Kryesore, Mapo Format, Mapo Letrare

10 libra nga letërsia shqipe që duhet të lexoni sipas Diana Kastratit

Molla t’kputuna nji degët/ dy qershia lidhë n’nji rrfi/ ku fillojnë kufijt e gegët/ rrinë dy çika me nji nanë…Metafora me të cilën Ndre Mjeda hap një nga poemat më të ndjera të letërsisë shqipe Andrra e Jetës është një nga leximet që përkthyesja Diana Kastrati e sugjeron si ndër më të bukurat e letrave shqipe. Leximi i veprës së Vath Koreshit romancier dhe tregimtar i ndjeshëm, është një tjetër lexim që nuk duhet humbur. Më poshtë Kastrati vjen në një udhëtim në letërsinë shqipe përmes 10 librave që duhen lexuar…për lexuesin e MapoLetrare.

1- “Ulku dhe Uilli”, Vath Koreshi



Romani Ulku dhe Uilli trajton një temë universale të qytetërimit, një temë autentike të qenies dhe të racës njerëzore. Në çdo njeri, të çdo epoke  të zhvillimit të deritanishëm njerëzor, ka ekzistuar dhe ekziston egërsia e brendshme, e keqja e lindur me mëkat, që njësohet me vesin e ujkut rrëmbyes, dhe në anën tjetër antipodi, yllësia, hyjnorja,  butësia e mira dhe harmonia njerëzore. Më shumë se 200 vjet më parë sundimtari i Prusisë,  Frederiku i Madh në një letër që i ka dërguar Volterit, ndër të tjera shkruan: “Çdo qenie njerëzore në vetvete e mban të njëzuar egërsirën  e vet, dhe janë të rrallë ata, të cilët barbarinë e tyre e mbajnë lidhur në zinxhirë”. Sipas tij, çdo njeri disponon në gjene  egërsinë e vet, paganizmin, majmunërinë, të stisur thellë në lëkurën njerëzore,  E këtillë ka qenë dhe është bota, të cilën e përshkruan me mjeshtëri dhe pedanderi krijuese,  shkrimtari dhe skenaristi i njohur shqiptar, Vath Koreshi. Romani Ulku dhe Uilli lexohet me një frymë. Ngjarjet në dukje të jashtëzakonshme, dramaticiteti, ndërthurjet dhe ndërlidhjet e situatave, fragmentarizmi i shtrirë mjaft mirë në tërë materien, e mbi të gjitha gjuha tejet e latuar dhe e begatuar me idioma të veçanta shprehëse, e bëjnë këtë roman një tërësi shkrimore unike, që të ngel në kujtesë për shumë kohë.

2- “Hija e maleve”, Ernest Koliqi

Në “Hija e maleve”, Koliqi jo vetëm trajtoi një tematikë me interes nga bota jonë, por ia doli që t’i shtjellojë ato me mjeshtëri dhe të arrijë një nivel të ngritur të komunikimit artistik. Ç’është e vërteta, këto krijime përbëjnë shembuj konkretë e të rëndësishëm të prozës moderne shqipe.

Autori është treguar këtu erudit i rrallë i rrëfimit artistik; me natyrshmëri ai e degëzon atë në ato përmasa që bëjnë të mundur shpalimin më të plotë të botës shqiptare, të ndjesive individuale e kolektive, të gjendjeve psikologjike, të reagimeve e brengave, të situatave me ngarkesë psikologjike e dramatike, të përsiatjeve për dukuri të ndryshme jetësore etj. Me librat e tregimeve: Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili janë krejt të veçantë. Vepra poetike me pretendime më të mëdha e Koliqit është Gjurmat e Stinve (1933). Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit). Pasardhës të Koliqit, sidomos në insistimin e gjetjes së veçantive vendore në gjuhë e në jetë, në letërsinë shqipe bashkëkohore para së gjithash konsiderohet Anton Pashku.

3-“Pse”, Sterio Spasse

Historia e Afërditës dhe Gjon Zaverit vijon të jetë ndër më interesantet në letrat shqipe. Sterjo Spasse, lindur më 1914 në Gollomboç, është shkrimtar shqiptar. Sterjo shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan. Një kohë punoi si mësues. Më vonë vazhdoi studimet e larta për pedagogji në Firence të Italisë dhe mandej për letërsi në Bashkimin Sovjetik. Mbas Çlirimit një kohë punoi në revistat pedagogjike dhe letrare : “shkolla e re”, “Arsimi popullor”, “Literatura jonë”, “Nëntori”, etj. Ai punoi edhe pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Ndërsa kohën e fundit e kaloi në Tiranë, si shkrimtar me profesion të lirë.

Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u muar me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që na vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijiet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Ai ka botuar disa përmbledhje tregimesh si dhe dhjetë romane. Kryevepra e Sterjo Spasses është “Pse” (1935)

4- “Hasta La vista”, Petro Marko

Është romani i parë i autorit dhe më i rëndësishmi për kohën, kur e shkroi, si në rrafshin artistik ashtu dhe në atë tematik. Rëndësia e tij qëndron veçanërisht, se lajmëroi kthesën në rrjedhat historike të romanit shqiptar. Romani sjell rrëfimin e luftës në Spanjë, ku kryesisht veprojnë personazhe nga mesi i vullnetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Në të rrëfehen betejat e shumta gjatë viteve të kaluara në front, të cilat përshkruhen me një gjuhë të gjallë dhe të papërsëritur. Krahas ngjarjeve për rrjedhat e luftës, rrëfehet dhe linja e dashurisë ndërmjet luftëtarit shqiptar Gori dhe infermieres spanjolle Anita. Ngjarja, pra, në romanin “Hasta la vista” rrjedh në dy binarë: rrëfimi për luftën dhe rrëfimi për dashurinë.

Në rrëfimin e parë, shkrimtari e kuadron luftën mes republikanëve që u vijnë në ndihmë vullnetarë nga mbarë bota dhe, monarkistëve të ndihmuar nga fuqitë fashiste evropiane. Në rrethin e të parëve janë dhe vullnetarët shqiptarë që së bashku me të tjerët luftonin fashizmin, që, gjatë luftës në Spanjë (gjysma e dytë e viteve ’30) ishte forcuar dhe paralajmëronte Luftën e Dytë Botërore.

Anë e fuqishme e rrëfimit për luftën është ndërtimi i personazheve, shpalimi i karaktereve, i psikologjisë dhe i filozofisë së tyre. Numri më i madh i personazheve është nga radhët e vullnetarëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin personalitete të shquara të kohës si Skënder Luarasi, Asim Vokshi, Mehmet Shehu, Xhemal Kada, vetë Petro Marko etj.

5- “Odin Mondvalsen”, Kasem Trebeshina

Odin Mondvalsen e Kasëm Trebeshinës është vepër unikale e letërsisë shqipe, e cila në mënyrë lapidare arrin ta shpjegojë artistikisht dukurinë e totalitarizmit komunist. Trebeshina ndërton një rrëfim që e nyjëton idenë e shprishjes shpirtërore të individëve dhe të kolektivitetit…Aurel Plasari shkruan për këtë libër se :”Jo më kot kjo vepër, ndofta një nga më tragjiket e autorit, nuk titullohet as roman, as novelë, por “Një histori dashurie”. Këto janë çastet e paparashikuara në programin e utopistëve, e nëse janë shpeshherë të paligjshme, bëhen edhe më të vyera. Ajo çka nuk mund ta konceptojë një shkrimtar që nuk e ka provuar mbi shpinë regjimin totalitar është pikërisht kjo: përshtatshmëria e njerëzve ndaj çdo situate, qoftë kjo edhe një përshtatshmëri e llojit odinmondvalsenian.”

6- “Palimpest”, Martin Camaj

Rreziku i vëzhgimit të cekët, asnjë milimetër i thellë, në shpirtin e veprës është brenga më e madhe e Camajt përballë veprës së tij të kryer. E kryer, e përfunduar në formën e saj gjuhësore kombëtare, çdo gur i ngrehinës së tij poetike mbart erën e shekujve të traditës klasike që e kanë ushqyer. Palimpsesti i zbulon Camajt misterin e mjeshtërisë së poetit, enigmën e asaj që ai kërkon në poezi. Enigma, sikundër shprehet vetë Camaj, qëndron në “një shkronjë”: sigurisht që është fjala për shkronjën që gjendet poshtë asaj të dukshmes. Për “shkronjën” e cila e lë tekstin poetik të hapur, e bashkë me tekstin edhe intepretimin për të. Por, njëkohësisht, i jep fjalën drejtshkrimin gegë “shkrojë”, Camaj e ka fjalën edhe për “të shkruarit” e për “shkrimin” në përgjithësi. Si edhe, pa dyshim, për mundin e poetit në kërkim të shkronjës dhe të shkrojës së saktë. Në këtë pikë, poetika e palimpsestit na zbulon gjithë arsyen dhe forcën e saj. Pa llogaritur që vetë kënaqësia e deshifrimit vjen e bëhet një poetikë më vete.

7- “Dranja”, Martin Camaj

Dranja” u fillua së shkruari rreth vitit 1975 dhe mbaroi më 1979. Është vetë fati i poetit i ngjashëm me fatin e Dranjës, breshkës së mitizuar në madrigalet e tij, perëndeshës së kujtimit të dalë nga Dheu:
Po e kapi dikush si për lojë ta marrë me vete ndër dhena tjera, aio mbaron me të tana! Për Dranjen buzëhollë, lëpusha e laknës së huej nuk e ka shijen e duhun e njimsinë e avullit, i cili si me qenë pëlhurë, i mveshet bimësisë buzë Drinit në mëngjes. Larg këtij vendi edhe shpirtin e jep e s’prek gja me gojë”. Breshkë, rruzull më vete “s’prek gja me gojë” dhe “shpirtin e jep”, më vërtetësisht se në metaforë, ashtu si njeriu dhe shpirti i tij, që kur s’ka ç’të prekë me gojë mbahet me ngjizje: kur kujtoi këtë jerm nuk lyp shpjegim të një andrre, por me jepet me rrëmue mbi sende e frymorë të mbrumë me tharmin e gjakut tim.
“Dranja” ndonëse nuk është në vargje si madrigali tradicional, në përmbajtje i përket kësaj gjinie dhe si e tillë i kundërvihet trajtave të tjera letrare, të përdorura deri më sot në gjuhën shqipe. Në lexim e sipër, mundësisht të ngadalshëm, duhet patur parasysh se trajta e jashtme, historia e një breshke dhe e rrashtës së saj, lidhen me nënkuptime simbolike, me fjalë të tjera me zbërthimin e përmbajtjes së brendshme apo “teoremës”. Me rëndësi për autorin është fjala e bukur poetike, ku bëhen përpjekje që gjuha t’i përshtatet lakueshëm çdo situate.

8- “Ikja e shtërgut” Ismail Kadare

Një nga librat më të bukur të shkrimtarit Ismail Kadare ku trajtohet profili i një poeti të jashtëzakonshëm si Lasgush Poradeci.

9- “Lumi i vdekur”, Jakov Xoxa

Rrëfimi i ngjarjes në romanin “Lumi i vdekur” fillon me shpërnguljen e dhunshme të familjes së Pilo Shpiragut nga fshati Grizë dhe mbyllet pas një viti, me shpërnguljen po të kësaj familjeje, tani nga fshati Trokth. Brenda këtij harku kohor janë vendosur një varg ngjarjesh, kryesisht dramatike, me intensitet shkallëzues. Qerrja e ngarkuar me plaçkat e shtëpisë nis rrugën pa ditur ku do të degdiset. Sa për një natë Pilo Shpiragu vendos të strehohet tek hani i Bishtanakës, ku rastësisht ai do të gjejë “shpëtim” te tregtarët e Fierit, të cilët do ta punësojnë në fermën e fshatit Trokth. Në të njëjtën kohë ai do të njihet dhe me familjen kosovare të Sulejman Tafilajt.idohet nga shija dhe ndjenja e ardhacakut, e të huajit, prandaj e nënshtruar do të provojë të përshtatet në kushtet e reja, si dhe familjet e fshatit Trokth të vendosura në luftë të përhershme për t’u mbrojtur dhe për të siguruar ekzistencën. Paralelisht me këto rrjedha dhe e gërshetuar me to do të zhvillohet edhe lidhja intime mes vashës së Shpiragajve me emrin Vita dhe kosovarit Adil. Kjo linjë nga ana e vet ka shijen dhe domethënien e një simbolike. Pakti mes Pilo Shpiragut dhe tregtarëve të Fierit nuk do të arrijë ta mbushë as rrethin kohor të një viti. Përmbytja simbolike e fshatit nga lumi i përçudnuar solli pasoja tragjike për Shpiragajt, të cilëve dhe ç’ka u mbeti nga gjëja e gjallë do t’ua rrëmbejnë përsëri trëgtarët. Kështu, familja Shpiragaj mbeti në mes të rrugës më e vetmuar dhe më pa asgjë se kurrë më parë. Ballë për ballë me rrezikun për të mbetur pa ekzistencë, që të mbiietojë, Pilo Shpiragu ai vendos t’i bindet përsëri beut dhe të pranojë kërkesat e tij që si viktimë të parë lakmonte Vitën, ai vendos ta punësojë atë kopile në oborrin e beut. Por, shpleksja e narracionit të romanit do të nisë me arratisjen e Vitës dhe të Adilit në male.

10- “Andrra e jetës”, Ndre Mjeda

Në këtë poemë shoqërore-psikologjike me elemente të poemës filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare të kohës, janë sintetizuar tiparet më karakteristike të artit të Mjedës, si: fryma demokratike, lakonizmi dhe plasticiteti. Kjo poemë është vazhdim, shtjellim i përgjithshëm i atyre motiveve nga jeta e fshatarëve të varfër, që e shqetësonin Mjedën dhe njëkohësisht pasqyrë e mendimeve të tij për jetën njerëzore dhe lumturinë.
Në qendër të vëmendjes është një familje e varfër malësore që përbëhet nga nëna dhe nga dy vajzat. Poema ndahet në tri pjesë që i përgjigjet fatit të tre heroinave: Trinës, Zogës e Lokes./Mapo.al/

 

 

 

PasPara

1 koment

  1. Jo te sesesh mend,po te japesh-kete ben-Diana Kastrati-Faleminderit…

    Kete mbyllie te muajit Gusht,ma lehtesuan(mua gjyshit,83 vjecar rugeve tej oqeanit),me “Trinitrine”derguan dy”zonja te PENES”:Diana Kastrati pas Diana Culit, me te njejte permbajtie:”10 librat qe mund e duhet ti lexoni.Diana Kastrati sjell 10 Asat e krijuesve shqiptare, nis me Vath korreshin, Ernest koliqin, Sterio Spase, Petro Markon:e pas Kasem Trebeshines,sjell martin Camajn, me dy libra te preferuar te tin e vazhdon me Ismail Kadarene e Jakov Xoxen,sa e mbyll jo rastesisht,me Ndre Mjeden e madh, pasues rilindas. Nje koecidence e tyre, zgjedhur titull shkrimi te njejte… Mbasditen e djeshme me Djanen Permetare kaluar (patrioten time)dhe ja sot,me erdhi Diana Kastrati,qe me biemrin,te them te drejten, me imponoi leximin.(Shoke qe ne rini,vite 55-60),ne Tirane,dy djem mjeshtra te profesionit tyre-Kastrati,ruajtur shoqerine nje jete,ani se u ndame si profesion: une MESUES sa “nxenes”.i tyre, dy vite buzequmesht,po jetim e shkollen e mesme e ndoqa naten me ta,sa pas ushterie ne faultet e,nje jete(1964-91) mesues ne Tirane,rreth-qytet..Ato vite me ta,ne oficinen e nd.”Ruga-ura”,shkolla e pare,sa 3 vjet ushteri, qe e quajta:”Universitetin e pare”( ne R/Ll e Vain-it( Lushnje) Sot 27 vjet rrugeve te emigracionit pas femijeve, po ju ndare nxenesve e studenteve ,nga dhe po ju shkruaj.Torontua bere Tirana e dyte me te terra;pa tjeter;-“Ku te duket balta me e embel se mjalta-ne ATDHEUN tone-SHQIPERI”,dihet.
    Gezuar vitin e rri shkollor te dashur nxenes, studente e Kolege mesues e,profesore te nderuar..
    Ju Diana Kastrati sa, pershendes botuesin e gazete MAPO asaj dhe ne hapur harizont botimi.
    Nuk po i rjjeshtojte 10 librat qe rekomandon ajo si bera die me Dianen Permetare qe ia shoqerova me nje melodi “hajt t’a themi njeze te na benen dyze, deri te dymbedhjeta, me D.Culin, pas shkrimtareve qe ajo vlresonte.Ju po ju them shendet,me nje urim, si gjysh ish mesues, sot 83 vjecar rrugeve te mergimit me URIMIN:-Ju lumte ajo mendie komanduar ate dore,qendisur keto 10 vleresime krijuesish dhe librat e tyre, rekomandim per ti lexuar.
    – Pune te mbare pas keti sezioni pushimesh te nderuarat DIANA, qe dhe mes vaper me ne lexuesit jetoni.

    Toronto 31-08-2018 Dhimiter M.Xhoga ( Guri Naimit D.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas