspres.

Filmat bardh e zi dhe kinematografia borgjezo-revizioniste

Artisti amerikan John Fanning në punën e tij ka përzgjedhur kinemanë. Ai ka marrë posterat origjinalë të filmave artistikë shqiptarë dhe me ta ka realizuar një grafikë me portretet e aktorëve shqiptarë. John është një artist që jeton dhe punon mes Holandës dhe Amerikës. Puna e tij përfshin instalacione, performancë, tinguj, video, skulpturë etj. Ai punon kryesisht me materiale të përdorura, që i sjell me ide të reja. Të njëjtin koncept ai ka përdorur edhe me posterat e filmave të vjetër shqiptarë, përmes të cilëve ka portretizuar aktorët e asaj dhe kësaj epoke. Por një “zbulim” mjaft interesant për kinemanë shqiptare ka bërë John duke gërmuar në arkivat e bibliotekës. Një karikaturë propagandistike ka zënë një faqe të tërë të një reviste kushtuar filmit shqiptar. Revista mban vitin 1980 dhe në të kritikohet kinematografia borgjezo-revizioniste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *