Mapo Letrare

Petrit Ymeri: Bilanci i Panairit dhe përgjigjja për ‘kompetentët’ që kritikojnë

panairiMbyllet Panairi i 17 i Librit /Në ditën e fundit të Panairit të 17 të Librit, kryetari i Shoqatës së Botuesve dhe njëherazi organizues i eventit shprehet se edhe këtë vit u promovua libri dhe leximi, lexuesit gjetën dhe morën çka deshën, duke pasur plot mundësi zgjedhjeje mes stendash. Ai theksoi faktin se për një aktivitet të këtij lloji janë të rëndësishme edhe shitjet me çmime stimuluese, që këtë vit sipas z. Ymeri, ishin me deri 50 % zbritje.


Në ditën e fundit të Panairit të Librit, si janë bilancet për ju si organizatorë?



Për ne si organizatorë (por edhe për ekspozuesit e shumtë që na kanë kontaktuar) ky ishte një panair i suksesshëm për disa arsye. Së pari, i shërbeu promovimit të leximit, që është edhe qëllimi kryesor. Së dyti, krijoi një marrëdhënie shumë të mirë të lexuesit me librin, të lexuesit me botuesin, të lexuesit me autorin apo përkthyesin. Së treti, lexuesit gjetën dhe morën çka deshën, duke pasur plot mundësi zgjedhjeje. Në fund të fundit, ky është panair libri, jo panair leximi, recitimi apo kënge e vallesh. Si i tillë, dominohet nga marrëdhënia e lexuesit me stendat ku botuesit shesin libra, por padyshim që bëjmë edhe aktivitete të tjera, me aq sa kemi mundësi, me aq sa kemi fonde, me aq sa kemi mjete. Megjithatë, ky lloj panairi është krijuar dhe ka si qëllim kryesor shitjen e librit dhe shitjen me çmime stimuluese. Sigurisht ka gjithmonë e sa të duash “kompetentë” që dalin poshtë e lart dhe kritikojnë “pse nuk u bë kjo apo ajo” apo pse nuk u recituan vjersha. Qëllim i Panairit ky është. Si ky model ka mjaft të tjerë në Europë. Sa për ilustrim përmend që Salloni i Librit në Paris nis dhe mbaron duke shitur libra. Ne nuk kemi mundësi të mëdha, sallone, qendra të posaçme etj , por me aq sa kemi mundësi e realizojmë qëllimin tonë. Rëndësi ka që lexuesi ka mbetur i kënaqur dhe ne jemi të gëzuar. Qëllimi i panairit janë lexuesi dhe promovimi i leximit. Sigurisht edhe aktivitetet i japin një vlerë serioze veprimtarisë sonë. Përmend që u bënë disa aktivitete në këtë panair kryesisht lidhur me figurën e De Radës, që nga konceptimi grafik, konferenca mbi veprën shumëplanëshe të tij, e deri te promovimi i librave mbi jetën dhe veprën e De Radës; vepra e prof. Jup Kastratit, vepra e  Moikom Zeqos etj. U bë promovimi i veprës së plotë të De Radës në italisht nga Instituti Italian i Kulturës dhe Shtëpia botuese “Rubbettino”. Pati sigurisht edhe mjaft aktivitete të tjera nga shtëpitë botuese pjesëmarrëse, në sallat e Pallatit të Kongreseve, apo në stendat e botuesve. Po të kishim pasur buxhet më të mirë do kishim bërë më tepër, sepse për hir të së vërtetës, kishim parashikuar edhe aktivitete të tjera.

Më konkretisht, cilat do të ishin këto aktivitete që nuk i pamë në këtë edicion të 17?

Kishim parashikuar disa aktivitete për fëmijët e zonave periferike të Tiranës, për fëmijët në nevojë, kishim parashikuar aktivitete me nxënësit e gjimnazeve të Tiranës që do të bëheshin në sallat poshtë, por këto nuk u realizuan dhe nuk i parashikuam në program. Ne u patëm kërkuar mbështetje Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si edhe Ministrisë së Ekonomisë, por përgjigjet ishin negative. Po kështu ndodhi edhe me Bashkinë e Tiranës që nuk na ktheu fare përgjigje, veç premtimeve boshe.

Ndoshta është herët për shifra, por nga ajo që keni vërejtur, si kanë qenë shitjet dhe sa është vizituar ?

Flitet për shumë shifra, ka autorë që flasin për 5 mijë kopje në ditë, 10 mijë kopje në orë -J. Unë nuk i hyj këtij diskutimi. Pra është pak shpejt të flas me shifra të sakta. Edhe nëse kanë shitur kaq shumë, është shumë mirë. Për mua nuk është fare shqetësim që disa autorë bien më shumë në sy, që tërheqin vëmendjen. Sepse mendoj që ata lexues që vijnë për librin e Kadaresë, do marrin edhe librat e Kunderës apo të Rowling-ut; ata që shtyhen për Blendi Fevziun, do marrin edhe librat e Paskal Milos apo Kristo Frashërit, ata që kërkojnë Zafonin me “Trilogjinë e mjegullës”, do kërkojnë edhe librat e Ben Blushit apo Preç Zogajt. Rëndësi ka që lexuesi është në Panair. Secili autor, secila shtëpi botuese, secili përkthyes ka meritë, sepse sjell lexuesit e vet. Dhe çdo libër në vetvete është gëzim.

Çfarë kishte të re në këtë Panair të 17 të Librit?

Nëse do të flasim cila është e reja e këtij viti, ato janë të pafundme. Të gjithë librat e rinj janë risitë e panairit. E rëndësishme është që këtu kanë qenë të gjitha moshat; nga fëmijët me prindër, te fëmijët e shkollave, rinia dominonte sigurisht e deri te moshat e treta. Lexuesit vijnë nga dy apo tri herë dhe nuk vijnë për të bërë xhiro, apo për t’u dukur, por për të blerë një libër që u mungon. Nga kjo pikëpamje them se ka shkuar shumë mirë.

Pra ky panair i realizoi synimet e veta edhe këtë vit…

Jam i sigurt që po. Këtë nuk e kam vetëm mendimin tim, por të të gjithë bashkëpunëtorëve të afërt, si edhe nga bisedat me shumë lexues e kolegë. Pra kam vënë re që të gjithë janë të kënaqur. Kjo edhe për faktin se kemi ulur çmimet. Ulja e çmimeve favorizon kategori të caktuara; nxënësit, studentët, familjet që nuk janë në gjendje të shpenzojnë shumë. Ata me buxhet relativisht të vogël kanë mundur të blejnë një libër më shumë me çmimet e ulura.

Deri në ç’përqindje ka pasur ulje këtë vit?

Ka pasur ulje nga disa shtëpi botuese deri edhe në 50 për qind.

Cili është mendimi juaj sa i përket çmimeve që dha juria?

Për mua çmimet ishin korrekte profesionalisht. Sigurisht mund të kishte pasur edhe të tjera opsione, por këto i vendoste juria. “Çmimi i Mirënjohjes” për Petro Zhejin ishte shumë i gjetur, shumë domethënës. Një emër shumë i vlerësuar, jo vetëm i përkthimeve, por edhe i kulturës sonë, ishte një kënaqësi e vërtetë. Autori që fitoi nuk ishte aq i panjohur sa u tha. Ai është autor me 5 apo 6 libra. Ka libra me poezi që i kanë rënë në sy lexuesit dhe kritikës dhe ky është libri i tij i dytë me tregime. Ndoshta nuk është shumë i njohur për publikun apo për shtypin ngaqë jeton jashtë dhe nuk është i pranishëm në ekrane këtu te ne, por është autor shumë i mirë. Kurse përkthyesja fituese është prej më shumë se 10 vjetësh në tregun e përkthimeve. Edhe libri “Xhejn Ejr” ishte libër i rëndësishëm, nga ata klasikë që duhet të jenë në bibliotekë. Sipas jurisë ishte përkthyer shumë mirë. Jam i kënaqur nga juria që kishim zgjedhur, sepse ishte juri profesioniste dhe isha i sigurt që nuk do të na zhgënjente. Juria e ka bërë punën me paanësi. E rëndësishme është që si nga ana teknike dhe profesionale, kriteret dhe afatet nuk u shkelën.

Një tjetër çmim i rëndësishëm këtë vit ishte edhe çmimi “De Rada”, që i shkoi shkrimtarit Ismail Kadare…

Çmimi special “Jeronim de Rada” iu dha Kadaresë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Instituti Italian i Kulturës. Diploma është firmosur nga unë dhe drejtoresha e Institutit. Këtë e bëmë meqë Jeronim de Rada, shkrimtari vizionar që e pa atdheun e tij Shqipërinë në Europë, është italo-shqiptar dhe u ka shërbyer të dyja kulturave dhe motivacioni i akordimit të çmimit ishte “Pasues i denjë i veprës emancipuese dhe europianizuese të nisur nga De Rada, para 200 vjetësh”. De Rada është themelues i letërsisë moderne shqiptare dhe në këtë pikë lidhet figura e Kadaresë me poetin e madh. Përveç çmimit dhe diplomës, i dhuruam zotit Kadare edhe një statujë të vogël të De Radës, të punuar posaçërisht nga skulptori Hilmi Kasemi. Një punë e mrekullueshme e bërë për këtë rast dhe Ismail Kadare e çmoi.

Po përsa i përket çmimit të letërsisë vendase për fëmijë, pse u anulua këtë vit ?

Jo, nuk u anulua. Na ka ndodhur edhe vite të tjera, kur nuk ka prurje. Vitin e kaluar ia dhamë Gaqo Bushakës. Ai ishte sërish në garë, por kishte shumë pak tituj dhe juria e gjykoi të mos e japë fare. Vitet e tjera kemi dhënë edhe nga pesë çmime, por kjo është çështje buxheti. Buxheti të jep mundësi për të bërë më shumë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas