Arkiva 2

Ndoka: Presidenti i ardhshëm konsensual, Nano nuk bën për këtë post

Kryetari i PDK-së për Topin: “Unë e konsideroj si kandidatin më të mirë të mundshëm e potencial që ka institucioni i Presidentit”



TIRANË Këmbënguljes së kryeministrit Sali Berisha për të zgjedhur një President në bazë të Kushtetutës, pra edhe me 71 vota, vijon t’i përgjigjet negativisht jo vetëm Partia Socialiste, por edhe partitë e vogla, një prej tyre PDK-ja. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, partia e të cilit aspiron për t’u bërë sërish pjesë e qeverisë, deklaroi dje se Presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet me konsensus dhe se një emër për këtë post mund të ishte fare mirë edhe presidenti aktual Bamir Topi. “Unë e konsideroj si kandidatin më të mirë të mundshëm e potencial që ka institucioni i Presidentit. Për faktin që zoti Bamir Topi, si President i Republikës, ka ditur të qëndrojë mbi palët. Kjo e ka cenuar disi mbështetjen e Partisë Demokratike, por një parti e përgjegjshme dhe demokratike pa diskutim që do të merrte një nismë për rikandidimin e zotit Topi si President i Republikës. Por për fat të keq Partia Demokratike është një parti klanesh,”- tha dje Ndoka. Kryetari i PDK-së ka komentuar dje edhe një tjetër kandidaturë, ish-kryeministrin dhe liderin e PS-së, Fatos Nano, i cili ka shpallur hapur ambicien e tij për një mandat pesëvjeçar si President. Përpos kontributit politik që Nano ka, Ndoka shfaqet skeptik për një figurë të tillë, duke pasur parasysh largimin nga politika të Nanos vitet e fundit. “Për fatin e keq, ai ka zgjedhur të jetojë larg Shqipërisë, pra nuk ka qenë një njeri që ka zgjedhur që të vazhdojë në politikë. Kështu ka humbur besimin, në një farë mënyre, te politika, ka humbur besimin te qytetarët”, – tha ai. Në fund të muajit korrik në Shqipëri pritet të mbahen zgjedhjet për Presidentin e ri të Republikës. Presidenti aktual Bamir Topi ka deklaruar se do të garojë vetëm në rast se ai zgjidhet nga Populli, ndërsa kryeministri Berisha është shprehur se ai do të zgjidhet në bazë të Kushtetutës edhe me 71 vota, pas konsumimit të tre raundeve të para që kërkojnë 84 vota. Në anën tjetër, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka kërkuar që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual, pra të zgjidhet me pëlqimin e dy partive të mëdha. Në lojë është futur edhe LSI-ja, parti në koalicion me qeverinë, e cila kërkon që të bëhet pjesë e diskutimeve e, pse jo, edhe faktor në zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas