Bazat e menaxhimit; edhe një libër për bibliotekën e ekonomisë

19 Dhjetor 2014 10:00

Specialistët e ekonomisë kanë ngritur shpesh shqetësimin se në Shqipëri iu kushtohet pak ose aspak rëndësi librave të specializuar, duke krijuar kështu mungesa titujsh në një komunitet të gjerë lexuesish të interesuar rreth tij.  UET Press është nga të paktat shtëpi botuese që ka një kolanë të pasur me libra nga fusha e ekonomisë. Ju sjellim një përshkrim të përgjithshëm të  më të riut, botuar nga UET Press;  “Baza e menaxhimit-koncepte dhe aplikime themelore”, një libër që u vjen në ndihmë studentëve dhe të gjithë të interesuarve të kuptojnë  konceptet themelore në menaxhim, dhe si të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në këtë fushë. Librat e specializuar bëhen shpesh pre e bindjeve të forta, megjithëse jo fort me baza se nuk kanë një segment të ngushtë e të kufizuar në tregun e lexuesve.  Nisur nga kjo, shtëpitë botuese  ndruhen të shtojnë mes titujve të rinj libra të specializuar, e veçanërisht ata ekonomikë.  Mungesa e tyre u vu re edhe në Panairin e fundit të Librit. Shqetësimin rreth këtij fenomeni, ekonomisti i njohur e njëkohësisht drejtor i Shkollës Doktorale në Universitetin Europian të Tiranës , Prof.dr. Adrian Civici e artikuloi duke u bërë thirrje shtëpive botuese të jenë më të vëmendshme ndaj librit ekonomik. Sipas tij, librat ekonomikë kanë treg shumë të gjerë, e ndërsa numri i librave është i kufizuar, numri i lexuesve është realisht i madh. Shtëpia botuese UET Press, duke pasur në qendër librat universitarë i kushton rëndësi të madhe përkthimit dhe botimit të librave dhe autorëve më të mirë nga fusha e ekonomisë, shkencave sociale, drejtësisë, shkencave politike etj. “Bazat e Menaxhimit, koncepte dhe  aplikime themelore” është një prej titujve që i është bashkuar së fundmi kolanës së pasur me libra ekonomikë të UET Press, i shkruar nga tre profesorë  amerikanë, të njohur në fushën e menaxhimit dhe biznesit, Stephen P.Robins, David A.DeCenzo dhe Henry Moon dhe i sjellë në shqip nga përkthyesja Rezarta Perri, ky libër mbulon konceptet themelore të menaxhimit dhe ofron informacionin e duhur për të kuptuar çështje kyçe. Libri inkurajon dhe nxit të lexuarit tek studentët dhe të interesuarit nëpërmjet mënyrës sesi janë parashtruar konceptet kyçe. Ai gjithashtu sjell një fokus praktik,duke përfshirë studimet më të reja kërkimore në këtë fushë, të gjitha brenda një formati që mund të ezaurohet brenda një kursi të plotë. Sipas autorëve, menaxhimi nuk duhet studiuar vetëm nga perspektiva e menaxherëve kryesorë dhe kompanive miliona dollarëshe apo korporatave amerikane. Puna në menaxhim përfshin këdo; që nga supervizorët më të thjeshtë deri tek drejtuesit më të lartë. Ky botim zhvillon një bazë të fortë menaxhimi për ta aftësuar studentin për drejt edukimit të tyre menaxherial. Secili kapitull paraqitet me shembuj të pasur të situatave aktuale menaxheriale. Këta shembuj të jetës së përditshme ndihmojnë ta vënë në jetë atë çka studentët kanë mësuar dhe sesi ta vënë në praktikë sot. Kombinimi i këtyre shembujve shpërndahet  mes kapitujve dhe prezanton një rrugë të lehtë për të kuptuar menaxhimin. Ndarja e kapitujve dhe pyetjet në fund të secilit kapitull ndihmojnë studentët të organizojnë informacionin e rëndësishëm në mendje. “Bazat e menaxhimit”  u siguron studentëve një tablo të fortë teorike dhe funksionale dhe ndihmon në kuptimin e çështjeve më kryesore të katër funksioneve tradicionale të menaxhimit: planifikimi, organizimi, udhëheqja dhe kontrolli. “ Duke qenë pedagog, dhe me studentët e mi, për t’u sugjeruar libra ekonomikë ose financiarë, të them të drejtën sasia e tyre është shumë e vogël në krahasim me raportin tjetër të librave. Natyrisht nuk mund të jenë të barabartë me librat e tjerë historikë apo artistikë, por mendoj se në Shqipëri duhet bërë shumë më tepër për librin ekonomik, sepse ka një masë shumë të madhe lexuesish të interesuar”, – kështu  do të shprehej gjatë javës së Panairit të Librit,  Prof.dr. Adrian  Civici. E me gjithë problemet që has libri ekonomik në tregun shqiptar të botimeve, UET Press do të vijojë pandërprerë të sjellë titujt më të rinj e më në zë të autorëve bashkëkohorë nga fusha e ekonomisë, të cilët u vijnë në ndihmë jo vetëm studentëve që kanë zgjedhur të diplomohen në degët e ekonomisë, por edhe të gjithë të interesuarve të tjerë në këtë fushë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>