Kryesore

100-vjetori i pavarësisë, turizëm patriotik më 2012

Blerina Hoxha



Agjencitë turistike bëjnë gati paketat e “turizmit patriotik”. Interesimet paraprake kanë nisur tashmë, nga shqiptarët që jetojnë në diasporë, në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi. Për këtë qëllim shumica e agjencive i kanë kërkuar Ministrisë së Turizmit kalendarin e aktiviteteve, për të përgatitur në këtë mënyrë paketat e udhëtimeve. Eva Rama, nga “Exsplorer Travell and Tours”, pohoi se ky vit veçanërisht pritet të ngjallë më shumë interesin e shqiptarëve për turizmin patriotik. Ajo propozon në këtë kuadër një bashkëpunim më të koordinuar ndërmjet institucioneve dhe operatorëve për zhvillimin e aktiviteteve që brenda sfondit patriotik të kenë edhe atë turistik. Kështu 100-vjetori i pavarësisë mund të jetë një mundësi për të thithur të ardhura shtesë gjatë këtij viti, përveç prurjeve të tjera valutore të turizmit tradicional që ofron vendi. Sipas agjencive, më së shumti do të jenë turistët nga trevat shqiptare, të cilët pritet të vizitojnë vendin këtë vit, në mënyrë periodike, në varësi të aktiviteteve, për të kulmuar në muajin nëntor. Data e pavarësisë së Shqipërisë ka tërhequr vizitorë edhe vitet e shkuara. Shumë shqiptarë nga Maqedonia dhe Kosova edhe 28 Nëntorin e kaluar vizituan Tiranën, por në nëntorin e këtij viti do të ketë lëvizje masive nga trojet shqiptare drejt Shqipërisë. Institucionet artistike e kulturore në vend, që prej fundit të vitit që lamë pas, filluan të mendojnë për shfaqjet, koncertet, ekspozitat etj., që do t’i dedikohen këtij përvjetori të krijimit të shtetit shqiptar dhe historisë së tij. Për organizimin e veprimtarive festive është krijuar dhe një Komision Shtetëror, i cili ka zgjedhur edhe logon e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Institucionet kulturore do të ngjisin në skenë, gjithashtu, vepra që i dedikohen Pavarësisë së Shqipërisë dhe historisë së krijimtarisë artistike shqiptare. Shfaqje, koncerte, ekspozita, me artistë shqiptarë nga të gjitha trojet, brenda dhe jashtë vendit, do të zhvillohen gjatë gjithë vitit e do të kulmojnë për festimet e 28 Nëntorit 2012. Më 17 janar në Kuvendin e Shqipërisë, u çel kalendari i veprimtarive me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Në këtë datë u mbushën plot 544 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 17 janarin e vitit 1468, në Lezhë. Ky përvjetor i rëndësishëm për historinë kombëtare të vendit të shqipeve do të kurorëzojë edhe çeljen e aktiviteteve mbarëkombëtare për festimin e përvjetorit të 100-të të shpalljes së pavarësisë së vendit. Në këtë seancë të veçantë ishin të pranishëm krahas deputetëve shqiptarë edhe anëtarë të parlamenteve të Kosovës, të Maqedonisë, dhe të Malit të Zi. Gjatë vitit 2011 vendi ynë është vizituar nga mbi 4 milionë turistë të huaj dhe shqiptarë rezidentë në vende të tjera. Sipas ministrit Bumçi, numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë u rrit me 18.7%, krahasuar me një vit më parë. Ai tha se për të llogaritur të ardhurat nga ky sektor është ngritur një grup pune me ekspertë nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Turizmit dhe INSTAT-i, dhe pritet që shifrat të publikohen pas 6-mujorit të parë të 2012-ës.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas